Politikanët në Republikën Srpska po debatojnë në lidhje me përgjigjen e tyre ndaj apelit të Sarajevës për çështjen e gjenocidit kundër Serbisë, i cili kërcënon të shndërrohet në një nga krizat më të mëdha që prej luftës.
Liderët serb të Bosnjës nga partitë qeverisëse dhe opozitare po zhvillojnë një sërë takimesh urgjente të hënën, përfshirë edhe një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska, për të diskutuar në lidhje me përgjigjet e tyre të mundshme ndaj rastit të apelimit të gjenocidi të nisur javën e kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND.
Ndërkohë që disa politikanë serbë të Bosnjës po bëjnë thirrje për tërheqjen e partive serbe të Bosnjës nga koalicioni qeverisës në nivel shtetëror, të tjerët po kërkojnë një grevë të të gjitha zyrtarëve të Republikës Srpska nga të gjitha institucionet shtetërore.
“Unë mendoj se seanca e Asamblesë Kombëtare e Republikës Srpska do të jetë një shfaqje për publikun, por në thelb asgjë nuk do të ndryshojë. Kriza në Bosnjë është e përhershme,” tha për BIRN analisti me bazë në Banja Luka Srdjan Puhalo.
Apeli, e cila u dorëzua të enjten e kaluar, ka kërkuar një rishikim të vendimit të vitit 2007 të GJND-së i cili e liroi Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995.
Shumica e politikanëve serbë të Bosnjës e shohin apelin kundër vendimit ose si një kërcënim ndaj Serbisë dhe Republikës Srpska, ose si një përpjekje nga ana e lidershipit boshnjak – që e inicioi procesin – për të përdorur institucionet shtetërore për interesat e tyre, ose të dyja bashkë.
Disa politikanë dhe akademikë boshnjakë pretenduan se apeli synonte të përcaktonte të vërtetën për atë që ndodhi në Srebrenicë kur ajo ra në duar të forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, në mënyrë që më në fund të sillej paqe dhe vendosej drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
Ata argumentuan se ishte brenda mandatit të Sakib Softiç – avokati boshnjak i cili trajtoi çështjen origjinale në GJND – që të niste apelin për rishikim të vendimit, dhe akuzuan zyrtarët serbë dhe serbë të Bosnjës se po e politizojnë këtë çështje.
Por shumë ekspertë vendorë dhe diplomatë të huaj mendojnë se lidershipi ka injoruar kërkesat procedurale dhe implikimet politike të çështjes, dhe se të gjitha palët e kanë përdorur atë më pas për të larguar vëmendjen e publikut nga situata katastrofike ekonomike e vendit.
BE-ja dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar liderët e të tre grupeve etnike të mos bëjnë lëvizje të njëanshme.
Fronti i bashkuar
Për shkak të mosmarrëveshjes, puna e të tria institucioneve kryesore shtetërore – presidenca, parlamenti dhe qeveria, apo Këshilli i Ministrave, u bllokua javën e kaluar.
Apeli ka bashkuar përkohësisht serbët e Bosnjës që janë në koalicionin qeverisës dhe partitë opozitare, por shumë prej tyre kanë pikëpamje të ndryshme mbi mënyrën se si Republika Srpska duhet t’i përgjigjet kësaj situate.
Vukota Govedarica, kryetari i Partisë Demokratike Serbe (SDS), partia më e madhe në Aleancën për Ndryshim (blloku kryesor opozitar në Republikën Srpska që është pjesë e koalicionit qeverisës në nivel shtetëror me parti të tjera boshnjake dhe kroate) tha se qeveria shtetërore mund të vazhdojë të punojë vetëm në një lloj regjimi teknik.
Por kolegu i partisë së tij, i cili është gjithashtu Ministri boshnjak i Tregtisë së Huaj dhe Marrëdhënieve Ekonomike, Mirko Saroviç, tha se partia nuk do ta bllokojë punën e parlamentit.
“Ne nuk do të largohemi nga institucioni, nuk do ta thellojmë këtë krizë. Nuk do të bllokojmë thjesht institucionet sepse nuk duam të përgjigjemi në një mënyrë të papërgjegjshme dhe antikushtetuese,” tha Saroviç për mediat të premten.
Në parlamentin shtetëror, sistemi i komplikuar i vendimmarrjes i vendit – i projektuar të mbrojë interesat e secilit grup kryesor etnik – përcakton se çdo vendim duhet të mbështetet të paktën nga një e treta e deputetëve të secilit nga dy entitetet – Republika Srpska dhe Federata me shumicë boshnjake dhe kroate.
Momcilo Novakoviç, një deputet nga Lëvizja Kombëtare Demokratike (NDP) e cila është gjithashtu pjesë e koalicionit qeverisës, ka lajmëruar se ekipi ligjor i Aleancës për Ndryshim po përgatit paditë penale kundër Sakib Softiç për veprim të gabuar si agjenti i Bosnjës në GJND. Akuzat mund të ngrihen këtë javë.
Ndërkohë, koalicioni qeverisës i Republikës Srpska, i udhëhequr nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur e presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik, SNSD, po kërkon tërheqjen e plotë të të gjithë zyrtarëve të Republikës Srpska nga institucionet shtetërore.
“Duhet të presim të hënën dhe seancën parlamentare të Republikës Srpska, por më duket se Aleanca për Ndryshim ka vendosur se do të rikthehen në institucionet boshnjake,” tha Dusanka Majkiç, një deputetet e SNSD, për mediat të premten.
Bllokadë politike
Puhalo tha se nëse vjen puna te një votim, SNSD ka mjaftueshëm anëtarë në Asamblenë Kombëtare të Republikës Srpska për të siguruar mbështetjen për një nismë që të gjithë përfaqësuesit e Republikës Srpska të largohen nga institucionet shtetërore, duke bllokuar kështu të gjithë procesin politik të të gjithë vendit.
Por ai tha se “Aleanca për Ndryshim s’ka gjasa ta pranojë këtë”.
Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe shtetërore, Bakir Izetbegoviç, i cili ishte ai që nisi nismën për apel, tha se do të duhet pak kohë që situata të qetësohet.
“I kuptoj kolegët e mi nga ana serbe, por reagimi i tyre është i ekzagjeruar. Nuk ka asnjë arsye për një krizë në shtet,” tha Izetbegoviç për BHRT të premten.
Disa diplomatë perëndimorë kanë shprehur frustrim në lëvizjen e Izetbegoviçit, duke thënë se ai nuk i mendoi të gjitha implikimet e mundshme politike apo edhe ato të sigurisë kur paraqiti apelin për gjenocid.
“Brenda kësaj nisme, Izetbegoviç bëri atë që askush nuk ka arritur të bëjë gjatë tre dekadave të fundit. Ai bashkoi partitë serbe dhe ato qeverisëse të Republikës Srpska,” tha një diplomat për BIRN.
Anëtari kroat i presidencës trepalëshe, Dragan Cviç, tha megjithatë se kriza nuk do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, por se kjo ishte një gabim.
“Askush nuk mund të drejtojë negociata dhe të mbrojë pikëpamjet e një grupi etnik në emër të të gjithë Bosnjës dhe Hercegovinës. Duke bërë kështu, ne po bëjmë një gabim të pabesueshëm politik,” tha Coviç të premten.