Pas kapjes së një sasie rekord kokaine kolumbiane, ambasadorët e SHBA dhe BE lavdëruan policinë, ndërsa të tjerë ngritën pyetje se sa thellë realisht shkoi policia në këtë hetim dhe nëse “pronarët e vërtetë” të sasisë me “vlerë 180 milionë euro” janë identifikuar apo jo.
E mërkura ishte një ditë e mirë për policinë shqiptare, pas skandaleve të përsëritura gjatë vitit të kaluar kur oficerë të nivelit të lartë të policisë u gjetën me lidhje të ngushta me trafikun e lëndëve narkotike.
Një hetim policor dhe doganor u finalizua të mërkurën me kapjen e një sasie rekord kokaine kolumbiane. Gjithsesi, ndërsa policia mori lavdërime të merituara për operacionin, kapja e kësaj sasie kaq të madhe droge ngriti disa pyetje nëse ky është një shenjë e suksesit të policisë apo është tregues se sa masiv është biznesi i trafikut të drogës në Shqipëri.
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri Donald Lu dhe Delegacioni i BE-së ofruan fjalë të mira për policinë dhe lavde për kapjen e 613 kilogramëve kokainë të gjetura në një konteiner me banane.
Kryeministri Edi Rama e përshëndeti operacionin si një sukses të madh të policisë. Por jo të gjithë janë të bindur se gjërat janë siç duhej të ishin.
Operacioni, për të cilin policia tha se “u krye pa ndihmë nga jashtë”, përfundoi me arrestimin e dy 25 vjeçarëve, ndërsa një i dyshuar i tretë, një biznesmen, është aktualisht në kërkim. Njëri nga të arrestuarit deklaroi në gjykatë se ai është thjeshtë shoferi i kompanisë spedicionere që mori përsipër transportimin e konteinerit nga porti për te magazinat e kompanisë pritëse dhe për rrjedhojë, është i pafajshëm.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Administrata Anti-Drogë e Shteteve të Bashkuara (DEA) përgëzojnë Policinë Shqiptare të Shtetit, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe zyrtarët e Doganës për kapjen e 614 kilogramë kokainë kolumbiane dje në Durrës,” Ambasada shkroi në faqen e vet në Facebook.
“Është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje”, vijon deklarata.
Delegacioni i BE-së në Tiranë pasoi me një deklaratë tjetër. “Ju lumtë dhe vazhdoni kështu me luftën kundër krimit të organizuar,” shkruhet në deklaratë.
Gjithsesi, opozita nuk është e bindur se kapja e drogës përfaqëson një histori të vërtetë suksesi në vend.
Kreu Partisë Demokratike Lulzim Basha pretendoi se kapja e një sasie të tillë të madhe tregon thjeshtë se sa masiv është problemi i trafikut të drogës në vend.
“Kjo është vetëm një ngarkesë,” komentoi Basha të mërkurën. “Kjo tregon se si ekonomia po kapet nga paratë e drogës,” shtoi ai.
Pyetje janë gritur edhe mbi atë se pse policia arrestoi vetëm dy të dyshuar në lidhje me këtë ngarkesë dhe nëse i dyshuari kryesor, Arbër Çekaj, i cili drejton një kompani të vogël frutash dhe zarzavatesh, është pronari i vërtetë i ngarkesës. Spekulimet janë të shumta se persona të tjerë duhet të jenë të lidhur me të.
Vlera e stërmadhe e kokainës së kapur shikohet gjithashtu si një tregues.
Blerja e 613 kilogramëve kokainë të pastër nga Amerika Latine kërkon miliona e ndoshta dhjetëramilionë euro. Dhe nëse një rrjet trafikimi lëndësh narkotike është në gjendje të rrezikojë sasi të tilla të mëdha në një ngarkesë të vetme, kjo tregon se sa të fuqishme janë këto grupe kriminale.
Opozita pretendon se qeveria e qendrës së majtë ka drejtuar vetë transformimin e Shqipërisë në një qendër Europiane për trafikun e drogës dhe argumenton se të ardhurat nga droga u përdorën për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve vitin e kaluar, të cilat Socialistët e Ramës i fituan.
Gjithsesi, nuk është vetëm opozita që sheh sasi të mëdha parash droge në vend.
Monedha shqiptare, leku, është forcuar me 5.7 për qind përgjatë dy viteve të fundit – dhe disa bankierë e gazetarë besojnë se valuta e fortë e fituar nga trafiku i drogës është një prej arsyeve të forcimit të lekut.
Këto spekulime janë ngritur bashkë me pyetjet se me çfarë parash dhe nga se po vijnë paratë që po paguajnë një bum të papritur ndërtimi në Tiranë.
Autoritetet kanë dhënë rreth 500 leje ndërtimi vitin e kaluar, të cilat do të sjellin ndërtimin e mbi 500 mijë metrave katrorë apartamente të reja.
Sipas Institutit të Statistikave, ky bum ndërtimesh do të kërkojë investime prej 37 miliardë lekësh, rreth 280 milionë euro- një shumë e stërmadhe për një vend të vogël dhe të varfër.
INSTAT e ka vlerësuar koston e investimit duke shumëzuar volimin e punës në metra katrorë me koston referencë të ndërtimit, e cila është rreth 200 euro për metër katror.
Por ndërtuesit presin t’i shesin këto apartamente për së paku 1 mijë euro për metër, dhe shumë vrasin mendjen se nga do të vijnë këto miliarda euro.
Monitor, një revistë e përjavshme e specializuar në raportim ekonomik, ka treguar se shumë nga kompanitë që kanë marrë leje ndërtimi për kulla në pjesët më të çmuara të Tiranës, nuk kanë asete të mjaftueshme të raportuara në bilancet e tyre për të financuar projekte të tilla të stërmëdha – ndërsa kredia e dhënë nga bankat nuk ka shënuar ndonjë rritje për të sugjeruar financim të ndërtimit me kredi.
Duke reflektuar mbi këto të dhëna, Basha pretendoi të mërkurën se vendi po kthehet në një lavatriçe të stërmadhe për pastrimin e parave.
“Si po financohet një bum i tillë ndërtimi?” pyeti Basha. “Bashkia e Tiranës po transformohet në lavatriçe të parave të drogës dhe krimit,” u përgjigj ai.