Tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike, duke e cilësuar ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sit ë përputhshëm me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për ligjin e vetingut, duke i hapur rrugën zbatimit në praktikë të ligjit kyç të paketës së reformës në drejtësi.
Vendimi i tetë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shpall pas një mbledhjeje që zgjati tre orë, vetëm pak ditë pas mbërritjes në Tiranë të opinionit të Komisionit të Venecias që e certifikoi ligjin si të përputhshëm me Kushtetutën.
Në një njoftim të shkurtër për shtyp, Gjykata Kushtetuese deklaroi se “pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara…vendosi rrëzimin e kërkesës”.
Ky vendim u mirëprit nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Sipas mediave, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD kundër Vetingut! E vonuan po s’e ndalën dot,” shkruan Rama.
“Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë. Të fillojmë spastrimin në Pallatin e Drejtësisë dhe të marrim datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE,” shtoi ai.
Ligji për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur gjerësisht si ligji i vetingut u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së dorëzuar atje nga Partia Demokratike. Në kërkesën e saj, PD e cilësonte ligjin si antikushtetues, ndërsa kontestimi kryesor lidhej me rolin që institucionet në varësi të ekzekutivit do të kenë në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Duke njohur konfliktin e interesit me këtë ligj, Gjykata Kushtetuese iu drejtua për mendim Komisionit të Venecias. Më 10 dhjetor, ky Komision vlerësoi se ligji është në përputhje me standardet europiane dhe se institucionet e reja që do të kryejnë vetingun, sipas saj kanë mundësinë të kontrollojnë informacionet që vijnë nga institucionet në varësi të ekzekutivit.
Zbatimi i ligjit të vetingut është kushti kyç që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i hap dritën jeshile ngritjes së institucioneve që do të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët si dhe nisjen e procesit që pritet të pastrojë sistemin e drejtësisë nga personat e dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.