
Çështja e helmimit të jetës së egër ishte në fokus të një takimi të mbajtur nga studiues të rajonit, të cilët synojnë të krijojnë strategji kombëtare për mbrojtjen e faunës nga krimi i helmimit.

Një grup shkencëtarësh nga Ballkani mbajtën të mërkurën takimin e dytë rajonal për të diskutuar lidhur me problematikën e helmimit të faunës dhe mënyrat e duhura të intensifikimit të përpjekjeve për të dalë me një plan veprimi që do të ndalonte krimin kundër kafshëve dhe shpendëve.
Sipas studiuesve, fauna në rajon e më gjerë përballet me një sërë sfidash klimatike, por krimet e ardhura nga njeriu ia vështirësojnë jetesën, duke ndikuar kështu edhe në pakësimin e numrit të tyre, por edhe në shtimin e specieve të futura në listën e më të rrezikuarave.
Ndonëse helmimi nuk është i vetmi krim që shfarros faunën, ai ndikon gjerësisht tek ajo pasi përpjekjet e barinjve apo fshatarëve për të helmuar kafshët grabitqare sjellin pasoja në zinxhirin ushqimor. Studiuesit theksuan rastin e shkabave, të cilat janë ndër shpendët më të prekura të këtij fenomeni.
Për studiuesin Stojan Nikolov nga Shoqëria Bullgare e Mbrojtjes së Shpendëve, shkabat kanë shërbyer për shekuj si pastrues të natyrës, duke qenë se ushqehen me kufomat e kafshëve të tjera dhe parandalojnë përhapjen e sëmundjeve – por tani ato përballen me rrezikun e zhdukjes.
“Në gjysmëshekullin e fundit popullata e tyre ka zbritur me 50 për qind. Në Ballkan në 30 vitet e fundit, rënia e popullatës ka qenë mbi 80 për qind. Në Ballkan kanë mbetur vetëm 60 çifte shkabash dhe në Shqipëri nuk janë më shumë se dhjetë,” tha ai.
Nikolov shton se me ritmet aktuale të pakësimit të species, është e pamundur të zgjidhet rreziku ndaj tyre në term afatshkurtër pa pasur një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.
Në Shqipëri, Taulant Bino nga Shoqëria Orintologjike Shqiptare thotë se aktualisht helmimi nuk parashikohet në legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e faunës, por që shtimi i tij si pikë është një nga sugjerimet e studiuesve për ministrinë e mjedisit në ligjin e ri të për faunën dhe shtimin e tij në Kodin Penal.
“Kemi të bëjmë me një çështje që dimë shumë pak dhe që duhet studiuar më shumë. Por që ka efekt të pandalshëm në faunë, sepse nuk rrezikon vetëm një individ, por shumë përnjëherë,” shtoi ai.
“Diskutimi për çështjen e helmimit në Shqipëri nisi kur po bëheshin vlerësimet e para për statusin e mbrojtjes së shkabave. U vu re se dy nga katër janë zhdukur. Vetëm kali i qyqes folezon, por jo si në gjendjen e mëparshme,” tha Bino.
Duke prezantuar në takimin e të mërkurës krimet kryesore kundër faunës, studiuesi bullgar i shpendëve, Dimitar Gradinarov tërheq vëmendjen për vështirësinë e hetimit të krimeve që i bëhen kafshëve dhe shpendëve, të cilat kryesisht kryhen nga persona të specializuar dhe organizuar.
“Ndryshe nga krimet kundër njeriut, krimet ndaj faunës janë më të vështira për t’u hetuar sepse janë në shkallë të ulët prioriteti dhe mbledhja e provave është ndonjëherë e vështirë,” tha Gradinarov për BIRN.
“Gjëja më e rëndësishme aktualisht në Shqipëri është të mblidhen të dhëna [për helmimin],” shtoi ai.
Projekti Life+ “Egyptin New Vulture” dhe projekti BAPP-Balkan Anti-Poisoning, synon të shtrihet në Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.
“Në secilin prej këtyre vendeve duam të krijojmë një strategji kombëtare dhe një plan veprimi si të përballemi me këtë problem,” tha për BIRN Jovan Andevski, nga Fondacioni i Ruajtjes së Shkabës, VCF.
“Përdorimi i helmit në natyrë është i paligjshëm, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan por kudo në botë,” shton ai.
Andevski thotë megjithatë se hapat e ndërmarrë sot janë pjesë të një projekti më të gjatë dhe që kërkon kohë.
“Është një proces i ngadaltë që do të kërkojë angazhimin e studiuesve dhe qeverive. Ka nevojë për bashkëpunim dhe vullnet,” përfundoi ai, duke shtuar me optimizëm se përpjekjet e tyre do të kenë rezultate pozitive.
Specialisti i Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ermal Halimi i tha BIRN se institucioni ka bërë deri më tani përafrim deri në 95 për qind të legjislacionit shqiptar për natyrën me atë europian, por shumë mbetet ende për t’u bërë.
Ai shtoi se sugjerimet e ekspertëve dhe strategjia kombëtare në hartim për mbrojtjen e kafshëve nga helmimi po priten nga ministria për t’iu shtuar përpjekjeve zyrtare të adresimit të këtij problemi.