
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se investitorët dhe agjencitë përgjegjëse publike, i lanë jashtë konsultimeve për projektin e hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosë banorët e zonave që përmbyten, institucionet vendore dhe organizatat mjedisore.

Sokrat Rrokaj është banor i fshatit Shkozë në njësinë administrative Sevaster të Bashkisë Selenicë dhe prej shumë vitesh ka zgjedhur bujqësinë si mënyrën më të mirë për të siguruar jetesën për familjen e tij. Në tokën e tij prej 2.5 hektarësh ai mbjell drithëra buke dhe jonxhë.
“Rreth 4 dynym i kam jonxhë që ushqejmë bagëtinë dhe pjesën tjetër e kam grurë, misër dhe fasule sepse kjo tokë këto prodhime mban,” thotë Sokrati, teksa shton se bashkë me tre djemtë e tij, tokën e kanë të vetmin burim të ardhurash.
Megjithatë, mjetet e jetesës të familjes Rrokaj, toka e tyre dhe produktet bujqësore që ata kultivojnë në të, tashmë rrezikojnë të zhduken pasi Shkoza është një nga fshatrat që pritet të përmbytet nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e lumit Vjosë.
Sipas kryeplakut Islam Islami, ngjashëm me Sokrat Rrokajn 110 familje në fshatin Shkozë kanë investuar gjithçka në bujqësi, duke kultivuar tokën që zotërojnë.
“Mua si familje më mbyten 3.5 hektarë tokë, ku kam 750 rrënjë ullinj me të cilët nxjerr 1.4 milionë lekë në vit. Përveç kësaj kemi 300 kokë dele, që i mbajmë me jonxhë, tërfil, pra kemi mbjellë tokat për t’u ushqyer,” tha Islami.
Në të gjithë fshatin Shkozë janë 14 mijë kokë dele e dhi dhe Islami nënvizon se ka familje që kanë shpenzuar për zetorë që kushtojnë mbi 200 mijë euro.
“Me ndërtimin e HEC-it të Poçemit ne shfarosemi,” paralajmëroi ai.
HEC-i i Poçemit është një nga hidrocentralet e shumtë të projektuar në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit dhe ndërtimi i tij iu dha në Maj 2016 nëpërmjet një koncesioni të pakërkuar dy shoqërive turke, të bashkuara në kompaninë Kovlu Energji Sh.p.k.
Ky hidrocentral që do të ndërtohet përgjatë lumit Vjosë, parashikohet të ketë një digë 25 metër të lartë dhe pritet të përmbysë sipërfaqe të mëdha bujqësore në 7 fshatra të shtrirë në bashkitë Selenicë dhe Mallakastër.
Por me gjithë ndikimin e madh që ky HEC do të ketë në këto dy bashki, drejtuesit vendorë dhe banorët e zonës shprehen se kanë pak apo shumë pak informacion mbi projektin energjetik, pasi firma ndërtuese nuk ka mbajtur konsultime publike për hartimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) në bashkitë që preken nga projekti.
Të paqartë mbi tokat që do të përmbyten nga diga dhe ndikimin që projekti do të ketë në fshatrat dhe jetën e tyre, shumë nga banorët të zonës shprehen kundër ndërtimit të hidrocentralit.
“Unë si familje nuk kam asnjë informacion për këtë HEC,” tha Sokrat Rrokaj. “Vetëm disa shoqata mjedisore na kanë njoftuar se ne do të përmbytemi, ndaj unë nuk dua që ky hidrocentral të bëhet,” shtoi ai.
Organizatat dhe aktivistët mjedisore gjithashtu ankohen se megjithë interesimin për projektin, ato nuk janë ftuar të marrin pjesë në konsultimin e VNM-së, e cila sipas tyre nuk përmbush kriteret ligjore. Ata nënvizojnë që i vetmi konsultim i mbajtur për projektin është bërë në qytetin e Fierit, një zonë që nuk preket nga ndërtimi i hidrocentralit.
Firma Kovlu Energji nuk ishte e arritshme për koment, ndërsa aksioneri i saj kryesor “Çinar San” nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me akuzat mbi VNM-në dhe mungesën e konsultimeve publike.
Kompania e konsulencës “GR Albania,” e cila është kontraktuar nga “Çinar San” për të mbajtur konsultimet publike për VNM-në, gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për lëshimin e VNM-ve, i tha BIRN nëpërmjet një përgjigje me shkrim se në rastin e hidrocentralit të Poçemit i “ka plotësuar të gjithë detyrimet ligjore.”
Zemra blu e Europës

Lumi i Vjosës vlerësohet nga organizatat mjedisore si një nga lumenjtë e fundit të egër të mbetur në Europë, duke rrjedhur në mënyrë të natyrshme dhe të pandikuar në shumicën e e gjatësisë së tij prej 270 kilometrash.
Shumica e degëve të Vjosës rrjedhin të pandërprera dhe së bashku krijojnë një basen lumor të rrallë, të karakterizuar nga kanione, ishuj, kthesa dhe gjarpërime të rrëmbyeshme.
Megjithatë, ky rrjet lumor me një biodiversitet të pasur, rrezikohet nga projektet energjetike për hidrocentrale. Në total 33 diga janë planifikuar në rrjedhën e Vjosës dhe të tributarëve të saj, nga të cilat 6 janë projektuar në rrjedhën qendrore të lumit.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në vitin 2015, kryeministri Edi Rama pati premtuar se do t’i pezullonte këto projekte dhe se lugina e Vjosës do të kthehej në zonë të mbrojtur mjedisore.
Megjithatë, vetëm 1 muaj pas zgjedhjeve në 29 korrik 2015, Këshilli i Ministrave miratoi një bonus prej 8 pikësh për kompaninë turke “Çinar San,” në procedurën e dhënies me koncesion të pakërkuar të hidrocentralit të Poçemit. Në Shkurt 2016, Ministria e Energjisë hapi një tender duke ftuar oferta për ndërtimin e hidrocentralit në kuotën 70 metra mbi nivelin e detit.
Dy muaj më vonë me 14 Prill 2016, bashkimi i kompanive turke “Çinar San” dhe “Ayen Energji,” u shpallën fitues të koncesionit pasi ishin pjesëmarrësi i vetëm në tender. Në 9 Shtator 2016, për qëllimin e ndërtimit të HEC-it, u themelua kompania Kovlu Energji, në të cilën “Çinar San” zotëron 80 % të aksioneve dhe “Ayen Energji” 20 %.
Banorët e lumit të painformuar
Sipas deklaratës mjedisore të lëshuar nga Ministria e Mjedisit në Prill 2015, hidrocentrali i Poçemit do të ketë një kapacitet të instaluar prej 102 MW dhe një rezervuar prej 23.5 kilometra katrorë, për një investim total të vlerësuar në 160 milionë euro.
Diga e këtij hidrocentrali pritet të përmbysë sipërfaqe të mëdha toke në fshatrat Shkozë, Sevaster e Karbonarë në Bashkinë Selenicë, dhe fshatrat Kutë, Çorrush, Anëbreg dhe Drizar në bashkinë Mallakastër.
Informimi i banorëve të këtyre zonave të cilat preken nga projekti përmes dëgjesave publike është një detyrim ligjor, që duhet të kryhet para hartimit të VNM-së.
Sipas VKM-së “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, ky proces përfshin jo vetëm informimin, por edhe marrjen e mendimit të publikut, shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim.
Përgjegjësinë për organizimin dhe kryerjen e dëgjesës publike e ka zhvilluesi i projektit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Njësia e Qeverisjes Vendore.

Raporti, i porositur nga kompania ‘Çinar San’, një prej fitueseve të koncesionit, dhe i përgatitur nga kompania e konsulencës e quajtur ‘GR Albania’, është firmosur nga 50 pjesëmarrës, ndërkohë që në të pasqyrohen dhe foto që ilustrojnë procesin e pyetje-përgjigjeve. Të njëjtat foto tregojnë se kjo dëgjesë është zhvilluar në ambientet e hotel “Fieri”, që ndodhet në qytetin e Fierit.
Vetë dokumenti saktëson vendin ku është ajo zhvilluar, teksa shton se “në këtë dëgjesë publike pati një pjesëmarrje shumë të lartë nga sfera të ndryshme të grupeve të interesuara”. Në të vërtetë, përveç faktit se dëgjesa publike është realizuar në një qytet që nuk preket aspak nga ndërtimi i HEC-it të Poçemit, asnjë prej pjesëmarrësve nuk është banor i këtyre zonave. BIRN verifikoi listën e pjesëmarrësve dhe rezulton se asnjë prej tyre nuk është banor i fshatrave: Shkozë, Sevaster, Karbonarë, Kutë, Çorrush, Anëbreg dhe Drizar.
Banorët e këtyre fshatrave e akuzojnë kompaninë turke dhe institucionet vendore se nuk i kanë ftuar në dëgjesën publike të mbajtur për hartimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ndonëse ata preken drejtpërdrejt nga ndërtimi i hidrocentralit.
“Përveç faktit që s’na ka njoftuar kush, toka jonë është vlerësuar me 10 cent për metër katror. Ne kemi tokën, ndërkohë që s’na pyesin fare, sikur të ishim një kope delesh, jo njerëz,” thotë Demir Murati, një banor i fshatit Kutë.
Po ashtu, edhe organizata mjedisore, hedhin akuza se nuk janë njoftuar për zhvillimin e dëgjesës, ndonëse VKM-ja e mësipërme, ngarkon aktorët përgjegjës për realizimin e konsultimit, të njoftojnë dhe të marrin mendim nga OJF të interesuara.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht informacion lidhur me VNM-në, proceset e konsultimit, projektin (jo teknik) etj. pranë institucioneve ligj-zbatuese si AKM dhe AKBN, por sistematikisht ky informacion na është mbajtur i fshehtë,” thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i organizatës mjedisore EcoAlbania.
Sipas Nikës në HEC-in e Poçemit problemi nuk qëndron vetëm te konsultimet me publikun por edhe në cilësinë e dobët të VNM-së.
“Ne kemi ftuar ekspertët shqiptarë dhe ndërkombëtarë të analizojnë raportin e VNM-së lidhur me HEC-in e Poçemit,” shpjegoi Nika.
“Nga analiza e tyre rezulton se VNM-ja nuk përmbush pothuajse asnjë kriter që duhet të përmbushë një raport VNM-je dhe se të paktën 60% e përmbajtjes së këtij raporti është “copy-paste” nga dokumente të tjerë që i referohen rajoneve gjeografike krejt të ndryshme nga ai i Poçemit,” shtoi Nika.
Edhe aktivisti mjedisor, Sazan Guri thotë se shoqëria civile nuk është ftuar të marrë pjesë në dëgjesën publike, ndonëse projekti paraqet një rëndësi tejet të lartë.
“Ne si pjesë e shoqërisë civile, të interesuar për hartimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, nuk jemi njoftuar aspak për këtë dëgjesë publike,” tha Guri.
Sipas Gurit projekti i hidrocentralit të Poçemit është i ndjeshëm sepse shumë banorëve do t’i përmbytet toka.
“Ndaj duhet që AKM-ja, njësitë e qeverisjes vendore, por edhe nga vetë investitori të kishin bërë një dëgjesë të rregullt publike,” tha ai. “Padyshim që në këtë rast kemi të bëjmë me hile,” shtoi ai.
Nuk janë vetëm organizatat e shoqërisë civile që shprehin se janë mbajtur në terr nga investitori dhe nuk janë ftuar në dëgjesën publike. Krerët e pushtetit vendor në bashkitë Mallakastër dhe Selenicë deklarojnë se nuk janë informuar.
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i kontaktuar nga BIRN thotë se nuk ka pasur asnjë informacion nga koncesionari dhe AKM-ja në lidhje me zhvillimin e dëgjesës publike.
“Sipas informacioneve shkresore është realizuar një dëgjesë publike në shkurt të vitit 2015. Në atë kohë unë kam qenë kryetar i një njësie vendore, por administrata paraardhëse nuk ka pasur asnjë njoftim në lidhje me këtë,” tha Kapllanaj, teksa shton se këtë deklaratë e bazon te mungesa e dokumenteve shkresore në arkivat e institucionit që ai drejton.
Edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Përparim Shameti thotë se banorët e zonës nuk janë njoftuar për të marrë pjesë në dëgjesën publike, pasi nuk kanë pasur informacion për zhvillimin e saj.
“Nga firma koncesionare dhe qeveria nuk kemi asnjë lloj informacioni. Ne jemi informuar vetëm nga shoqata mjedisore dhe s’kemi asnjë shkresë zyrtare,” tha Shameti.
“Më e keqja është se dëgjesa është falsifikuar sepse është bërë në Fier, që s’ka lidhje fare me zonat që preken nga ndërtimi i tij,” shtoi ai.
E kontaktuar nga BIRN në lidhje pretendimet e banorëve dhe kryebashkiakëve të Selenicës dhe Mallakastrës, në një përgjigje me shkrim Agjencia Kombëtare e Mjedisit, AKM, i tha BIRN se njoftimi për pjesëmarrje në konsultime publike është përgjegjësi e zhvilluesit.
“AKM ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore që i ngarkon VKM-ja duke udhëzuar ARM-në përkatëse, për çdo proces, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi,” tha drejtori i AKM-së Julian Beqiri.
“Lidhur me pretendimet e Z. Përparim Shameti, kryetar i Bashkisë Selenicë dhe Z. Agron Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, ju bëjmë me dije, se lajmërimi i njësisë së qeverisjes vendore, është përgjegjësi e zhvilluesit,” shtoi ai.
Agjencia Rajonale e Mjedisit në Fier, ARM, gjithashtu deklaroi se konsultimi kishte qenë sipas përcaktimeve ligjore.
“Konsultimi me publikun për HEC Poçem është realizuar sipas rregullave dhe në të kanë qenë pjesëmarrës dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit,” tha për BIRN drejtori i ARM në Fier, Edvin Bixhaj.
BIRN tentoi të kontaktojë me ‘Kovlu Energy’, por në numrin e depozituar nga kjo kompani në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, u përgjigj një notere, e cila shpjegoi se nuk ka lidhje të drejtpërdrejta.
“Unë thjesht kam bërë një kontratë noteriale për këtë kompani dhe sipas ligjit “Për noterinë” jam e detyruar që në krye të dokumentacionit të shënoj dhe numrin tim të telefonit. Nuk e di përse ky numër është regjistruar edhe në QKB, pasi jam shqetësuar edhe herë të tjera në emër të kompanisë që ju kërkoni”,-u shpreh noterja, e cila nuk pranoi të identifikohej.
Në tentativë për të marrë një përgjigje, BIRN verifikoi dhe adresën e zyrave të kësaj kompanie, në rrugën ‘Sami Frashëri’ në kryeqytet. Ajo nuk rezultoi e saktë, pasi pranë saj nuk kishte asnjë seli të ‘Kovlu Energy’. Gjithashtu, BIRN kontaktoi edhe me numrin celular, të depozituar në QBZ nga kompania ‘Çinar San’, por personi që u përgjigj në telefon tha se nuk ka asnjë lidhje me të.
Një kërkesë për koment dërguar me email zyrave qendrore të kompanisë “Çinar San” në Turqi gjithashtu nuk mori përgjigje. Kompani e konsulencës “GR Albania” gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN Albania në lidhje me konsultimet publike të mbajtura në lidhje me projektin e Poçemit.
Konsultime fiktive

Sipas Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës mjedisore ‘Eden Center,’ dëgjesat publike fiktive nuk janë një proces i panjohur në Shqipëri edhe për projekte të tjerë të rëndësishëm, si në rastin e hidrocentraleve të miratuar në lumin e Valbonës.
“Realizimi fiktiv i dëgjesave publike, ku rezultojnë të pranishëm tre të vdekur dhe një familje e emigruar në Amerikë prej kohësh, për këto investime është mohim i të drejtave të banorëve, shumë prej të cilëve përfaqësojnë njëkohësisht dy grupe interesi: banorë të zonës dhe bizneset e zonës,” tha Mahmutaj.
Shqetësimet e aktivistëve shqiptarë gjejnë jehonë dhe në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për progresin e vendit drejt BE-së.
“Vërehet me shqetësim mungesa e kapaciteteve për përforcimin e legjislacionit mjedisor; nënvizon nevojën për përmirësimin e cilësisë së raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, po ashtu për të siguruar pjesëmarrjen publike dhe konsultimin me shoqërinë civile për projektet përkatëse,” thuhet ndër të tjera në pikën 31 të rezolutës.
Duke i konsideruar shkeljet procedurale në rastin e Poçemit, serioze si dhe mbrojtjen e lumit nga ndërtimi i digave si shumë të rëndësishme, Eco Albania së bashku me organizatat, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania, si dhe 38 banorë të zonave të prekura paditën në dhjetor Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe kërkuan pavlefshmëri absolute të procedurave koncensionare, si dhe konstatimin si të paligjshëm të kontratës së lidhur me shoqërinë “Kovlu Energji” për HEC-in në Poçem.
Organizatat mjedisore dhe banorët thonë se institucionet shtetërore e kanë ndërtuar procedurën dhe kontratën koncensionare në mënyrë jotransparente.
EcoAlbania vlerëson se vetëm në fshatin e Kutës, 90 persona do të detyrohen të zhvendosen për shkak të hidrocentralit të Poçemit, ndërsa pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishtave do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it.
Demir Murati, njëri prej banorëve të fshatit Kutës që rrezikohet nga ngritja e rezervuarit të hidrocentralit, shprehet se ata janë të vendosur të përballën me çdo mjet për të ndaluar ndërtimin e tij.
“Kërkesa jonë është që Edi Rama të heqë dorë nga hidrocentrali i Poçemit sepse ne nuk do ta lejojmë të bëhet,” tha Murati.
“Jo unë, po i gjithë fshati janë të gatshëm të japin jetën,” përfundoi ai.