Partia Demokratike shkeli Kodin Zgjedhor që ajo vetë ka miratuar duke propozuar 95 kandidatë nga 140, si dhe duke mos dorëzuar formularët e dekriminalizimit, një ligj tjetër i kërkuar me ngulm dhe i miratuar me kërkesën e saj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti ditën e dielë (28 Maj) të miratojë listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për shkak se kjo e fundit shkeli kriteret e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor dhe nga ligji “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit, duke mos dorëzuar formularët e vetëdeklarimit të të shkuarës penale të kandidatëve të paraqitur.
Në mbledhjen e së dielës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi “kthimin për plotësim brenda 24 orëve, të listës shumë-emërore të Partisë Demokratike.” Por nuk është e qartë nëse Partia Demokratike do ta plotësojë listën e saj si dhe do të dorëzojë formularët e vetëdeklarimit gjatë ditës së sotme (29 maj).
Gjatë 24 orëve të fundit, Partia Demokratike ka deklaruar se mbështetësit e saj që morën pjesë në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të shtunën, u paraqitën në spitale me shenja helmimi masiv, ndërsa janë ngritur dyshime se në sheshin e mitingut në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, një element kimik me origjinë të panjohur ka qenë shkaktari i helmimit masiv.
Partia Demokratike pranoi të hyjë në garën për zgjedhjet parlamentare të këtij viti më 17 maj, përmes një marrëveshjeje të kryetarit të saj Lulzim Basha me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Megjithëse afatet ligjore për regjistrimin e partive politike dhe listat e kandidatëve janë shkelur sakaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përbëhet nga të emëruar partiakë, pranoi që të regjistrojë Partinë Demokratike dhe disa parti të tjera opozitare me kushtin që këta të paraqisnin listat e kandidatëve për deputetë brenda ditës së premte më 26 maj.
Partia Demokratike dërgoi në KQZ vetëm 95 kandidatë në limitet e afatit kohor, ndërsa propozimet e saj nuk plotësojnë kriteret formale. Kodi Zgjedhor i miratuar në vitin 2008 nga marrëveshja politike Berisha-Rama, detyron çdo parti pjesëmarrëse në zgjedhje të garojë me minimalisht 140 kandidatë. Sido që është absurde t’i kërkosh njerëzve të kandidojnë në pozicione humbëse për zgjedhje, sërish partitë e mëdha ia kanë dalë në të shkuarën të plotësojnë listat me 140 kandidatë duke ofruar shpërblime alternative për pjesëmarrësit e pashpresë për t’u zgjedhor, ndërsa partitë e vogla janë detyruar të kandidojnë çfarë të munden.
Partia Demokratike është e para që nuk rezultoi në gjendje të gjejë 140 kandidatë, gjysma e të cilëve duhet të jenë formalisht në garë.
Sistemi zgjedhor aktual i krijuar në vitin 2008 fuqizoi në maksimum udhëheqësit e partive politike, të cilët, në mungesë të demokracisë së brendshme në partitë përkatëse, janë në gjendje të përcaktojnë vetë se cilët do të jenë deputetët e parlamentit të ardhshëm dhe cilët nuk do të jenë. Si në Partinë Socialiste ashtu edhe në Partinë Demokratike, listat e kandidatëve supozohet se hartohen vetëm nga kryetarët, ndërsa kritikët e mundshëm të kryetarëve e gjejnë veten në vendet jofituese të listës, ose të pakandiduar fare.
Partia Demokratike e shijoi këtë problem kur pa se së paku dy nga kandidatët e saj formalë në listat e këtyre zgjedhjeve shpallën tërheqjen, pasi jo shumë njerëz parapëlqejnë të kandidojnë thjeshtë për të humbur.