
Një rregull i ri i kërkuar nga Banka Botërore ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe KESH bilance tremujore financiare. Për periudhën janar-nëntor 2016, vërehet rritje me 20 për qind e shpenzimeve operative, gjë që reduktoi me 21 për qind fitimet neto të zakonshme.

Të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSHEE) u rritën me vetëm 1.5 për qind ndërsa shpenzimet operative u rritën me mbi 20 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke kompensuar kursimet e përfituara nga shpenzimet më të pakta për blerje energjie dhe transmetim si dhe duke reduktuar fitimet nga aktiviteti i zakonshëm me mbi 21 për qind.
Të dhënat, të cilat u publikuan nga OSHEE së fundmi, tregojnë se të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike për periudhën janar-shtator 2016 qenë 37.8 miliardë lekë, me një rritje prej 522 milionë lekësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
OSHEE duket se realizoi kursime të konsiderueshme në shpenzimet për blerjen e energjisë elektrike, pasi në shkurt të këtij viti, nga marrëveshja me KESH për të blerë energji me kontratë të drejtpërdrejtë, pas denoncimeve në media se KESH po shiste energji lirë te tregtarët e energjisë, ndërkohë që OSHEE detyrohej të blinte shtrenjtë energji nga po të njëjtët tregtarë.
Sipas të dhënave të publikuara, OSHEE shpenzoi 19 miliardë lekë për blerje dhe transmetim të energjisë elektrike këtë vit, me rënie prej 3.7 miliardë lekësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kursimet janë që të gjitha nga çmimi më i ulët i blerjes së energjisë, pasi sasia e energjisë së blerë ka qenë pothuajse njësoj.
Por ndërsa shpenzimet për blerje energjie janë reduktuar, shpenzimet operative të saj si dhe shpenzimet për provizione kanë pësuar rritje të shpejtë. Në periudhën nëntëmujore janar-shtator, shpenzimet operative u rritën në 7.3 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2 miliardë lekësh në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit OSHEE ka vendosur të lërë si provizione për humbjet e mundshme plot 2.1 miliardë lekë, nga 395 milionë lekë që pati lënë vitin e kaluar.
Si pasojë e rritjes së shpenzimeve, fitimi nga aktiviteti i zakonshëm i OSHEE-së për periudhën 9 mujore qe 7.3 miliardë lekë, me rënie prej gati 2 miliardë lekësh në krahasim me vitin e kaluar.
Gjatë këtij nëntëmujori, OSHEE bleu 4.2 miliardë KWh energji dhe shiti me fatura pak më shumë se 3 miliardë. Humbjet në rrjet qenë në masën 28.1 për qind. Humbjet janë reduktuar në krahasim me vitin e kaluar kur ishin 31.7% e energjisë së hedhur në rrjet, por sipas axhendës së përcaktuar nga programi i Bankës Botërore në projektin e Rimëkëmbjes Energjetike, humbjet finale për këtë vit duhet të reduktohen në 26 për qind ndërsa në vitin e ardhshëm, ato duhet të zbresin më tej në 22 për qind.
|
Të dhënat financiare 000 lekë |
|||
| 9mujori 2015 | 9mujori 2016 | Diferenca % | |
| Të ardhurat nga aktiviteti kryesor (shitja e Energjise) | 37,276,234 | 37,828,494 | 1.5 |
| Shpenzime për energji dhe transmetim | 22,680,421 | 18,994,849 | -16.3 |
| Shpenzime Operative | 6,037,536 | 7,263,554 | 20.3 |
| Provizione | 394,999 | 2,152,096 | 444.8 |
| REZULTATI I AKTIVITETIT | 9,274,567 | 7,299,737 | -21.3 |
|
Burimi: OSHEE |
|||
|
Energjia MWh |
|||
| 9 mujori 2015 | 9 mujori 2016 | Diferenca % | |
| Energji e Blere | 4,390,577 | 4,239,544 | -3.4 |
| Energji e Shitur | 2,997,979 | 3,046,748 | 1.6 |
|
Burimi: OSHEE |
|||
Link: Bilanci i OSHEE






