
Gjysmë milioni njerëz dolën fundjavën e shkuar rrugëve të Stokholmit për të përshëndetur parakaluesit e Paradës së Krenarisë të komunitetit LGBTI në Suedi e më gjerë.

Muaji gusht në Stokholm të Suedisë po ofron një atmosferë elektrizuese, ku vendasit të përzierë mes turistëve shijojnë temperaturat më të larta në 260 vitet e fundit, fare të pazakonta për shiun dhe freskinë karakteristike të vendit nordik.
“Themi me shaka se vera në Suedi përbëhet nga tre ditët më të bukura të vitit,” na tregon Livia, shoqëruesja e Institutit Suedez, që ka marrë përsipër të prezantojë një grup gazetarësh ndërkombëtarë me një nga krenaritë më të mëdha të popullit suedez, diversitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut fokusuar te çështjet LGBTI.
Megjithatë, dielli është vetëm një nga përbërësit e këtij gëzimi që mund të ndihet në ajër në Stokholm.Ky muaj është zbukuruar gjithashtu nga java shumëngjyrëshe e paradës së përvitshme të lesbikeve, gejve, biseksualëve, trasgjinorëve dhe interseksualëve, që këtë vit është bashkuar me festimet europiane të paradës së krenarisë, duke marrë emrin Europride.
Të shtunë me 4 gusht mbi 60 mijë persona parakaluan për 3 orë e gjysmë rrugëve të Stokholmit, të brohoritur nga qindra mijëra spektatorë që iu bashkuan festimeve të diversitetit.
Në fasadat e ndërtesave, lokaleve, dyqaneve dhe urbanëve ishin varur flamuj të shumtë të ylberit që përfaqësojnë diversitetin dhe slogane të barazisë në gjuhën vendase urojnë festimet e krenarisë për këdo.

Në rrugët e kryeqytetit suedez, çdokush ndjehej i lirë të manifestonte personalitetin dhe seksualitetin e vet sipas stilit që ka zgjedhur dhe në mungesë të shikimeve gozhduese të ndonjë personi tjetër.
Në Suedi nuk përbën çudi kur familje me persona të seksit të njëjtë shtyjnë karroca me fëmijë po aq natyrshëm sa çiftet heteroseksuale kudo në botë. Martesat e seksit të njëjtë janë legalizuar në vitin 2009 dhe që prej vitit 2003 çiftet e seksit të njëjtë kanë pasur mundësinë e adoptimit të fëmijëve dhe të fekondimit për nënat lesbike.
“Dashuria është ajo që ka rëndësi. Ne nuk jemi askush që të gjykojmë se kë dashuron dikush tjetër,” shprehet pastorja e kishës suedeze, Kristina Ljunggren, e cila së bashku me kolegun e saj Johan Lundby,nënvizon se për ta celebrimi në kishë i martesave LGBTI nuk përbën dallim nga asnjë martesë tjetër.
Brenda kishës së Shën Jakobit,nën tingujt e muzikës tradicionale të martesave, dy gra te të tridhjetat, qëndrojnë përpara altarit dhe shkëmbejnë unazat dhe një puthje të lidhura tashmë në martesë nga një pastore që i jep bekimin e fundit.
“Zoti i ka falur njeriut dashurinë dhe kjo dashuri në çdo formë të saj nuk mund të refuzohet. Si mundet të hedhim poshtë dashurinë e Zotit?- shpjegon pastori biseksual Johan Lundby,ndërsa shton se e njëjta frymë përshkon të gjitha fetë e tjera.

Progresi në drejtimin e pranimit të diversitetit dhe aplikimin e të drejtave të njeriut pa asnjë diskriminim nuk ka ardhur vetvetiu në Suedi.
Një legjendë mes qytetarëve suedezë, politikania Barbro Westernholm tregon se si në vitin 1979 një grup aktivistësh zaptuan shkallët e Bordit Kombëtar të Shëndetit dhe Mirëqenies, të cilin ajo drejtonte.
“I takova aktivistët dhe ata më thanë se kishin 5 vjet që luftonin që të hiqnin homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve mendore. U premtova se do ta bëja ndryshimin menjëherë, por në fillim ata nuk më besuan,” tregon 85-vjeçarja që vazhdon të ushtrojë detyrën e deputetes.
“Ia dolëm ta bënim ndryshimin për dy muaj, që në aspektin institucional është një kohë relativisht e shkurtër,” shton Westernholm.
Vendimi i saj i hapi përgjatë viteve pasuese rrugën reformave të tjera në këtë aspekt, ku në 1994 parlamenti kaloi ligjin për regjistrimin si partnerë për çiftet e seksit të njëjtë, barazisë së adoptimit mes të gjitha çifteve në 2002, të drejtës së fekondimit për të gjitha çiftet lesbike, martesat e seksit të njëjtë (2009) dhe së fundmi të drejtën për të mos u sterilizuar për personat që ndryshojnë seks.
Nadja Karlsson ka një fokus mjaft të veçantë për shëtitjet turistike që organizo në kryeqytetin suedez Stokholm. Në vitet e fundit ajo është përqendruar tek eksplorimi i historisë LGBTI të kryeqytetit. Ndërtesat madhështore të Stokholmit për Nadjan sjellin kujtime të çifteve të të njëjtit seks dhe dashurive të tyre të fshehta ose të ndëshkuara.
Nadja, e cila është transgjinore, rrëfen në parkun Kungsträdgårdenaferat homoseksuale të mbretit Gustaf V, monarkut më afatgjatë të Suedisë, i cili sundoi nga 1907 deri në vdekjen e tij në vitin 1950. Pak më tej, në pallatin e Operas, Nadja tregon për një histori dashurie të fshehtë mes dy muzikantëve të operas gjatë kohë kur homoseksualiteti ishte i dënueshëm në Suedi.

“Fare pranë shtëpisë sime, ndodhet porta e shtëpisë së një personazhi homoseksual në një libër të shekullit të kaluar që më ka prekur shumë. Çdo ditë ndalem disa minuta përpara asaj porte dhe mendoj për vështirësitë që ai ka hequr,” tha ajo.
Nuk mund të thuhet se një veprim i vetëm ka ndryshuar rrjedhën e të drejtave për komunitetin LGBTI në Suedi, por ajo që me siguri ka ndikuar më së shumti ka qenë aktivizmi i vazhdueshëm i grupeve të shumëta në 30 vitet e fundit që janë kombinuar me vullnetin politik.
Pak më larg qendrës, në një bllok apartamentesh mes gjelbërimit ndodhet Regnbagen, shtëpia e parë në botë për të moshuarit LGBTI. 27 apartamente të një ndërtese të zakonshme i përkasin çifteve dhe personave homoseksualë dhe transgjinorë që i kanë kaluar të 65-tat dhe që dëshirojnë të jetojnë të sigurt me fqinjë që ndajnë preferenca të njëjta seksuale me ta.

Apartamentet e tyre kanë një hyrje veçmas, kanë ambiente të përbashkëta si një sallon bukurie, palestër, një restorant dhe sallë kinemaje, por secili jeton dhe paguan qiranë më vete.
Christer Fallman, themeluesi i shtëpisë për të moshuarit LGBTI, thotë se rreth 200 persona janë në listë pritjeje për të siguruar një nga apartamentet këtu.
“Synojmë që të krijojmë një ambient të sigurt për personat LGBT edhe në moshë më madhore,” tha ai i kënaqur që ia doli të sigurojë mbështetje dhe shton se planifikon të zgjerojë mundësitë e akomodimit në të ardhmen.

Në libraritë e shumëta të Stokholmit, mes stoqeve të librave për të rritur dhe fëmijë, vendasit kanë ndër të preferuarat e tyre ato të shtëpisë botuese Olika (Të Ndryshëm), një shtëpi botuese e pavarur dhe e nderuar me çmime të ndryshme për kontributin e saj te librat për fëmijë të fokusuar te barazia gjinore dhe diversiteti.
Olika është e njohur për përdorimin e letërsisë për fëmijë duke përfshirë mënyra të reja jetese, në mënyrë që më shumë fëmijë të mund të identifikohen me to dhe të rrisin vetëvlerësimin.
“Historitë tona sfidojnë dhe zgjerojnë stereotipet e ngushta gjinore që shpesh gjenden në letërsinë për fëmijë. Ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm që portretizojmë mënyra të ndryshme të formimit të një familje, etnisë dhe aftësisë së kufizuar,” thotë Kristina Henkel, drejtuese e saj.
Në historitë për fëmijë, mund të lexohet për princesha që përfundojnë përherë të lumtura bashkë, për bashkëjetesë fetare dhe etnike të grupeve të ndryshme apo për vajza që sfidojnë stereotipat e asaj që shoqëria sheh si detyra të gjinisë femërore.
Një tjetër grup që po sfidon stereotipet në Suedi është edhe ai i policëve gej dhe transgjinorë, të cilët kanë dalë hapur pa rrezikuar të humbin vendin e punës. Oficeri i policisë së Stokholmit, Goran Stanton themeluesi i organizatës së policëve gej thotë në një takim të organizuar brenda komisariatit se për të ishte shumë e rëndësishme që pavarësisht pozicionit të punës, çdokush të ketë mundësinë të shprehë haptazi preferencat e tij seksuale.
Vitet e fundit, policët homoseksualë dhe transgjinorë kanë fituar të drejtën të parakalojnë në paradën e përvitshme të Krenarisë duke mbajtur uniformat e tyre policore dhe ushtarake.
Një të tillë mban veshur dhe një kolege e Stanton, një trasngjinore që tregon tranzicionin e saj drejt ndryshimit të seksit dhe eksperiencën në polici.
“Mendoj se fakti që në radhët e policisë ka persona LGBTI ka shtuar më shumë besimin e komunitetit për të gjetur një qasje ndaj nesh, pa paragjykuar se nuk do të kuptohen,” thotë ajo.

Të shtunën e 4 gushtit, këta policë ishin mes rreth 60 mijë individëve LGBTI që parakaluan në Europride në rrugët e Stokholmit, të brohoritur nga të paktën gjysmë milioni spektatorë ndërsa dhanë mesazhet e tyre për diversitet, respektim të të drejtave të njeriut dhe barazi.
Të përqafuar, të kapur prej dore apo duke shtyrë karroca të fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara që identifikohen me diversitetin seksual dhe gjinor, mijëra persona valëvitën flamujt shumëngjyrësh dhe kërcyen përgjatë marshimit që zgjati mbi tre orë.
Në fund të rrugëtimit të tyre, në parkun e Krenarisë, ndër tendat e shumëta informuese për diversitetin ata u pritën dhe nga një grup mjaft special, siç ishte ai i prindërve krenarë të fëmijëve homoseksualë dhe transgjinorë.
“Ne si prindër duhet të jemi aty për fëmijët tanë. Sigurisht që nuk e kemi pasur të thjeshtë ta pranojmë, por gjithnjë e më shumë prindër ndjekin marshimet tona në mbështetje të diversitetit të fëmijëve tanë,” tregon një nga prindërit iniciatorë të nismës që feston këtë vit 20-vjetorin e krijimit.