Pa hyrë mirë në Kavajë, në rrugën prej krahut nga qyteti lidhet me Rrogozhinën, Beni që shet materiale ndërtimi buzë rruge na tha se kishte lidhje gjaku me ish-kryebashkiakun Elvis Rroshin. “E kom timin”, thotë burri ulur në një prej blloqeve që ka nxjerrë të shesë. Por pas dy minutash bisedë, kur mendonim se e dinim nga anonte, ai na lë të kuptojmë se zgjedhjet në Kavajë ishin më të komplikuara.
“Të gjithë këtu jemi të lidhur, me farefisni e krushqi. Jemi të lidhur si rrojët e gromit”, thotë ai ndërsa sqaron se banorët mund t’ua premtonin votën të gjithëve për shkak të këtyre lidhjeve. “Vetëm kur ta hudhin, e merr vesh për kë kanë votuar”, thotë ai duke bërë me gishtashenjën e futjes së votës në kuti.
Në Kavajë, në të cilën votohet veç zgjedhjeve të përgjithshme edhe për një gjysmë-mandati të kryetarit të bashkisë (dy vitet e mbetura) pas shkarkimit prej ligjit të dekriminalizmit të Elvis Rroshit, ka më shumë ngjyra fushate se në qytetet e tjera të vendit. Makina me flamuj partish, reklama të mëdha në pallatet e qytetit, të rinj që shpërndajnë fletushka rrugëve dhe burra me byzylykë llastiku me ngjyra; lejla, blu dhe të kuqe.
Pas marrëveshjes së Ramës me kreun e opozitës Lulzim Basha zgjedhjet lokale në Kavajës, pasi ishin anuluar ato të 7 majit të cilat opozita i bojkotoi, u vendosën në të njëjtën ditë me ato politike dhe mbahen të dielën. PS e ndërroi kandidatin lokal duke vendosur në vend të Klodian Shehit, nënkryetar i bashkisë, Dorian Muratin po ashtu një drejtues lokal. PD garon me Isa Sakja, kreu i demokratëve të qytetit, ndërsa në garë në këto zgjedhjet lokale u fut edhe LSI, pas daljes nga koalicioni me PS, me arkitektin Maksim Kona.
Në zgjedhjet e përgjithshme Kavaja ka rreth 26 mijë vota, 5.6 për qind, e rreth 460 mijë apo më shumë që hidhen në qarkun e Tiranës me 34 deputetë. Megjithatë votat e saj mund të jenë të rëndësishme për të përcaktuar të paktën një deputet.
Fushata ka qenë e qetë edhe pse palët pranojnë se sherre me të shara ka pasur. “Ja e shef kjo është ajo që duhet”, thotë një i ri ulur në një kafe në cep të një rrugice pranë qendrës, pasi është përshëndetur edhe pse ftohtë me dy të tjerë. “Unë që mbështes PS, ai që mbështet PD-në dhe ai tjetri është me LSI”, sqaron ai edhe pse kjo ishte e dukshme nga byzylykët që ata mbanin.
“Është më e mirë si fushatë”, thotë Ervin Bakli, një i ri të cilin e takuam në zyrat elektorale të PD-së. Edhe socialistët janë të kënaqur. “Fushata ndryshon me të tjerat si nata me ditën”, i tha BIRN Qani Dobjani që punon në zyrën elektorale të kësaj force në Lagjen 4. Te LSI i riu që drejton zyrën, por që tha se nuk kishte autorizim për të folur, thotë se grindjet kanë qenë vetëm mes PD dhe PS.
Pro dhe kundër Rroshit
Kavaja ka një histori të ndryshimit radikal të votës. Një bastion i PD-së prej vitit 1991, ku Sali Berisha si deputet i saj në mazhoritar fitonte me rezultate spektakolare, në 2011 kavajasit votuan për kandidatin e PS-së Elvis Rroshin në krye të bashkisë. Një i ri, me të shkuar të panjohur, i cili për herë të parë u pa në skenën e madhe politike në krah të Edi Ramës në selinë e Partisë Socialiste pas fitores me disa qindra vota ndaj Refik Rrugesë. PD ruajti sidoqoftë dominimin politik në qytet duke fituar me shumicë dërrmuese Këshillin Bashkiak.
“Refikut ja vodhën votat të vetët. Iu shitën komisionerët”, thotë Mustafai që shet pjesë për celularë në një dyqan vetëm pak hapa prej bashkisë. As ai dhe as shumë demokratë të tjerë të qytetit nuk e përtypën mirë humbjen. Socialistët nga ana tjetër siç na thotë Dobjani besojnë se pas shumë vitesh numërimi i votave u bë si duhej. “PS nuk ia numëronin votat në Kavajë”, thotë ai.
Por dy vjet më pas, në 2013 në Kavajën që qeverisej tani lokalisht nga Rroshi PD humbi për herë të parë thellë zgjedhjet politike. Socialistët me gjasë as e kishin ëndërruar atë rezultat. Ndërkohë megjithëse u identifikua si person me të shkuar problematike, dhe rezultoi i dënuar të paktën një herë në Itali, Rroshi nuk e pati të vështirë të përmirësonte fitoren e tij në Kavajë në 2015. Një vit më vonë, pasi kishte dhënë një herë dorëheqjen dhe e pati anuluar këtë, në dhjetor 2016 atij iu hoq mandati nga KQZ për shkak të ligjit të dekriminalizimit, histori që u mbyll me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në fillim të marsit të këtij viti.
[fact title=”Shtyrja e zgjedhjeve të Kavajës”]Pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese në mars të këtij viti rrëzoi ankimin e ish-kryebashkiakut Ervis Rroshi kundër urdhrit të shkarkimit të firmosur prej kryeministrit dhe vendimin e KQZ që i hiqte atij mandatit e kryebashkiakut, presidenti shpalli pas kësaj zgjedhje të reja në Kavajë që duhej të mbaheshin në 7 maj. Zgjedhjet u bojkotuan nga opozita, që njoftoi se do të zhvillonte një protestë masive me njerëz nga gjithë Shqipëria në Kavajë atë të dielë. Kryeministri Edi Rama tërhoqi më 5 maj kandidatin Klodian Shehi. Rama tha se tërheqja bëhej për të shmangur problemet, ndërsa duket se ajoi shërbeu edhe hapjes së mundësisë për negociata mes palëve. Pas marrëveshjes për zgjedhjet e përgjithshme u vendos që edhe ato të pjesshme lokale të mbaheshin në Kavajë në të njëjtën kohë. [/fact]
Shkarkimi i tij e bën Kavajën të duket sërish e arritshme për PD. “Sondazhet janë 73 për qind për PD”, thotë Ervin Bakli, që po punon për të ndihmuar zgjedhjen e Isa Sakjas. “Premtimet nuk i mbajtën. Kanë mbjellë palma, por qyteti ka vetëm një orë ujë në ditë”, thotë ai. Në zyrën elektorale të PS-së ndërkohë janë optimistë për Muratin. “Jemi, të paktën, 2 mijë vota para”, thotë Dobjani që ndryshe nga shumë kavajas ka votuar PS-në edhe kur kjo ishte forcë mjaft e vogël në qytet. Asnjë nga simpatizantët e dy forcave kryesore nuk sheh ndonjë rrezik nga LSI këtu, edhe pse kjo e fundit siç na thonë në zyrat e saj, pretendon të rritet me dyfish krahasimisht me votat e marra në këshillin bashkiak në 2015.
Por ndërsa Rroshi zyrtarisht nuk është kandidati i PS-së në qytet, ai është shumë aktiv në fushatën e Dorian Muratit. Thuajse në të gjitha kronikat e fushatës elektorale të kandidatit të PS për bashkinë e Kavajës që ka shpërndarë në Facebook televizioni lokal “TV6 Kavaja”, ish-kryebashkiaku shfaqet të prijë grupin që bën fushatë. Rroshi po ashtu është personi që u përgjigjet pjesës më të madhe pyetjeve në takimet me banorët për shqetësimet që kanë të bëjnë me bashkinë.
Në zyrën elektorale të PS-së nuk e fshehin që ish-kryebashkiaku drejton fushatën dhe se kandidati i PS-së aty është pasues i Rroshit i zgjedhur prej tij. “Akuzat për Rroshin nuk kanë baza”, thotë Dobjani, ndërsa shton se Kavaja do votojë “Ekipin që ai (Rroshi) e ka zgjedh”. Ai thotë se kryebashkiaku i ka ndryshuar fytyrën qytetit dhe se njerëzit e votojnë sepse është njeri i punës dhe “të gjithë ata si çuna janë punëtorë dhe e dinë çfarë i duhet qytetit”.
Përndryshe në PD e shohin ish-kryebashkiakun, që u ndëshkua për shkak të ligjit të dekriminalizimit, si faktor që mund të ndihmojë rikthimin e saj në forcë të parë aty. “Rroshi ka blloku të gjithë biznesin e ndërtimit në Kavajë. Kavaja kishte 7 firma ndërtimi tani asnjëra nuk punon”, thotë Bakli që e akuzon ish-kryebashkiakun për klientelizëm. Edhe shitësi i pjesëve për celularë Mustafai beson se qyteti është mërzitur me Rroshin. “Vetëm 300 metra rrugë ka bërë, të tjerat i kishte bërë Refiku (Refik Rrugeja, kryebashkiak për dy mandate i PD-së në qytet që humbi përballë Rroshit në 2011)”, thotë ai.
Por një i ri që mbështet socialistët dhe që pranon se e ka ndryshuar votën në 2011 pasi më herët votonte PD-në thotë se ish-kryebashkiaku i ndryshoi fytyrën qytetit. “Vinte ndonjë nga Tirana dhe kishim turp me e çu në pazar”, thotë ai për të treguar sa keq kishte qenë infrastruktura. Por ai thotë se vota për Rroshin në fillim kishte qenë vetëm për të ndëshkuar PD. “Ai ishte çun i joni, rrinte në Kavajë…. këta të PD-së jetonin në Tiranë dhe donin votat”.
Po ashtu Kujtim Shtini, që kishte votuar më herët historikisht PD, thotë se punët komunale të Rroshit ia kishin ndryshuar votën. “Ja këtu vinin ujërat e zeza e të bardha dhe më binin në oborrin e shtëpisë”, thotë ai ndërsa shpjegon se kanalizimet e shpëtuan nga ky hall. “Kavaja ka qenë Kandahar”, thotë duke iu referuar qytetit të dytë më të madh të Afganistanit, të cilin me gjasë e asocion me shkatërrimin.
Ervin Bakli dhe një burrë tjetër që na bën shoqëri gjatë bisedës në zyrën elektorale të PD-së nuk sheh përmirësim të jetës në qytet. “Të gjithë janë pa punë… Shumë njerëzve u kanë heq asistencën”, thotë ai. Bakli është i bindur se Rroshi i ka marrë votat në qytet për shkak se ka bërë fushatë me të inkriminuar. Ai thotë se qyteti nuk e do më Rroshin dhe as Gentian Dajën, kreu i PS-së lokale, “Janë bo të padurueshëm”.
Një votues i përhershëm i PD-së Mustafai mendon se socialistët mund të blejnë vota edhe në këto zgjedhje. “Ata kanë pare”, thotë ai ndërsa shton se ka dëgjuar se votat bliheshin netëve dhe kryesisht në fshatra. Megjithatë ai është i bindur se njerëzit nuk do ta shesin dhe se në qytet e fshat ndjehet fryma e ndryshimit.
Në zyrat elektorale të PS blerja e votës mohohet. “Na kanë thënë që edhe po erdhi njeri me kërku lekë për vota, t’i themi që nuk e duam atë votë”, thotë Qani Dobjani. Përndryshe nga aktivistët e PD-së që janë vetëm pak metra larg zyrës së tij ai beson se ndryshimi në Kavajë është i madh. “Në 24 vjet në Kavajë nuk u bo asgjë. Vetëm dy gishtat në mes të Kavajës morëm. Këtu s’ka pas asgjë. S’ka pas një ndërmarrje. Tani vetëm në rrobaqepësi punojnë 1500 veta”, thotë burri dhe pastaj thotë se po të duam na shoqëron lagje për lagje për të na treguar se sa kishte ndryshuar qyteti pas zgjedhjes së Rroshit kryebashkiak. “Këto fjalë na dalin nga zemra”, thotë ai.
Tek LSI ku po bëheshin gati për mitingun mbyllës në prani të Ilir Metës mendojnë se që të dy partitë e mëdha u janë mërzitur njerëzve dhe se kandidati i tyre, për më shumë arkitekt do të jetë kryebashkiak. “Ke për ta parë sa njerëz do të ketë në miting”, na thonë. Ata shpresojnë edhe se përplasja mes dy të mëdhenjve do i favorizojë edhe pse Kavaja nuk ka qenë ndonjë pikë e fortë për ta.