Bujar Daka nuk është larguar nga shtëpia megjithë lajmin në media se ishte shpallur në kërkim bashkë me të vëllanë, ndërsa mohon se ka lidhje me vrasjen e ish-komisarit.
Bujar Daka ndodhej në banesën e tij, në të cilën po kryente punime sot edhe pse media njoftoi gjatë ditës që ai ishte shpallur në kërkim nga policia bashkë me të vëllain. Vëmendja mediatike te vëllezërit Bujar dhe Florin Daka u kthye pas arrestimit të autorit të dyshuar për vrasjen e ish-oficerit të policisë Artan Cuku një ditë më parë.
Jozyrtarisht policia i tha BIRN se urdhër arresti për vëllezërit nuk kishte, por i ishte kërkuar policisë kufitare që të pengonte largimin e tyre nga Shqipëria nëse tentohej, deri në një moment të dytë.
Vëllezërit Daka pranojnë se kanë qenë në listën e personave të pyetur dhe verifikuar nga policia pas vrasjes së ish-oficerit të lartë, pasi vëllai i tyre Agim Daka humbi jetën në vitin 2005 në zyrën e ish-funksionarit të lartë të Policisë së Shtetit.
Por familja Daka thotë se ajo çështje ishte mbyllur përmes pajtimit. “Janë 4 telefona që na kanë bllokue, asht edhe kaseta që na kanë nal ata. Kaseta e pajtimit. Tash dy muaj, me pas desht i kishin verifikue ato telefona,” tha për BIRN Bujar Daka. Ai dhe prindërit e tij thanë se ndjehen të bezdisur nga rikthimi i vëmendjes ndaj tyre.
Të ulur në një divan në hyrje të banesës ku jetojnë me qira pranë stacionit të trenit në Shkodër, prindërit e dy vëllezërve hedhin poshtë akuzat për përfshirjen e tyre si porositës në vrasjen e ish-oficerit të lartë Cuku. “Policia të kapi autorin jo t’merret me mua. Jan kanë 24 persona të atyne plus 24 tonët që jena ulë e jena pajtu. I kena pas me kamera,” tha Prel Daka babai i vëllezërve, ndërsa shtoi se po shqetësohet padrejtësisht nga policia dhe media.
Policia dhe prokuroria njoftuan të dielën arrestimin e Mikel Shallarit të cilin e akuzojnë për ekzekutimin e ish-komisarit, ndërsa në komunikimin zyrtar për shtyp thanë se po hetonin për të zbardhur motivet dhe ideuesit e krimit. “Ne aktualisht dimë që dora që ka tërhequr këmbzën, është e Mikel Shallarit. A është njëkohësisht edhe ideatori i këtij krimi? Këtë nuk mund ta themi dot,” tha prokurori i Krimeve të Rënda Enrik Ligori pas arrestimit të Shallarit.
Burime nga policia i thanë BIRN se nuk kishte urdhër arresti për dy vëllezërit, ndërsa po verifikohet mundësia e një kontakti mes dy vëllezërve Daka dhe Shallarit. Policia dyshon se Mikel Shallari i arrestuar si autor i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut dhe Florin Daka janë njohur në Zvicër .
Ish-oficeri i lartë i policisë, komisar Artan Cuku i vra në mbremjen e 8 prillit në Tiranë në hyrje të banesës së tij në rrugën e “Kosovarëve.” Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako dhe prokurori i Krimeve të Rënda Enrik Ligori njoftuan të dielën në një konferencë të përbashkët për shtyp arrestimin e autorit të dyshuar për vrasjen.