AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Page Positions Artikull kryesor

Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit

Erjola AzizollingaErjola Azizolli
8 years më parë
në Artikull kryesor, Kultura, Në Fokus
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Katalogu i albumit “Thesare të Fjetura”.

“Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” janë dy ikona me autorë vëllezërit Çetiri që i përkasin shekullit të XVIII, të cilat janë duke u restauruar në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit dhe më pas do të jenë pjesë e fondit të pavionit “Thesare të fjetura” në Muzeun Kombëtar Ikonografik Onufri në Berat.  

Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku gjatë restaurimit të dy ikonave “Profeti Ilia” dhe “Hyrja në Jeruzalem” në muzeun Onufri të Beratit. Foto:Eriola Azizolli.

Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë të përqendruar, me vështrimin e ngulitur mprehtë mbi dy ikonat që i kanë vënë në tavolinat e punës pranë një dyzine shishesh me dezinfektantë, vegla dhe lëndë të tjera që i japin jetë punës së tyre restauruese. Ata janë kërrusuar prej disa muajsh mbi tavolinën e punës si “mjekët në një operacion zemre” mbi dy ikona të shekullit të XVIII të venitura prej kohës, por dalëngadalë pamja dhe ngjyrat në dy pikturat kishtare kanë filluar të bëhen sërish të qarta.

Të pikturuara nga ikonografët e familjes Çetiri, ikonat “Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” do i shtohen në fund të restaurimit ekspozitës “Thesaret e fjetura”, në katin e dytë të Muzeut Onufri në Berat.

Ekspozita qe një nismë e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat (QKMB) Agron Polovina, i cili vendosi në vitin 2014 të nxirrte nga magazinat ku ruheshin disa nga veprat e harruara të artit kishtar të Beratit për t’i ekspozuar ato.

Polovina, me profesion piktor-restaurues shprehet se fillimisht janë identifikuar 15 ikona që ishin restauruar dhe u ekspozuan në një prej kishave të qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) që realizon edhe restaurimet. Më pas u vendos të kthehej në një ekspozitë të përhershme, e cila pasurohet vazhdimisht në varësi të restaurimeve.

Deri tani aty janë ekspozuar 20 objekte dhe ikona të realizuara  rreth shekujve  XVI – XIX, të cilat kanë për autorë ikonografë të njohur si Nikolla (i biri i Onufrit), Onufër Qiprioti apo familjen Çetiri. Në ekspozitë janë dhe disa ikona nga autorë të paidentifikuar. Ndër to shumë e vlerësuar është ikona e “Krishtit të gjithpushtetshëm” e shek XVI- XVII, e marrë nga kisha e “Shën Todrit”në kala.

 Restaurimi shpëton veprat

Pavioni i njohur si “Thesaret e Fjetura” në muzeun Onufri. Foto:Eriola Azizolli.

Koha që merr puna për të restauruar një ikonë, sipas dy specialistëve të Laboratorit dhe Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) në Berat, varet nga dimesionet që ajo ka, por edhe nga shkalla e dëmtimit.

“Për një ikonë që është pjesërisht e dëmtuar restaurimi shkon deri në tre muaj, ndërsa për një ikonë me shkallë më të lartë dëmtimi shkon edhe një vit,” tha Altin Tabaku, i cili është gati në të përfunduar me restaurimin e ikonës “Profeti Ilia”, ngjyrat e së cilës ishin zbehur nga vitet. “Ikona duhet t’i nënshtrohet një restaurimi sepse i ishte dekompozuara verniku gjatë viteve,” tha Tabaku.

Ai shton se çdo proces kalon një procedurë burokratike të domosdoshme. Kërkohet një miratim nga Këshilli Shkencor dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

“Fillimisht bëhet konsolidimi total i jashtëm, për të parë nëse ka shkëputje, bëhet konsolidimi i shtresës së pelikulës, e cila është piktura dhe më pas kalohet në procesin e dezinfektimit, për të parë nëse ka insekte që mund ta dëmtojnë drurin dhe faktikisht në këtë rast, me këtë ikonë kemi të bëjmë edhe  me dëmtim nga insektet,” shpjegoi Tabaku, duke treguar hapat e restaurimit.

Tabaku është i vetëdijshëm se vepra që ka në duar ka vlera të papërsëritshme. Ai thotë se ikona ishte gjetur në një nga kishat e qytetit dhe nuk kishte qenë në gjendje të keqe, por kishte dëmtim dhe degradim të vernikut.

“Puna ime është që të bëj një ndërhyrje të kujdesshme, por pa e dëmtuar ikonën,” shprehet ai.

I ulur në krah me kolegun Tabaku, specialisti tjetër Miltiadh Bibo është duke punuar me “Hyrjen në Jeruzalem”, e cila ka përfunduar në fondin e monumenteve pasi u zbulua gjithashtu në një kishë të zonës së Beratit.  Bibo thotë se kishte kryer gjithashtu një pjesë të procesit të restaurimit. “Tani jam duke bërë pastrimin e vernikut të degraduar,” shpjegoi ai.

Për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani është e rëndësishme që puna restauruese të ecë paralel me punën për mbrojtjen e trashëgimisë.

“Nuk bëhet fjalë për investime që kërkojnë ndërhyrje të mëdha, sepse këto restuarime nuk kërkojnë kosto të papërballueshme. Por është një punë që kërkon profesionalizëm tepër të lartë, kërkon miratim nga instancat më të larta nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit – nga Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve,” tha Kallfani, duke shpjeguar se restaurimi edhe pse i ngadaltë, ia kishte dalë të shpëtonte një pjesë të mirë të ikonave të Beratit.

Por ndërsa deri më tani puna e restauruesve ishte t’i pastronin ikonat dhe t’i rehabilitonin ato për t’i çuar sërish në konservim në magazina, prej vitit 2014 ikonat e restauruara u prezantohen vizitorëve në muze, pas një marrëveshje mes QKMB dhe DRKK.

Ekspozita “Thesaret e fjetura”

Katalogu i albumit “Thesare të Fjetura”.

Sipas  Polovinës marrëveshja midis dy institucioneve të trashëgimisë kulturore konsiston në një koncept të ri të menaxhimit të vlerave dhe ka për qëllim që ruajtja e tyre të bëhet duke i nxjerrë nga magazinat dhe “duke i bërë të ekspozueshme, të prekshme për publikun”.

Polovina, një njohës i mirë i fushës së restaurimeve, vite më parë ka punuar si restaurator dhe ka marrë pjesë në katalogimin e ikonave, gjë që e ka ndihmuar  që të ketë një panoramë të plotë të koleksioneve të qytetit të Beratit – veçanërisht të koleksionit të DRKK-së të ikonave dhe objekteve të shërbesave liturgjike, gjendjen e tyre, autorët që i kanë realizuar dhe skenat që ato prezantojnë.

“Kohë më parë disa prej tyre i kisha identifikuar si objekte me vlera të veçanta, si objektet më të vyer të këtij koleksioni dhe kisha menduar se një ditë patjetër duhet t’i afroheshin publikut. E kisha kuptuar që ikonat duhet të dilnin nga mjediset ku ishin mbyllur edhe për arsyen se kështu mund të kujdeseshim për to më mirë, t’i shpëtonim degradimit,  t’i restauronim dhe të bëheshin pjesë e koleksioneve te hapura,” thotë Polovina.

Fillimisht ideja ishte e kufizuar vetëm në transferimin nga Fondi i DRKK-së të disa objekte të cilat Polovina mendonte se do të pasuronin linjën muzeale.

“Ishte një ikonë e formatit të vogël, e rallë për vlerat që mbarte, e veçantë, të cilën duke e restauruar e kisha nxjerr nga anonimati duke e identifikuar si të shkollës së Onufrit. Nuk ishte pak kjo dhe unë kisha një adhurim për të,” kujton sot Polovina.

Në këtë fond ishin edhe disa objekte të tjera të rralla si baldakini i kishës së Shën Mëri Vllahernës, i pikturuar nga Nikolla, biri i Onufrit, “Krishti Pantokrator” një ikonë e vyer e Onufër Qipriotit, ikona të Johan Çetirit apo të mjeshtrave të tjerë të kësaj familje, që në qytetin e Beratit dhe në Myzeqe për gati një shekull zbukuruan ikonostaset dhe muret e kishave dhe katedraleve të shumta.

Gjithë kjo pasuri flinte prej vitesh në magazina, duke qenë e privuar nga drita dhe po ashtu duke e privuar publikun prej bukurisë së saj.

“Fillimisht arritëm që të identifikojmë një koleksion prej 15 ikonash, një pjesë e të cilave ishin restauruar nga specialistët e DRKK-së, gjë e cila krijoi mundësinë e realizimit të ekspozitës në sallën e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” në Muzeun Ikonografik Onufri, e cila rezultoi të ngjallte një interes të cilin edhe ne nuk e kishim menduar,” shprehet Polovina.

Ky interes sipas tij i solli idenë për të pasur një pavion të veçantë për ekspozimin e këtij koleksioni, i cili u zgjerua në 20 ikona dhe objekte religjioze që i përkasin mjeshtër Nikollës, Onufër Qipriotit, Johan Çetiri, e të tjerëve, që së bashku me disa ikona të rëndësishme të fondit të muzeut Onufri, do t’i prezantoheshin për herë të parë publikut në një pavion.

Kështu u vendos për të çelur ekspozitën “Thesare të fjetura” dhe po ashtu vënien në funksion së sallës së katit të dytë në këtë muze, e cila prej mëse 15 vitesh ishte e mbyllur dhe jashtë funksionit.

Ai thotë se ekspozita është konceptuar si një pavioni i përhershëm në të cilin do të shtohen çdo vit një koleksion i paekspozuar më parë.

Polovina thotë se hapja e këtij pavioni ka ndikuar dhe në shtimin e interesit tek vizitorët për të parë nga afër këtë muze.

“Në këto vite ne kemi vërejtur një rritje të rëndësishme të vizitueshmërisë në muzeun Ikonografik Onufri, ku padyshim një nga argumentet është ekspozita “Thesare të fjetura””.

Sipas Polovinës numri i vizitorëve është rritur nga 11 mijë në më shumë se 34 mijë.

Etiketa: BeratFamiljeikonainvestimeKishëkostoMarrëveshjamarrëveshjeMjekmjekëMyzeqeoperacionPunaPunëRestaurimiSH
Tjetri
Orbani i Hungarisë i ofron Malit të Zi ndihmë për “të mbrojtur” kufijtë e tij

Orbani i Hungarisë i ofron Malit të Zi ndihmë për “të mbrojtur” kufijtë e tij

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.