
Me vetë të afërmit e kryeministrit të përfshirë në këtë biznes, kultivuesit e marijuanës në Maqedoni po shikojnë përfitime të mëdha nga ajo që shumë njerëz në të gjithë botën e konsiderojnë si një drogë shëndetësore që bën mrekulli.

Nëse prodhuesit e regjistruar së fundmi të marijuanës mjekësore i realizojnë planet e tyre, fusha prej rreth 140,000 metra katrorë në Maqedoni – baras me rreth 20 fusha futbolli – së shpejti do të mbulohen me bimë marijuane.
Maqedonia e legalizoi rritjen e marijuanës për qëllime mjekësore dy vjet më parë nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin ekzistues mbi Kontrollin e Drogave Opioide dhe Substancave Psikotropike.
Vendi u bë kështu një nga të paktët në botë me të drejtën ligjore për të kultivuar dhe eksportuar kanabis mjekësor. Sistemi është i ngjashëm me modelin kanadez, i cili lejon kompanitë private të kultivojnë produkte kanabisi.
Siç raportoi Balkan Insight në qershor 2016, ligji që rregullon çështjen thotë se vetëm neurologët, radiologët, specialistët e sëmundjeve infektive dhe onkologët mund t’ia japin me recetë marijuanën pacientëve.
Lejet për të kultivuar marijuanë jepen nga Ministria e Shëndetësisë, pas miratimit paraprak nga qeveria. Megjithatë, kanabisi nuk duhet të eksportohet, ose të importohet si lëndë e parë.
Gjashtë kompani kanë marrë leje shtetërore për ta bërë këtë deri më tani – të tjerët me siguri që do të ndjekin shembullin e tyre.
Kryeministri social demokrat Zoran Zaev, të afërmit e të cilit janë të përfshirë në biznes, së fundmi i bëri thirrje të tjerëve që t’i bashkohen kësaj tregtie shumë fitimprurëse, duke thënë se ajo mund të gjenerojë miliona euro për ekonominë në vështirësi.
Ndërkohë që Maqedonia ende nuk eksporton produkte të marijuanës, interesi afatgjatë i saj për të lehtësuar ligjet mbi prodhimin e marijuanës është i kuptueshëm; shitjet botërore të marijuanës mjekësore tashmë i tejkalojnë 7 miliard euro në vit dhe kjo shifër pritet të trefishohet gjatë tre viteve të ardhshme.
Pionierët e marijuanës së Maqedonisë
Firma e parë që mori leje për të kultivuar marijuanë mjekësore në Maqedoni në dhjetor 2016 ishte NYSK Holding, në pronësi të Vladimir Keskovskit, biri i një ish-zyrtari të lartë të policisë, Zlatko Keskovski. Ai rezultoi se ishte menaxheri i kompanisë.
Në shkurt 2017, NYSK Holding u ble nga Phalanx Holdings LLC, e regjistruar në shtetin amerikan të Delauerit.
“Në total pas Phalanx Holdings qëndrojnë nëntë kompani,” tha Zlatko Keskovski për BIRN, duke shtuar se midis pronarëve amerikanë të kompanisë ka gjithashtu kompani nga Kolorado që kanë përvojë të konsiderueshme në këtë biznes.
Megjithatë, pasi ligji në Delauer e mbron identitetin e pronarëve të kompanisë, identitetet e vërteta të pronarëve të NYSK-së është temë spekulimesh të mëdha në Maqedoni.
Megjithatë, Keskovski këmbënguli se asnjë prej tyre nuk është ish-zyrtarë apo zyrtar aktual maqedonas.
“Pronarët janë shtetas amerikanë dhe kompania nuk është e regjistruar në Delauer për shkak të ligjit mbi mbajtjen të fshehtë të investitorëve, por për shkak të taksave më të ulëta,” tha ai.
NYSK Holding ka mbjellë një mijë metra katror me marijuanë, duke e rritur atë me ndihmën e teknologjisë së brendshme.
Kjo kompani deri më tani është e vetmja në Maqedoni që investon gjithashtu në nxjerrjen e vajit të kanabisit. Kesovski thotë se kompania ka investuar rreth 5.5 milionë dollarë amerikanë në këtë.
Të afërm të kryeministrit ndër investitorët më të mëdhenj
Autoritetet dhanë një leje të dytë për të kultivuar marijuanë mjekësore në prill të vitit të kaluar për MAM, një kompani nga qyteti i Sveti Nikollës, e cila fillimisht u krijua për të kultivuar perime.
Pas marrjes së lejes nga MAM, një firmë sllovene, Frejher, u bë pronare e pjesshme e firmës. Më vonë, një kompani maqedonase, Elenica, nga qyteti i Strumicës, iu bashkua strukturës së pronësisë së MAM.
MAM tani menaxhohet bashkërisht nga Trajceva Zaev, kushëriri i kryeministrit Zoran Zaev, dhe nga një shtetas slloven, Tomaz Frelih.
Deri më tani, kompania ka mbjellë rreth 20,000 metra katrorë me marijuanë.
Duke folur para dy javësh në një debat në parlament rreth investimit të kushëririt të tij, kryeministri tha se ne atë kompani ishin investuar rreth 10 milionë euro, e cila tani punëson rreth 30 vetë.
Zaev, familja e të cilit drejton disa biznese të suksesshme në Maqedoni, tha se nuk kishte asgjë për të fshehur.

“Nuk do të ishte etike që Trajceva Zaev të emërohej si ministër ose që qeveria të punësojë atë apo dike nga familja e tij, por është krejtësisht etike që anëtarët e familjes Zaev të përfshihen në këtë biznes,” tha Zaev duke iu përgjigjur një pyetjeje të opozitës.
Duke pasur mundësinë për të folur më shumë për këtë, Zaev u bëri thirrje të tjerëve që të ndjekin shembullin, duke i bërë thirrje “të gjithë investitorëve që kanë burime për të investuar në këtë biznes, sepse është fitimprurës”.
Ai tha se qeveria priste që biznesi i marijuanës të krijonte shumë vende të reja pune në Maqedoni dhe të gjeneronte dhjetëra miliona euro për ekonominë.
Vetë Trajceva Zaev tha për BIRN se industria vuante nga një imagjinatë e dobët në Maqedoni, pavarësisht se kishte kapacitetin për t’u bërë një forcë lëvizëse për ekonominë.
“Kjo është një nga industritë që mund të stimulojë më mirë ekonominë lokale,” tha ai.
“Rregullimi i kësaj industrie të re duhet të sinkronizohet me vendet që kanë shumë më tepër eksperiencë në të, duke na stimuluar, prodhuesit, që të përshtatemi me standardet dhe normat globale,” shtoi ai.
MAM planifikon t’i mbledhë lulet e para të marijuanës në fund të qershorit. Ndërkohë, po negocion me investitorë të tjerë të huaj për të ndërtuar ndërtesën e vet për nxjerrjen e vajit.
Sipas të dhënave më të fundit të BIRN, katër kompani të tjera, Oaza Alkaloidi nga qyteti i Stipit, 5 Letters nga Resnja,Medical 420 nga Manastiri dhe Kaba Herbal nga kryeqyteti Shkupi kanë marrë gjithashtu leje për të kultivuar marijuanën mjekësore.
Por gjithnjë e më shumë firma po hapen me shpresën e marrjes së lejeve.
Boban Zaev është një tjetër kushëri i kryeministrit që dëshiron të përfshihet në biznes.
Ai është bashkëpronar i Farma Medica Kanabis, nga qyteti i Valandovës.
Ajo nuk ka marrë ende leje për të mbjellë të korrat e saj të para, por ai tha për BIRN se ka plane të mëdha për të punësuar rreth 500 njerëz në të ardhme, pasi të marrë lejen e kërkuar.
Një tjetër kompani e ngritur së fundmi, Kanabis-Pro, nga Strumica, është në pronësi të një ish-deputeti të Partisë Social Demokratike, Dragan Gjorgiev.
“Kemi në plan të kërkojmë një leje brenda tre javëve të ardhshme. Toka bujqësore ku planifikojmë të mbjellim kanabisin është thuajse gati,” tha ai për BIRN.
Firmat e ngjashme në javët e fundit janë regjistruar në qytetet Valandovo, Koçani, komunat rurale të Haraçinës dhe Mogillës si dhe në kryeqytetin Shkup.
Mendimi mjekësor në lidhje me përdorimin e marijuanës mbetet i ndarë, me përkrahësit e përdorimit të saj që pretendojnë se ajo ka efekte të dobishme te personat që vuajnë nga skleroza e shumëfishtë dhe ata që vuajnë nga kanceri dhe luftojnë me efektet anësore të kimioterapisë.
Pavarësisht dyshimeve në disa vende, gjithnjë e më shumë vende në të gjithë botën po lejojnë përdorimin e kontrolluar të saj, përfshirë 29 shtete në SHBA, disa shtete në Australi dhe Kili dhe Uruguai në Amerikën Latine.
Megjithatë, ligjet ndryshojnë shumë, me disa që lejojnë njerëzit të kultivojnë jo më shumë se gjashtë bimë për përdorim personal e deri te të tjerë që lejojnë kultivimin në shkallë të gjerë.