Disa qindra studentë protestuan të mërkurën në Tiranë, ku kërkuan heqjen e tarifës për provimet e mbartura, duke arsyetuar se ajo rëndon mbi përpjekjet e tyre për të arritur rezultate të larta në shkollim.
Duke recituar poezi të Fan Nolit dhe Ali Asllanit, qindra studentë protestuan të mërkurën përpara ministrisë së Arsimit, ndërsa trafiku në rrugën e Durrësit u bllokua përkohësisht për disa orë.
Studentët nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës i kërkuan ministrisë së arsimit të tërhiqet VKM-ja, që përcakton një tarifë për studentët që mbartin provime. Ata hodhën gjithashtu vezë ndaj godinës.
Me thirrjet “hajdutë” dhe “arsim publik falas” studentët të cilët bojkotuan mësimin për të dytën ditë radhazi, kritikuan ashpër vendimin e qeverisë për barrën financiare të provimeve të mbartura.
VKM e datës 5 maj 2018 parashikon në pikën 4 se “studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.
Të zemëruar nga etiketimi si “ngelës” dhe barrë për tatimpaguesit nga kryeministri Rama, studentët u ankuan për kushtet në universitete dhe ngarkimin e tyre gjatë vitit shkollor.
“Unë jam ngelëse sepse jam e detyruar të punoj 12 orë si qeni për të pagu tarifën e arsimit,” tha një aktiviste të lëvizjes studentore Për Universitetin.
“Jam ngelëse se kam punu 12 orë për të ble librat e studimit,” tha ajo, ndërsa protestuesit brohoritën në mbështetje, “por më mirë me qenë ngelëse se me qenë hajdut dhe plagjaturist,” shtoi ajo.
“Në fakultetin tim është praktikë që studentët e lënë një provim në mënyrë që të dalin mirë tek të tjerët,” tha një studente tjetër.
“Ajo [ministrja e arsimit] nuk ka të drejtë të gjobisë përpjekjet e mia për të pasur rezultate”, shtoi studentja.
Të tjerë protestues ironizuan skandalet e fundit që përfshinë ministrinë e arsimit, ku një zëvendës ministër dha dorëheqjen pasi u akuzua për plagjiaturë. Akuza për plagjaturë të doktoraturës ka marrë së fundmi edhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila i hodhi poshtë ato duke i cilësuar si dashakeqe.
“Ne provimet i shtyjmë për të marrë një notë më të mirë, që të mos bëjmë plagjiatura si ministrat këtu,” shtoi një student.
Në një konferencë për shtyp, ministrja e arsimit Lindita Nikolla tha se ajo ishte e hapur të diskutonte me universitetet për tarifën e provimeve të mbartura të studentëve.
“Vërtetë kërkojnë anullimin e një pike të një VKM-je, por që nuk impakton dhe nuk ka hyrë në fuqi për këta studentët që futen në vitin e parë dhe vitin tjetër mund të ketë efekte,” sqaroi Nikolla.
“Unë jam e hapur që ne të ecim drejt një propozimi të Këshillit të Ministrave që kjo pikë t’ju lihet në tagër universiteteve dhe të mos jetë pjesë e VKM,” shtoi ajo.
Ministrja e arsimit dhe sportit komentoi gjithashtu kërkesën e studentëve për ulje të tarifave të studimit duke thënë se ato nuk janë rritur që nga viti 2014.
Të ndodhur jashtë ministrisë, studentët i pritën fjalët e ministres me pakënaqësi dhe thanë se vendimi për t’ia kaluar tarifën fakulteteve nuk e plotëson kërkesën e tyre për heqjen e saj dhe synon përçarjen e protestës.
“Nuk do të tërhiqemi pa shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave,” tha një aktivist protestues.
Studentët paralajmëruan vazhdimin e protestave edhe ditët në vazhdim nëse ministria nuk plotëson tre kërkesat e tyre që lidhen me heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura, shtyrjen e afatit të pagesës së tarifës vjetore dhe mundësinë e pagesës me këste të tarifës.