Opozita humbi afatin ligjor të regjistrimit për zgjedhjet parlamentare ndërsa shpalli se do të organizojë protestë në 7 maj në Kavajë me synimin për bllokimin e zgjedhjeve për kryebashkiak në këtë qytet.
Partia Demokratike dhe disa parti aleate të saj vendosën të humbasin afatin ligjor për regjistrim si subjekte garuese për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, duke bërë të qartë se kërcënimi i tyre për bojkot nuk është thjeshtë kërcënim.
Sipas kodit zgjedhor, partitë politike duhet të regjistrohen si subjekte zgjedhore jo më vonë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve, afat që skadoi të hënën. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 34 parti janë regjistruar deri tani, përfshirë partitë e mëdha parlamentare PS, LSI e PDIU, krahas partive të reja si Lista e Barabartë apo Sfida. Një listë e pjesshme e partive të regjistruara është publikuar në faqen e internetit të KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sinjale se është i gatshëm ta shkelë ligjin duke lejuar regjistrimin e subjekteve elektorale edhe më vonë, gjë që është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës në komision, të cilët kërkojnë të mos ketë shtyrje.
Kodi zgjedhor cakton gjithashtu që përfaqësimi në garën elektorale në koalicione mbyllet jo më afër se 60 ditë nga data e zgjedhjeve, gjë që do të thotë se partitë politike të regjistruara kanë kohë deri më 20 prill që të krijojnë koalicione.
Partia Demokratike dhe disa parti aleate të saj deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet e 18 qershorit dhe se zgjedhjet duhet të shtyhen me qëllim që të lihet kohë për të ndryshuar ligjin zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita kërkon gjithashtu rrëzimin e qeverisë aktuale dhe zëvendësimin e saj me një qeveri tjetër të quajtur “qeveri teknike” si garanci që zgjedhjet do të jenë të lira. Qeveria akuzon opozitën se ka bojkotuar jetën parlamentare në vend me qëllimin që të sabotojë procesin e reformës në drejtësi dhe vetingun e gjykatësve e prokurorëve. Qeveria e konsideron protestën e opozitës dhe kërkesat e saj në lidhje me zgjedhjet si alibi për të bllokuar reformën në drejtësi. Dy partitë parlamentare në qeveri, LSI dhe PDIU, megjithëse gjatë ditëve të fundit dhanë sinjale pakënaqësie ndaj Partisë Socialiste, janë regjistruar si subjekte garuese në zgjedhje ndërsa pritet data 20 prill për të parë nëse këto parti do të paraqiten në zgjedhje si koalicion apo më vete.
Protestë për bllokim zgjedhjesh
Përgjatë 25 viteve të fundit, afatet ligjore apo kushtetuese nuk kanë qenë gurë kilometrikë të palëvizshëm në rrugëtimin politik shqiptar dhe zakonisht marrëveshjet politike janë lënë për orën e fundit të ditës së fundit (ose pas afatit) të përcaktuar ligjërisht. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që maxhoranca dhe opozita të arrijnë një marrëveshje. Të dyja palët kanë deklaruar publikisht gjatë ditëve të fundit se janë të gatshme të takohen dhe se po presin njëra-tjetrën për takim, por takimi deri më sot nuk ka ndodhur.
Por në një lëvizje që duket se synon përshkallëzimin e situatës, kryetari i opozitës Lulzim Basha shpalli të hënën në protestën e vazhdueshme të njohur si “Çadra e Lirisë” se ai dhe aleatët do të organizojnë një protestë kombëtare në Kavajë më 7 maj, me synimin e bllokimit të zgjedhjeve.
Përveç zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, Shqipëria do të ketë zgjedhje të pjesshme më 7 maj në Bashkinë Kavajë, ku ish-kryebashkiaku Elvis Roshi humbi postin për shkak se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit problemet e tij me drejtësinë në Itali e Zvicër.
Synimi i Bashës “është mbajtja më datë 7 maj, në qytetin kaq simbolizues për demokracinë, për lirinë, në qytetin e Kavajës, të një proteste të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një lëvizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi”, deklaroi Basha të hënën.
Kërcënimi për të tentuar bllokimin e procesit zgjedhor me protesta është një kërcënim i ri për opozitën, e cila deri tani kishte kërcënuar me bojkotin e zgjedhjeve por jo me tentativë për të penguar procesin e votimit ditën e zgjedhjeve.
Në rast se bojktoi i opozitës më 18 qershor bëhet realitet, kjo do të jetë hera e parë që nga fillimi i politikës shumëpartiake në Shqipëri kur njëra palë nuk merr pjesë në zgjedhje.