Dyshja serbe e muzikës electronic dance Tapan i ka shndërruar përshtypjet e jetesës së tyre në Beograd në kulmin e krizës së refugjatëve në Ballkan në një regjistrim të ri muzikor të fuqishëm.
Kur një krizë globale mbërriti në qytet, ishte e pashmangshme që ajo do të shkaktonte një reagim kulturor dhe politik.
Ajo që mund të jetë dukur si më pak e mundshme ishte se kjo do të vinte nga sektori më i shkujdesur dhe hedonistik i kulturës, muzika electronic dance.
Por kjo do të ishte të hidhje poshtë rrënjët e skenës muzikore bashkëkohore dance të Beogradit në kundërkulturën politikisht progresive të qytetit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000 – vitet e trazuara që ushtruan një ndikim të vazhdueshëm tek pjesëmarrës si Nebojsa Schwabe Bogdanoviç dhe Goran Simonoski, të cilët përbëjnë dyshen Tapan.
Publikimi i fundit i Tapan, një muzikë që të fikson dhe ndjellëse e quajtur Europa, dhe albumi i tyre debutues, i cili mban të njëjtin emër dhe do të dalë në treg muajin e ardhshëm, u frymëzua nga periudha kur kryeqyteti serb papritmas u bë një qendër në rrugën ballkanike nga Lindja e Mesme drejt Bashkimit Europian.
Në vitin 2015, autoritetet e Beogradit vlerësojnë se rreth 600,000 refugjatë dhe emigrantë kanë kaluar përmes vendit gjatë rrugës së tyre drejt atyre që ata mendonin se do të ishin jetë më të mira në BE. Ky fluks i papritur dhe i paprecedent të huash nga Lindja erdhi si një goditje e madhe dhe e papritur për ndërgjegjen e qytetit.
“Në fillim s’më fliste askush. Shkoja çdo javë në një vend pranë stacionit të trenit dhe pashë shumë njerëz atje. Po mendoja me vete se kush ishin këta njerëz, çfarë bënin ata atje? Mendova se ndoshta ishte prishur ndonjë autobus,” kujton Bogdanoviç.
“Pastaj shikon se si po jetojnë këta njerëz. Flenë jashtë, jetojnë nëpër tenda, me shumë fëmijë… Është e vështirë ta injorosh dhe sigurisht që kjo i prek të gjithë. Disa njerëz i kishin frikë ata, këta të huaj në qytet. Ata s’e dinë se kush janë dhe s’i duan këtu. Por njerëz të tjerë filluan të organizoheshin për të bërë diçka për t’i ndihmuar, duke u sjellë atyre ushqim dhe veshje,” thotë ai.
Kryeqyteti serb e veçoi veten me reagimin e tij të ngrohtë humanitar ndaj fluksit të refugjatëve – sidomos nismat joqeveritare që ndikuan në ndjeshmërinë e banorëve të Beogradit për të sapoardhurit.
“Mendoj se është normale, kur shikon njerëz që janë të uritur, që s’kanë ku të flenë, që kanë fëmijë të vegjël, të reagosh ndaj kësaj. Unë do të preferoja ta mendoj këtë si një reagim normal njerëzor,” thotë Bogdanoviç.
Me efektet e saj të bririt, elektronikën gjithëpërfshirëse, perkusionin kërcitës dhe tingujt e saksofonit, Europa është një muzikë e fuqishme dhe impresioniste.
Ndjesia e saj e parashikimit kap gjithashtu atë që Bogdanoviç thotë se ishte një atmosferë “e errët dhe e zymtë” në qendër të Beogradit kur disa emigrantë po jetonin në kushte të ndyra dhe pothuajse mesjetare në ndërtesa të braktisura pas stacionit hekurudhor qendror, pa kanalizime apo ngrohje kur temperaturat ranë nën zero.
“Kufijtë janë mbyllur dhe ata s’shkojnë dot më tej në Hungari apo Kroaci, sepse askush s’i do ata dhe ata kanë ngecur në Serbi. Njerëzit po ngrijnë në të ftohtin e dimrit. Ata s’kanë një vend ku të jetojnë pasi erdhën këtu për t’iu larguar të gjithë atij rreziku dhe çmendurie dhe të gjejnë pak siguri,” risjell në mendje Simonoski.
“E gjithë kjo pati një ndikim të fortë tek albumi. Mund ta dëgjosh si një udhëtim të plotë, nga Siria në Europë. Gjithçka është atje. Frika, shpresa, e gjithë historia,” shton ai.
Muzikantë rroku si PJ Harvey, Maximo Park dhe madje edhe Coldplay janë përpjekur gjithashtu të trajtojnë krizën e refugjatëve në këngët e tyre gjatë viteve të fundit. Një muzikante britanike, Nadine Shah, tha për gazetën The Guardian: “Çdo ditë kishte gjithnjë e më shumë histori dhe imazhe pikëlluese dhe ishte e pamundur të shkruaje për ndonjë gjë tjetër.”
Por muzika elektronike s’njihet për trajtimin e çështjeve sociale, siç e pranon edhe Simonoski.
“Patëm një koment për Europa dhe një djalë tha: ‘Kjo është një muzikë vërtet shumë e bukur dhe do të më pëlqente shumë ta kërceja, por kur lexova historinë tënde për atë që ajo përfaqëson, u trishtova dhe tani s’funksionon më si muzikë kërcimi për mua,” thotë ai.
“Por ne donim të përcillnim një mesazh. Kriza e refugjatëve po ndikonte vërtet në jetët tona kur ne realizuam këto muzika dhe kishim nevojë të thoshim diçka,” shton ai.
Simonovski më parë ishte anëtar i Belgradeyard Sound System, që kishte një program radiofonik eklektik në stacionin e famshëm, por tashmë të mbyllur, Radio B92, ku luanin muzikë post-pank, xhaz avangardë dhe tinguj elektronikë. Ai ka regjistruar gjithashtu një pjesë muzike dance të titulluar “Piece of Shh”.
Nën psuedonimin Schwabe, Bogdanoviç ka qenë për shumë kohë dixhej në festat Disco Not Disco në 20/44, klubi i vogël pluskues në lumin Sava pranë Urës së Brankos, që është shndërruar në strehë për format më kreative të muzikës electronic dance.
“Anija është e vogël, mban rreth 100-150 njerëz, por kemi pasur mundësinë të krijojmë një lloj komuniteti njerëzish. Është speciale,” thotë Bogdanoviç.
“Beogradi tani njihet si një vend ku dixhejtë dëshirojnë të luajnë dhe jo pr paratë, por sepse njerëzit duan të vijnë këtu. Kjo është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë, që mund t’i realizojmë gjërat në një mënyrë të mirë këtu,” shton ai.
Muzika e Tapan i ka rrënjët në atë klub progresiv, por nuk është i lidhur me doktrinat e tij.
“Ideja jonë ishte gjithmonë të sjellim këtu disa nga njerëzit që luajnë muzikë, por që s’janë në skenën e muzikës dance – një kitarist, një saksofonist, një perkusionist – dhe albumi s’është ritmi klasik 4/4 siç dëgjoni nëpër klube,” thotë Bogdanoviç.
“Por ai ka endë basin masiv, që është karakteristikë për muzikën tonë,” shton Simonoski. “Dhe një mesazh që ne mendojmë se duhet të dëgjohet.”
Ky artikull u publikua në gazetën e përdyjavshme të BIRN Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni një kopje.