Ndërsa norma e lartë e papunësisë së Bosnjës është e njohur dhe prek njerëz nga të gjitha sferat e jetës, personat e moshës së mesme ndihen sidomos të diskriminuar në kërkimet e tyre për një vend pune.
Proceset e privatizimit të bankave dhe falimentimi dhe mbyllja e shumë ndërmarrjeve të suksesshme publike në Bosnje gjatë viteve të fundit kanë lënë dhjetëra mijëra njerëz të moshës mesatare pa punë apo shpresë për vende të reja pune.
Ndërsa të gjithë boshnjakët luftojnë për të gjetur një vend pune, ata të moshës mesatare përballen me vështirësi akoma më të mëdha në një sistem kryesisht të parregulluar që shpesh diskriminon haptazi në bazë të moshës dhe gjinisë.
Shumë lajmërime për punë në Bosnje përfshijnë kërkesa të tilla specifike si “nevojitet një gruaja e re”, ose thuhet: “Vendi i punës rekomandohet për persona të rinj”.
Ranka Veselinoviç, 50 vjeçare, nga Pale, një komunë me shumicë serbe rreth 20 kilometra larg Sarajevës, është një nga ata njerëz që mendon se s’përputhet me sistemin.
“Jam përpjekur të gjej një punë për një vit me radhë, por pavarësisht eksperiencës time si shitëse në dyqane të ndryshme, gjithmonë më thonë se duan dikë më të ri,” tha ajo për BIRN.
Një diskriminim i tillë është i pranishëm sidomos në vendet e lira për punë të çuditshme, siç janë personel shitës në dyqane provate, dado, kamerierë me kohë të pjesshme apo punëtorë në një nga furrat e shumta të bukës në Sarajevë.
Kjo situatë është e vështirë sidomos për ata që kanë punuar për dekada të tëra në një nga kompanitë prodhuese publike të begatshme të vendit, të cilat përbënin shtyllën e ekonomisë në ish-Jugosllavi, por pastaj u thanë dhe falimentuan gjatë dhe pas procesit të privatizimit.
Në shumë raste, punëtorëve të cilëve u duhen shumë pak vite për të arritur moshën e pensionit, nuk mund të dalin në pension, sepse këto kompani nuk u kanë paguar kontributet shoqërore dhe ato shëndetësore, kështu që ata gjejnë veten në një problem ligjor.
Punëdhënësit gjithmonë duan një më të ri
“Shumë njerëz nuk e përballojnë dot të dalin në pension për shkak të çështjes së kontributeve të papaguara,” tha për BIRN drejtoresha e sindikatës Ranka Misiç.
“Është një nga problemet kryesore dhe punëtorët janë në një situatë të dëshpëruar,” shtoi ajo.
Misiç tha se situata aktuale në tregun e punës të Bosnjës, ku të drejtat ligjore të punëtorëve nuk respektohen në praktikë, krijon hapësirë për shumë probleme të ndryshme, përfshirë diskriminimin e moshës.
Anketa e fundit e Forcës së Punës, e realizuar në vitin 2017 nga agjencia kombëtare e statistikave të vendit, në bashkëpunim me institute të ngjashme në dy entitetet e vendit, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, zbuloi se nga 2.7 milion njerëz të mbuluar nga anketa, 211,000 ishin të papunë, ndërsa pothuajse 1.4 milion ishin ekonomikisht “joaktivë” – që i referohet kryesisht, por jo vetëm pensionistëve.
Anketa, e kryer në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, dhe përfshin njerëz me punë me kohë të pjesshme, e përcakton normën e papunësisë së Bosnjës në 20.5 për qind. Megjithatë, duke parë vetëm ata me punë me orar të plotë, kjo shifër rritet në rreth 40 për qind ose më të lartë.
Papunësia është sidomos endemike midis të rinjve – ku sondazhe të ndryshme kanë gjetur se më shumë se 60 për qind e të rinjve janë të papunë – dhe midis personave të moshës së mesme.
I njëjti studim i anketimit të Forcës të Punës zbuloi se 39,000 nga ata të moshës 50-64 vjeç ishin të papunë. Misiç tha: “Ata do të pranojnë çfarëdolloj pune, vetëm që të mbijetojnë.”
Një person i frustruar që kërkon punë është Ranka Veselinoviç nga Pale. “Kam humbur vendin e punës dhe po kërkoj vazhdimisht për një punë të re,” tha ajo.
Ajo tha për BIRN se në disa raste ajo u përpoq të mos e tregonte moshën e saj në aplikimet për punë, por edhe atëherë, sapo bënte intervistën për vendin e punës, punëdhënësit do t’i thoshin asaj që kërkonin dikë më të ri.
“Ata duan njerëz me përvojë, por të rinj dhe duket siku ne, personat pak më të mëdhenj në moshë, ndoshta nuk meritojmë të punojmë.”
Veselinoviç tha se punëdhënësit po e kuptojnë gabim. Ndërsa të rinjtë kanë moshën në anën e tyre, njerëzit më të mëdhenj në moshë kanë avantazhe të tjera, siç është përvoja, edhe pse shumica e punëdhënësve e injoron këtë, sugjeroi ajo.
Ajo kujtoi intervistën e saj të fundit të punës, kur një grua e re u punësua për të punuar në një dyqan ushqimesh në vend të saj, por që më pas puna iu duk e vështirë dhe u largua pas disa ditësh.
“Punëdhënësit mendojnë se ne, le të themi më të moshuarit, nuk mund të punojmë më shpejt. Por pastaj të rinjtë kanë përvojë të pamjaftueshme dhe në fund thonë se puna është shumë e vështirë,” tha ajo. “Në fund, askush nuk është i lumtur,” përfundoi ajo.
Në të njëjtin qytet, në Pale, 55 vjeçarja Borka Radojkoviç ka punuar për vite me radhë si dado, por vitet e fundit ajo e ka pasur të vështirë të gjejë punë, për të cilën ajo fajëson moshën e saj.
“Gjatë dy apo tre viteve të fundit, gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë persona të rinj si dado,” u ankua ajo.
Radojkoviç tha se ajo dhe burri i saj varen nga puna e saj pasi ai ka dalë në pension dhe pensioni i tij i vogël nuk mbulon as kostot më bazike të ekonomisë familjare.
Problemi i saj në rritje për gjetjen e një vendi pune e bën atë të druhet për të ardhmen e tyre.
“Mendoja se mosha ime do të ishte një avantazh. Kam rritur dy fëmijët e mi dhe shumë fëmijë të tjerë këtu,” tha ajo.
“Çfarë të bëj kur shumica e tyre nuk duan asnjë person mbi 40 vjeç? Duket sikur s’e besojnë dot që unë mund të punoj,” shtoi Radojkoviç.
Ajo kujtoi një nga rastet më të fundit, ku gjithçka po shkonte mirë dhe prindërit i pëlqyen referencat e saj, por në një pikë ata përsëri thanë se dëshironin që për djalin e tyre të kujdesej një person më i ri.
Por jo se të rinjtë e kanë të lehtë. Statistikat tregojnë se të rinjtë e kanë po aq të vështirë të gjejnë një vend pune.
Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore të vitit 2017, në Bosnjë janë 122,000 të papunë të moshës 25 deri 49 vjeç.
Diskriminimi në punë i vështirë të vërtetohet
Përveç diskriminimit të moshës, ka edhe diskriminim gjinor. Gratë kanë më shumë probleme për të gjetur punë sesa burrat. Sipas agjencisë së statistikave, gratë përbëjnë 54.1 për qind të të papunëve.
Avokati i Popullit për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë ka regjistruar 174 raste diskriminimi në vitin 2017 në lidhje me vendet e punës, edhe pse shumica kanë të bëjnë me ngacmimin ose diskriminimin etnik.
Diskriminimi për shkak të moshës ose gjinisë në punësim mbetet i pamatshëm nga shumica e institucioneve dhe organizatave.
“Diskriminimi është vështirë të vërtetohet dhe çështjet gjyqësore mund të zgjasin me vite, prandaj në Bosnjë njerëzit ende besojnë se është më mirë të mos ankohen. Megjithatë, mund të shohim se ky diskriminim është një problem,” tha për BIRN Nermin Hanjaliç, një avokat nga OJQ-ja “Të drejtat tuaja” që merret me rastet e diskriminimit.
Siç shpjegoi Hanjaliç, diskriminimi i moshës është i pranishëm jo vetëm në sektorin privat, por edhe në institucionet publike.
Ai rikujtoi rastin e një vendi të lirë pune në një institucion mjekësor ku pozicioni ishte i hapur për një kandidat jo më shumë se 29 vjeç. Në këtë rast, pasi kjo OJQ reagoi, institucioni e hoqi këtë kërkesë.
Por Hanjaliç tha se ky ishte një sukses i rrallë, ndërsa diskriminimi mbeti i pranishëm në shumë raste të tjera.
Identifikimi i diskriminimit nuk është i vetmi problemi në procesin e punësimit, shtoi ai. Për shkak të situatës së vështirë ekonomike dhe papunësisë së lartë, “njerëzit këtu pranojnë çdo gjë që u ofrohet dhe kjo është një arsye pse reagimet më të forta janë të rralla”, tha ai.
Zlatiborka Popov Momcinoviç, një profesoreshë nga Sarajeva Lindore dhe një aktiviste e njohur feministe, thotë se kjo situatë prek gratë më shumë se burrat.
“Kemi të dhëna që tregojnë se grave u kërkohet të kenë arsim më të lartë se meshkujt për të njëjtin pozicion pune. Në të njëjtën kohë, më shumë gra janë të punësuara në sektorët që sjellin më pak para,” tha Popov Momcinoviç.
Kjo është arsyeja pse, në një shoqëri kryesisht patriarkale, shumë njerëz besojnë ende se disa punë janë të destinuara për burrat dhe të tjera për gratë, vuri në dukje ajo.
“Është e vështirë të gjesh një burrë që punon si shitës, sidomos për të shitur ushqime, apo jo? Kjo ju tregon se kjo punë shihet si diçka për gratë,” përfundoi Popov Momcinoviç.