Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se partneri kryesor tregtar i Gjermanisë tashmë është Kina dhe jo më Franca. Ky lajm duhet të shërbejë si një ballafaqim me realitetin për politikëbërësit proteksionistë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA si dhe për shumë ekspertë, të cilët shpesh komentojnë mbi tregtinë botërore pa kuptuar siç duhet realitetet.
Ja një ballafaqim me faktet për politikëbërësit britanikë dhe amerikanë dhe për shumë ekspertë që shpesh komentojnë mbi tregtinë botërore pa kuptuar realitetet e sotme: të dhënat statistikore për eksportet dhe importet totale të Gjermanisë në vitin 2016 tregojnë se partneri më i madh tregtar i këtij vendi tashmë është Kina. Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë në vend të dytë dhe të tretë.
Ky lajm nuk duhet të vijë si surprizë. Unë shpesh kam theksuar se, nga viti 2020, kompanitë gjermane (dhe politikëbërësit) mund të parapëlqejnë më shumë një bashkim monetar me Kinën se sa një me Francën, duke marrë parasysh se tregtia gjermano-kineze ka gjasa do të vijojë të rritet.
Dhe pikërisht kështu ka ndodhur, udhëhequr më së shumti nga eksportet e Kinës drejt Gjermanisë. Por edhe eksportet e Gjermanisë drejt Kinës kanë qenë gjithashtu në rritje. Megjithë një ngadalësim të vërejtur së fundmi, Gjermania së shpejti mund të eksportojë më shumë në Kinë se sa në fqinjin dhe partnerin e vet thelbësor, Francën dhe ajo sakaq eksporton në Kinë më shumë nga sa eksporton në Itali. Për eksportuesit gjermanë, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë tregjet e vetme kombëtare në Europë që janë më të mëdha për eksporte se sa Kina.
Vrojtuesit me eksperiencë të tregtisë ndërkombëtare kanë tendencën të ndjekin dy rregulla të përgjithshme. E para, niveli i tregtisë mes dy vendeve shpesh ulet në raport me distancën gjeogragike mes tyre. Dhe, e dyta, një vend ka gjasa të kryejë më shumë tregti me vende të mëdha që kanë kërkesë të fortë të brendshme dhe jo aq shumë me vende më të vogla, të cilat kanë kërkesë të dobët.
Të dhënat e fundit mbi tregtinë e Gjermanisë i konfirmojnë të dyja rregullat, por në veçanti rregullin e dytë. Një vend i madh por gjeografikisht i largët është i ndryshëm jo vetëm në përmasa, por edhe natyrë nga vendet e vogla. Kjo tepër shpesh harrohet në diskutimet mbi marrëveshjet e tregtisë, veçanërisht në një situatë të ndezur politike si kjo që dominon sot në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Dhoma e të Zakonshmëve (Parlamenti), sakaq ka ka miratuar një ligj për të krijuar një proces për tërheqjen nga Bashkimi Europian; por Dhoma e Lordëve tashmë po kërkon që ligji të amendohet për të mbrojtur shtetasit e BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Në kontributin tim të shkurtër në debatin maratonë në Dhomën e Lordëve muajin e kaluar, unë argumentova se, edhe nëse Brexit nuk përbën sot për sot sfidën më të madhe të politikës ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar, ai ka gjasa do të përshkallëzojë problemet e tjera, përfshirë rritjen vazhdimisht të ngadaltë të produktivitetit, programet e dobëta të arsimimit dhe arsimimit profesional dhe pabarazitë gjeografike.
Për më tepër, unë paralajmërova që Mbretëria e Bashkuar do të ketë nevojë të hartojnë një përqasje shumë më të fokusuar dhe ambicioze për tregtinë, ndryshe nga Kina apo India, nëse dëshiron të ketë sukses ekonomik pas Brexit. Për fat të keq, strategjia e Mbretërisë së Bashkuar për tregtinë pas Brexit po përcaktohet nga politikat e brendshme, të tilla si “patriotizmi” i realizimit të marrëveshjeve të reja të tregtisë me Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re e vende të tjera të Komonuellfit, gjë që ka injoruar realitetet e hidhura ekonomike.
Zelanda e Re mund të jetë një vend shumë i bukur, por ajo nuk ka një ekonomi shumë të madhe dhe është shumë-shumë larg Mbretërisë së Bashkuar. Në fakt, pavarësisht problemeve të stërmëdha, ekonomia e Greqisë vijon të jetë më e madhe se sa ajo e Zelandës së Re.
Shumë politikëbërës të Mbretërisë së Bashkuar – dhe të gjithë anëtarët e fushatës për dalje nga BE – janë duke injoruar kostot e mundshme që sjell dalja nga tregu i përbashkët i BE-së. Por ky faktor më vete kërkon vëmendje serioze, nëse marrim parasysh përmasat e tregut të përbashkët dhe afërsinë gjeografike. Është shumë e rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar të ruajë lidhje të fuqishme tregtare me shumë vende anëtare të BE-së pas daljes nga BE-ja. Me këtë qëllim, Britania duhet të fuqizojë sektorin e vet të eksportit të shërbimeve, një sektor ku argumentohet se ajo vijon të ketë një avantazh real natyror.
Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar duhet në mënyrë urgjente të ngrejë marrëdhëniet e veta me Kinën – ato të cilat ish-kryeministri britanik David Cameron i cilësoi si “marrëdhënia e artë” – në një nivel të ri. Nëse ka ndonjë vend me të cilin Mbretëria e Bashkuar duhet të dëshirojë të arrijë një marrëveshje të re të tregtisë, ky natyrisht është Kina. Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në qeverinë e Britanisë, unë ndihmova George Osborne, kancelarin e asaj kohe, të bindte Cameron se ne duhet të aspirojmë ta bëjmë Kinën tregun tonë të tretë më të madh të eksportit brenda një dekade. A e konsideron këtë qeveria e re ende një prioritet?
Përtej Kinës, Britania ka gjithashtu nevojë të përqendrohet shumë më tej në lidhjet e saj tregtare me Indinë, Indonezinë dhe Nigerinë, që të gjitha vende që ganë ndikim domethënës në ekonominë botërore dhe karakteristikat e tregtisë botërore dhe që pritet të kenë rol më të madh në të ardhmen.
Në SHBA, Presidenti Donald Trump dhe këshilltarët e tij të politikave ekonomike kanë nevojë të rikthehen në realitet, veçanërisht në tregti. Ata mund të fillojnë duke studiuar karakteristikat tregtare të Gjermanisë, veçanërisht lidhjet me Kinën. Që të jemi të qartë, Kina ka surpluse të mëdha dypalëshe tregtare me SHBA-në; por ajo gjithashtu fijon të zgjerojë tregjet eksportuese për kompanitë amerikane. Dhe nëse tendencat e 10-15 viteve të fundit vijojnë, Kina shpejt do të zëvendësojë Kanadanë dhe Meksikën si tregu më i rëndësishëm të eksporteve amerikane.
Ndërsa të ardhurat familjare në Kinë vijojnë të rriten, kërkesa për disa nga mallrat dhe shërbimet më konkurruese të SHBA-së do të vijë vetëm në rritje. Trump, në vend që të flasë gjëra të pakuptimta mbi manipulimet monetare të Kinës, duhet të nxisë forcat e tregut të ribalancojnë marrëdhëniet tregtare.
E njëjta gjë mund të thuhet sa i përket deficitit të përgjithshëm tregtar të SHBA-së. Për sa kohë SHBA nuk mund të rrisë normën e kursimit në raporti me nevojat e brendshme për investime, ajo do të vijojë të ketë nevojë për flukse kapitale të huaja. Dhe kjo, për rrjedhojë, do të kërkojë mbajtjen e një disbalance në llogarinë korrente dhe në bilancin tregtar.
Në fund, duke shtyrë për një rinegocim të Marrëveshjes së Amerikës së Veriut për Tregti të Lirë, Trump po ndërmerr rreziqe të ngjashme me ato të Breksiterëve. Pavarësisht përfitimeve të kohëve të fundit të Kinës, Kanadaja dhe Meksika janë ende fqinjë të afërt dhe partnerë tregtarë thelbësorë. Në rast se shkakton trazira në marrëdhëniet tregtare me këto tri vende, politikat e Trump ka më shumë gjasa të shkaktojnë rritje të çmimeve të importit ndërkohë që vë në rrezik rritjen e eksporteve të SHBA-së.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trade Truths for Trumpians and Brexiteers