Banorët e tre fshatrave të Bulqizës iu rikthyen protestave kundër koncesionit të vitit 2015 për shfrytëzimin e pyjeve në fshatrat e tyre, ndërsa akuzojnë policinë e shtetit për presion dhe veçojnë shoqërimin e njërit prej organizatorëve si një përpjekje të inskenuar për të ndaluar protestat.
Ditët e para të korrikut, një grup prej 4-5 personash, përfshirë dhe drejtorin e Shërbimit Pyjor në Bashkinë e Bulqizës, Ylli Bala, 2 vartës të tij dhe 2 punonjës të një firme koncesionare që ka marrë për shfrytëzim pyjet pranë fshtrave Koçaj, Dushaj dhe Kodra e Danit në Bulqizë, denoncuan në polici se makina e tyre ishte qëlluar me 72 plumba.
Menjëherë pas denoncimit, policia e Bulqizës doli me një deklaratë për mediat duke shpallur në kërkim Bajram Dishën – një prej organizatorëve të protestave më shumë se tre vjeçare të banorëve të tre fshatrave kundër koncesionit të dhënë nga qeveria në vitin 2015.
Shtëpia e Dishajt u kontrollua dhe “gjithçka u kthye përmbys” siç thotë ai. Të nesërmen, të enjten më 4 korrik 2018, burri 63 vjeç u vetëdorëzua në polici, pasi u kthye nga livadhi ku kishte qenë duke kositur e kullotur bagëtitë.
Pas disa orësh marrje në pyetje e dhënie deklarimesh, ai u la i lirë mëngjesin e të premtes. Policia i tha BIRN se nuk kishte as armë krimi dhe as prova të tjera që të lidhnin Dishën me të shtënat. As të sulmuarit nuk e lidhën emrin e tij me ngjarjen.
“Unë nuk kam parë njeri, nuk e di kush e ka bërë një gjë të tillë,” tha drejtori i Shërbimit Pyjor, Ylli Bala.
Disha, nga ana tjetër, beson se ndalimi dhe bastisja e shtëpisë së tij ka lidhje me protestat kundër koncesionit dhe përpjekjen për t'i frikësuar protestuesit.
“Tashi këta thonë, ‘ti e ke hapur gojën shumë e ty po të bëjmë kurban'. Kështu i bie. Zoti na ndihmoftë!”, i tha ai BIRN, para se të dorëzohej e më pas të lirohej mbas pak orësh nga policia.
Po atë të premte, Disha mori fjalën për të denoncuar sërish koncesionin në takimin që banorët bënë poshtë një rrapi të moçëm që shërben si pikë takimi i tre fshatrave që kundërshtojnë prerjen e pyllit. Të hënën, për ta bërë të qartë se nuk ishte trembur, ai ishte po ashtu i pranishëm në protestën e banorëve para Bashkisë së Bulqizës.
Edhe më herët, banorët janë ankuar për prani të punonjësve civilë të policisë që u kanë kërkuar të braktisin protestat e madje sipas tyre kanë kërcënuar me arrestime.
Policia e Bulqizës, në një përgjigje për BIRN, mohoi kategorikisht akuzat. Ajo tha se banorëve nuk u ishte cënuar asnjë e drejtë. “Policia ka monitoruar çdo protestë që është zhvilluar nga banorët dhe në asnjë rast nuk janë cënuar të drejtat e tyre”, tha policia përmes një përgjigje zyrtare.
Historia e koncesionit
Historia e koncesionit fillon në vitin 2015 kur ministria e Mjedisit dha leje për shfrytëzimin e parcelave pyjore pranë fshatrave Koçaj, Dushaj e Kodra e Danit. Ashtu si edhe me koncesionet e HEC-ve të vegjël që kanë të bëjnë me burimet natyrore të zonës, banorët kundërshtuan, duke u ankuar se nuk ishin pyetur dhe se koncesioni prekte burimet e tyre jetësore. Madje, ish-kryeplaku i njërit prej fshatrave, Qemal Stafa, mëton se një shkresë e shkurtit 2015 në të cilën thuhet se komuniteti ishte dakord është falsifikuar.
“Në asnjë rast nuk është e firmosur nga unë,” tha Stafa duke pohuar se kishte kërkuar hetimin e falsifikimit.
Megjithatë, në fund të qershorit, kompanitë koncesionare “Almex-wood” dhe “Lubima sh.p.k” tentuan të fillonin punën për ndërtimin e rrugës që do t'u mundësonte shfrytëzimin e parcelave. Banorët kundërshtuan me forcë, duke u përplasur me kompaninë dhe policinë e cila shoqëroi disa prej tyre. Pas protestave të banorëve, Partia Demokratike denoncoi se përfituesit e koncesionit kishin lidhje fisnore me funksionarë të lartë të LSI-së, e cila atëherë kontrollonte Ministrinë e Mjedisit dhe lëshoi lejen vetëm pak kohë para se të hynte në fuqi moratoriumi për pyjet.
Një investigim i BIRN i publikuar në fillim të korrikut gjeti se koncesionet për pyjet të dhëna pavarësisht moratoriumit, i kishin minuar efektet e këtij të fundit.
Në nëntor 2015, pas një peticioni të 224 familjeve, të cilët pohonin se nuk ishin dakord me shfrytëzimin e pyjeve të fshatrave të tyrë nga koncesionari, me pretendimin se një gjë e tillë sjell për ta dëme të mëdha mjedisore dhe u rrezikon furnizimin me ujë të pijshëm, vaditës dhe lëndën drusore, prefektura e Dibrës urdhëroi “pezullimin e punimeve për hapjen e rrugës auto-pyjore”. Kompania kundërshtoi vendimin e prefektit si të jashtëligjshëm, por puna për hapjen e rrugës u bllokua.
Protestat kundër koncesionit të dhënë në vitin 2015 u rigjallëruan kur kompanitë koncesionare “Almex-Wood” dhe “Lubima sh.p.k” filluan të hapin një rrugë të dytë duke i dalë nga pas fshatrave. Më herët këtë pranverë ata dështuan të kalojnë në këshillin bashkiak të Bulqizës një vendim që u zgjaste lejen për rrugën auto-pyjore që kalonte përmes fshatrave. Disha ishte një nga përfaqësuesit e banorëve në këtë takim.
“Bashkia nuk na ka bërë asgjë, qoftë edhe një kanal vaditës, tani don edhe të na marrë pyllin, të vetmen gjë që na ka dhënë Zoti për të jetuar”, tha ai në mbledhjen e këshillit bashkiak të raportuar nga BIRN.
Kompania është mbrojtur duke bërë me dije se kishte fituar një kontratë të ligjshme dhe se po të kërkonte zbatimin e saj, pavarësisht kundërshtimit të banorëve. “Ne jemi konform të gjitha rregullave. Shkresat janë në çdo institucion”, tha Luan Manjani, administrator i kompanisë “Lubima sh.p.k”, ndërsa shtoi se nuk do të komentonte më shumë mbi këtë çështje.
Përplasje, arrestime dhe inskenime
Banorët e fshatrave Koçaj, Dushaj dhe Kodra e Danit në Bulqizë janë ankuar edhe më herët se u ishte bërë presion, ndërsa BIRN mësoi se megjithë pretendimet e tyre për mungesë të lejes për ndërtimin e rrugës, policia dhe autoritetet nuk kanë ndërhyrë. Përkundër kësaj, banorët e akuzojnë policinë se është bërë palë dhe u ka bërë presion. Ngjarja e fundit duket se e ka përforcuar këtë qëndrim. Disha i tha BIRN se ai kishte mësuar se ishte shpallur në kërkim nga i biri, i cili e kishte zbuluar këtë fakt nga titrat televizive dhe kishte shkuar ta njoftonte në mal.
63-vjeçari i dha BIRN një version krejt të ndryshëm të ngjarjes së 4 korrikut. “Unë se kuptoj. Zoti i shkatërroftë këta horra. Isha në livadh dhe po kosisja barin. Kohë pune për ne katunarët. Vijnë tre vetë, a pesë, se as unë nuk i mbaj mend tani. “Si je xhaje, punë e mbarë, marë paçi. Kaq fola me ta dhe ikën ca këtej e ca andej”, tregoi Disha për BIRN për takimin me zyrtarët vendorë dhe punonjësit e koncesionarit.
Këta të fundit, siç mësoi BIRN, janë larguar me makinë nga vendi ku ndodhej Disha duke kositur deri te vendi ku supozohet se ndodhi ngjarja pas disa minutash. BIRN mësoi se 63-vjeçarit i duhej të ecte për më shumë se një orë për të mbërritur në vendin e ngjarjes, e megjithatë ai u shpall menjëherë në kërkim si i dyshuar.
Megjithatë, policia fillimisht pretendoi ndryshe. Ajo e akuzoi Dishën se jo vetëm kishte qëlluar me armë, por edhe ishte larguar duke përfituar nga terreni malor.
“Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku shtetasi Bajram Disha, 63 vjeç, banues në fshatin Dushaj, sapo ka parë shërbimet e policisë duke përfituar edhe nga terreni malor është larguar me shpejtësi”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se ishte e provuar që Disha ishte autor i ngjarjes.
“Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor ka rezultuar se shtetasi Bajram Disha, pas një konflikti për motive pronësie ka kanosur me armë zjarri, shtetasit Y.B, R.D, K.Ll, punonjës të Drejtorisë së shërbimit pyjor, Bashkia Bulqizë dhe disa punëtorë të një firme private,” shtoi policia e Bulqizës.
Për Dishën ngjarja ka rrjedhur krejt ndryshe. Burri thotë se kishte qenë duke kositur në mal e kullotur bagëtitë. Ai thotë se në kohën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja mund të ketë qenë në gjumë, ndërsa kishte mbetur pa telefon dhe nuk ka ditur asgjë për sa ka ndodhur, deri sa është njoftuar në mëngjes nga i biri se emri i tij kishte dalë në televizor.
“Sot në mëngjes e shofin çunat emrin tek News 24 se unë jam shpallur në kërkim sepse kam qëlluar me armë ndaj punonjësve të Shërbimit të Policisë Pyjore dhe punonjësve të një firme. Më vjen çuni në mal. Aty se desha veten. Ku e mora atë armë unë mor horra, 63 vjeç burrë,” tha ai i revoltuar, pak para se të vetëdorëzohej në polici pasi kishte mësuar për kallëzimin.
Versionit të policisë nuk i qëndrojnë as të kërcënuarit. Ylli Bala, drejtor i Shërbimit Pyjor, i cili drejtonte inspektimin për të parë nëse pylli po shfrytëzohej apo jo dhe nëse kishte prerje të paligjshme, mohoi të kishte parë kërcënues siç del nga komunikata e policisë.
“Nuk akuzoj absolutisht banorët për sa kohë që nuk kam parë njeri apo grup njerëzish që të qëllojnë drejt nesh,” tha Bala për BIRN. Ai pretendoi se ndaj makinës me të cilën ai dhe personat e tjerë udhëtonin ishte qëlluar 72 herë, por njëkohësisht akuzoi policinë se nuk kishte qenë serioze në hetimin e ngjarjes.
“Nuk po e bën siç duhet punën dhe ka mungesë serioziteti karshi kësaj çështje”, tha Bala.
I rrethuar nga bashkëfshatarët, Disha i tha televizionit lokal Bulqiza TV se do këmbëngulte që ngjarja të zbardhej. “I ftoj mediat ta ndjekin këtë akuzë këmba këmbës,” tha burri i bindur në pafajësinë e tij.
Shpallja në kërkim e Dishës e ka shtuar krizën e besimit të banorëve të tri fshatrave ndaj policisë së Bulqizës, të cilën e akuzojnë se është bërë palë me firmën koncensionare në shkelje të ligjit dhe betimit për t'i shërbyer komunitetit.
“Policia është kthyer në mbështetëse të firmës. Tani çfarë bëjnë, sjellin këtu në fshat ca policë të veshur civil dhe thonë: “Nja tre a katër persona ne i kemi piketu si organizatorë të këtyre protestave që po bëhen dhe e kanë venin në burg”. Kujt ia thonë këtë, neve që po mbrojmë një të mirë të përbashkët, atë çfarë na e ka falur Zoti i madh, që janë pyjet. Për të na friksuar, por ne jemi të vendosur,” tha Naim Visha, banor i fshatit Dushaj.
Policia i mohoi akuzat për presion. Ajo tha se i kishte këshilluar banorët të ndiqnin rrugë ligjore, duke paditur koncesionin në gjykatë dhe se atyre “nuk u ishin shkelur të drejtat”.
Rikthimi i protestave
Në maj, këshilli bashkiak i Bulqizës hodhi poshtë një kërkesë të Bashkisë së Bulqizës për të zgjatur një leje ndërtimi të një rruge auto-pyjore. Kjo e fundit qe një prej elementëve kryesore me të cilët banorët e tre fshatrave bllokuan koncesionin për shfrytëzimin e pyllit.
Këshilltarët e bashkisë akuzuan asokohe drejtuesit e bashkisë Bulqizë se po përdornin këshillin për të kaluar vendime të paligjshme dhe kërkesa për zgjatje të kohës së lejes për ndërtimin e rrugës u tërhoq nga bashkia, e cila u justifikua se thjesht po kërkonte mendimin e këshillit dhe jo miratimin e tij.
Ndërkohë, më shumë se një muaj nga kjo përpjekje, kompania koncesionare filloi punimet në një rrugë të dytë, e cila po ashtu e lidh atë me pyllin që kërkon të shfrytëzojë, por që ndryshe nga e para është më e gjatë dhe nuk kalon direkt përmes fshatrave të prekur.
Kompania pretendon se po e bën këtë rrugë më të gjatë me financimet e veta për të shmnagur përplasjen me banorët, por kjo nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, përkundrazi ka rikthyer protestat.
Banorët e akuzojnë kompaninë se po punon natën dhe fshehurazi, ndërsa thonë se nuk do të heqin dorë nga pylli.
“Ne si banorë jemi kthyer në rojtar. 3-4 persona, me radhë shkojnë në mal dhe bëjnë roje. Një natë na vdiq një bashkëfshatar këtu në lagje. Këta duke e shfrytëzuar këtë fakt kishin shkuar e kishin punuar gjatë gjithë natës për hapjen e rrugës që të futen tek pylli”, tha Naim Visha.
Të hënën, dhjetra banorë të tre fshatrave të cilët prej tre vitesh kërkojnë anullim të koncesionin protestuan sërish para bashkisë së Bulqizës, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe anullimin përfundimtar të koncesionit. Argumenti kryesor i banorëve është se nuk janë konsultuar sipas ligjit dhe se firmat e ish-kryepleqve ishin falsifikuar dhe se pylli është pronë e tyre që u mundëson jetesën në zonë.
Almira Xhembulla, deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës, pranoi në një bisedë për BIRN se pretendimet e banorëve ishin të drejta dhe se konflikti ishte i “nxehtë”.
“Ne kemi një handikap në kuadrin ligjor për sa i përket pronësisë në pyje. Duhet të kemi një dokument ku tregohet se kujt i përket një tokë. Banorët e konsiderojnë si pronë të tyre dhe me të drejtë”, tha Xhembulla.
Por e vetmja zgjidhje që ajo ka premtuar është një takim në ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. Xhembulla pranoi se banorët nuk ishin pyetur për koncesionin, por tha se kompania kishte dokumente të rregullta, ndërsa shtoi se negociatat mund të prodhonin një zgjidhje më të mirë për të dy palët.
Por banorët e kanë refuzuar takimin në Tiranë duke kërkuar që ministri të shkonte vetë në fshat dhe të shihte situatën, ndërsa thonë se anullimi i koncesionit është i panegociueshëm për ta.
Banorët i thanë BIRN se ata nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesa dhe se do e kundërshtojnë koncesionin me forcë.
“Ne jemi të vendosur, deri në vdekje këtu na kanë. Pasha Zotin, kur të na shtypin ne si katunde, do të shkojnë nalt.” tha Lule Boba, banore e fshatit Kodra e Danit. “Ne nuk e lëmë, është jeta jonë këtu,” përfundoi ajo.