
Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës u dënua me 4 vjet burg për “falsifikim dhe pengim të hetimeve”, por dënimi është konvertuar në shërbim prove. Gjika ndalohet të marrë funskione publike për tre vjet. Bashkë me të u dënuan edhe dy të akuzuarit e të tjerë, Haxhi dhe Mersini, ndërsa u shpall e pafajshme ish-drejtoresha e urbanistikës Doriana Behari (Sulaj). Gjika: Në këtë vend nuk ka drejtësi

Ish-kryebashkiaku i Vlorës shpëtim Gjika u dënua me katër vjet burg për dy nga katër akuzat që prokuroria kishte ngritur për të. Shpëtim Gjika u shpall fajtor për “falsifikim të dokumenteve” dhe për “pengim të hetimeve”, ndërsa po ashtu u dënuan biznesmenin e ndërtimit Artur Haxhi me 3 vjet burg për “falsifikim”dhe Ridvan Mersinin me 1 vit po për këtë vepër penale.
Doriana Behari (Sulaj), ish-shefe e urbanistikës u shpall e pafajshme për të gjitha akuzat. Gjykata megjithatë vendosi që ta konvertonte burgun në dënim me kusht për të tre të dënuarit, kështu në përfundim Gjika u dënua me 2 vjet “shërbim prove” dhe tre vjet ndalim për marrje postesh publike. Haxhi u dënua përfundimisht me tre vjet shërbim prove, ndërsa Mersinaj me 2 vjet. Gjykata vendosi të vijojë sekuestron preventive mbi dy pallatet e ndërtuara mbi Sheshin e Flamurit.
Gjika, bashkëpunëtorja e tij Behari, ish-drejtoreshë në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, biznesmeni Haxhi dhe Ridvan Mersini u ndaluan nga prokuroria në shkurt të 2015, por më pas u hetuan dhe u gjykuan në gjendje të lirë.
Më 29 qershor, Prokuroria e Vlorës kërkoi shpalljen fajtor të Gjikës dhe dënimin e tij me 9 vjet burg për akuzat e “falsifikimit të dokumentave” të një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës (KRRT); “shpërdorimit të detyrës”; “ndërtim të paligjshëm”; dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Mbrojtja, që u lexua më 20 korrik, kërkoi pafajësi për të gjitha akuzat. Ndërkohë gjykata ka rrëzuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “ndërtimit të paligjshëm”, ndërsa e ka dënuar ish-kryebashkiakun për dy akuzat e tjera. Gjykata dha katër vite burg për “falsifikim të dokumenteve” dhe 1 vit për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Në përfundim Gjika u dënua me 4 vjet burg, të cilat iu konvertuan në dy vite shërbim prove dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.
Pavarësisht vendimit të gjykatës së shkallës së parë ne Gjykatën e Rrethit Gjykqësor në Vlorë, vendimi pritet te apelohet. Gjika ka dalë nga gjykata duke refuzuar të flasi për mediat, ai shoqërohej nga vëllai, familjarë dhe ish kreu i INUV, Besnik Karabolli. Pasi la sallën ku u mbajt seanca përfundimtare, Gjika tha me zë të lart se: ” Në këtë vend nuk ka drejtësi.”
Prokuroria kërkoi gjithashtu 6 vjet burg për ish-vartësen e Gjikës, Doriana Behari (Sulaj), por mbrojtja e kësaj të fundit këmbënguli në pafajësi bazuar në faktin se në kohën e dhënies së lejes për të cilën nisën hetimet e akuzuar nuk punonte në Bashkinë e Vlorës. Gjykata e shpalli atë të pafajshme, pasi Behari këmbënguli që nuk kishte punuar në bashki në kohën kur është dhënë leja.
Biznesmeni Haxhi për të cilin prokuroria kërkoi 6 vite burg për akuzat “falsifikim të dokumentave”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim të paligjshëm” dhe “mashtrim”, është dënuar 3 vjet burg vetëm për “falsifikim të dokumenteve më shumë se njëherë” të cilat gjykata ia ka konvertuar në tre vite shërbim prove . Ndërsa Ridvan Mersini që pretendon pronësinë mbi tokën ku u ndërtuan pallatet dhe ishte në akuzë për “pastrim produktesh të veprës penale” dhe “falsifikim të dokumenteve”, është dënuar vetëm për këtë të fundit me 1 vit burg të konvertuar në 2 vjet shërbim prove.
Prokuroria kërkoi konfiskim të dy pallateve 11 katësh të ndërtuar pranë Sheshit të Flamurit, që janë në sekuestro preventive që prej fillimit të çështjes dhe gjykata ka vendosur t’i mbajë ato nën sekuestro deri se të ketë një vendim të formës së prerë.
Përballja e ish-kryebashkiakut me drejtësinë filloi në tetor të vitit 2013, kur ai u mor për herë të parë i pandehur së bashku me disa funksionarë të bashkisë dhe persona të tjerë, për falsifikim dokumentash të një mbledhjeje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës.
Për dosjen e parë, e cila u gjykua në Tiranë, Gjika fitoi pafajësinë në të dy shkallët e gjyqësorit, por prokuroria bëri rekurs të çështjes në Gjykatën e Lartë. Në rekurs, akuza sulmon vendimet e dy shkallëve më të ulëta dhe pretendon se “në bazë të provave të vlefshme, të përdorshme dhe të pakontestueshme, u provua që përmbajtja e dy procesverbaleve të mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Vlorë dhe e vendimeve përkatëse të nënshkruara nga i gjykuari Gjika, është e falsifikuar dhe se këto akte të falsifikuara janë përdorur para organeve shtetërore nga ana e të gjykuarve të tjerë në proces”. Sipas rekursit, Gjika dhe personat e tjerë duhej të ishin deklaruar fajtorë nga ana e gjykatës. Çështja ende nuk është marrë në shqyrtim prej Gjykatës së Lartë prej qershorit të vitit 2015, kur rekursi u regjistrua.
Gjika i pati cilësuar akuzat që u ngritën për të në vitin 2013 dhe të tjera në 2015 si politike. Atëherë u fol për një përplasje mes tij dhe eksponentëve të tjerë në PS, përfshi edhe kryeministrin Edi Rama.
“Ne duam ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar dhe të provojë se s’ka të bëjë me akuzat. Por ne nuk do bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari as sot, as kurrë,” tha Rama pas njoftimit publik të akuzave të para ndaj ish-kryebashkiakut në vitin 2013.
Marrëdhënia e Gjikës me Partinë Socialiste mbeti e tensionuar edhe në nivel lokal. Pasardhësi i tij në krye të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e akuzoi atë se e kishte lënë Vlorën në mëshirë të fatit dhe me ndërtime “jashtë çdo rregulli urbanistik”.
Ish-kryebashkiaku shkëmbeu po ashtu akuza publike edhe me ish-deputetin e PS-së për Vlorën Koço Kokëdhima. Largimi i këtij të fundit nga PS, pas humbjes së mandatit në Gjykatën Kushtetuese, duket se ndryshoi situatën dhe Gjika u rishfaq në krah të Ramës në fushatën e fundit elektorale në Selenicë.