Aktivisti i lindur në Siri, Shadi Martini – që mbron viktimat siriane të luftës – thotë se ndalimi i myslimanëve nga Donald Trump jo vetëm që po vret shpresat e refugjatëve, por po rrezikon edhe sigurinë e vetë Amerikës.
Famëkeqi “ndalim i myslimanëve” i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr zemërim dhe ka krijuar kaos në botë, duke lënë mijëra refugjatë dhe zotërues të Kartës së Gjelbër jashtë SHBA.
“Jetët e shumë personave janë shkatërruar… për shumë refugjatë sirian kjo po e vret shpresën e tyre. Ata persona kanë kaluar intervista, u janë marrë shenjat e gishtave. Ata kanë pritur për vite, duke ditur që do të vinin në SHBA. Kjo është vrasje për ta,” tha Shadi Martini.
Një ish-menaxher spitali në Siri, Martini u detyrua të largohej nga shtëpia e tij në Alepo në 2012, menjëherë pasi regjimi i Bashar Assad zbuloi se ai po drejtonte një rrjet të fshehtë ndihme mjekësore për viktimat e luftës civile siriane.
Si zotërues i një pasaporte bullgare, ai më pas kaloi kohë në Ballkan duke organizuar përpjekjet e ndihmës së refugjatëve që erdhën në vend në 2013 përpara se të shkonte në SHBA dhe të bëhej shtetas amerikan në 2016.
Por jetesa përtej oqeanit nuk e ka ndaluar sirianin të ndihmonte bashkëkombasit e tij dhe refugjatët e tjerë.
Në 2014, ai lançoi një degë bullgare për fondacionin sirian “Orient”.
Që atëherë, fondacioni ka ofruar ndihmë mjekësore dhe arsimore për refugjatët dhe vendasit në Bullgari, Greqi dhe Maqedoni, ku ishte aktiv gjatë periudhës së pikut të të ashtuquajturës “itinerar ballkanik”, i përdorur nga refugjatët dhe migrantët për të arritur në Perëndim.
Sikur Martini të mos kishte fituar llotarinë amerikane rastësisht, ai nuk do të kishte mundësi të bënte punë humanitare,që kërkon udhëtim të vazhdueshëm, si në Ballkan dhe në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Përndryshe ai do të binte në kategorinë e udhëtarëve nga shtatë vendet myslimane – Iraku, Siria, Sudani, Irani, Somalia, Libia dhe Jemeni – shtetasit e të cilëve janë pezulluar përkohësisht nga hyrja në SHBA me një urdhër ekzekutiv të firmosur nga presidenti Trump më 27 janar.
“Do të isha prekur edhe unë. Jam shtetas bullgar me origjinë siriane, ndaj nuk do të lejohesha të hyja”, tha Martini për BIRN në një intervistë në Skype nga SHBA-ja.
“Ndihem shumë keq, të them të vërtetën. Po reflektoj për veten. Me gjithë punën time, eksperiencën tim, e dij që nuk do të isha lejuar të bëja detyrën, për shkak se kërkon udhëtim të vazhdueshëm,” shtoi ai.
Amerikano-siriani, që së fundmi u bë një këshilltar për Aleancën shumë-besimtare për refugjatët sirianë në SHBA, shpjegoi se rreth 60,000 refugjatë janë prekur nga urdhri ekzekutiv i Trump.
Ai kujtoi disa histori të njerëzve që njeh: një familje me tre fëmijë që jeton në SHBA, vajza e katërt të të cilëve kishte mbetur shtatzënë në Turqi; një person me aftësi të kufizuara që humbi gruan gjatë luftës, kishte mbetur në Jordani me një të porsalindur dhe në pamundësi për t’u kujdesur për të; një përkthyes për ushtrinë amerikane, bllokuar në Siri në rrezik për jetën.
“Ka shumë histori të ndryshme, histori si të miat,” tha aktivisti, duke zbuluar se prindërit e tij janë gjithashtu në Siri dhe nuk mund t’i bashkohen atij në SHBA.
Ai është i bindur se programi aktual amerikan i sistemimit të refugjatëve është mjaftueshëm i sigurt kur vjen puna te terroristët.
“Të gjithë agjencitë e sigurisë në SHBA kontrollojnë refugjatët, veçanërisht ata nga Siria dhe Iraku, përpara se të mbërrijnë,” tha ai.
“Ky është programi më i sigurt në SHBA. Rreziku më i ulët i mundshëm për sulme terroriste vjen nga ata njerëz në SHBA”.
Ai citon një studim nga instituti konservator Cato në SHBA, që tha se shansi që një amerikan të vritet nga një refugjat është 1 në 3.6 miliardë.
Sipas Martinit, paralelizmi i planit amerikan të sistemimit me situatën në Europë ku migrantët mund të hyjnë direkt, shpesh të paidentifikuar është i gabuar.
“Gjithnjë e kemi dhënë shembullin amerikan si shembull të mirë; i kemi thënë europianëve të përdorin një sistem të tillë. Në SHBA dihet se kush po hyn, kush po i arratiset vërtet luftës,” argumentoi Martini.
“Por problemi tani është populizmi që është bërë trendi. Disinformimi është trendi. Nuk ekzistojnë “faktet alternative”. Kjo nënkupton “një gënjeshtër”, tha ai, duke cituar një shprehje famëkeqe të përdorur nga administrata Trump.
Ai beson se herët ose vonë amerikanët do ta zbulojnë se ata nuk janë më të sigurt se sa ishin dhe se i kanë gënjyer.
Martini beson se urdhri i Trump për imigracionin do ta përkeqësojë edhe më tej imazhin e Amerikës në sytë e botës dhe në vendet e Lindjes së Mesme veçanërisht.
Ai thotë se ka ndjekur hapësira bisedimi online të grupeve te islamike ekstremiste dhe ka vënë re se vendimi Trump është përdorur mirë nga xhihadistët për propagandë.
Ai thotë se njerëzit duhet të jenë më të zgjuar ndërsa përpiqen të mbrojnë vendin e tyre.
“Një luftë nuk është luftë armësh. Është një luftë idesh,” tha ai.
“Nëse ne, njerëzit që besojmë në idetë e të drejtave të njeriut dhe barazisë, fillojmë t’i ndajmë njerëzit nga kombësia apo feja, atëherë i kemi braktisur idetë tona,” përfundoi ai.