E djathta radikale ose “iliberale” po bën progres në Europë, por mos prisni që këto lëvizje të ndryshme të bashkohen në mënyrë efikase.
Arratisja e ish-kryeministrit autoritar të Maqedonisë në krahët mikpritës të Hungarisë, e drejtuar nga një tjetër autoritar, ka krijuar spekulime të reja rreth një teme moderne, “aleanca iliberale” që po merr formë në të gjithë Europën.
Ajo pason ngjitjen radikale dhe të papritur të të djathtës në pushtet në Itali dhe, më e fundit, rënien po aq të papritur të projektit liberal centrist të Emmanuel Macron në Francë.
Shumë e fryrë nga mediat e qendrës së majtë dhe organizatat, teoria pretendon se një rrjet i “demokracive iliberale” – që ruajnë një fasadë demokracie ndërkohë që shkatërrojnë thelbin – po përhapet si një njollë në të gjithë Europën, duke e shkatërruar Bashkimin Europian nga brenda dhe duke sfiduar gjithë rendin liberal demokratik të kontinentit.
Në Europë, Rusi, Turqi, Hungari, Poloni dhe Itali shfaqen më shpesh në këto diskutime, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Brazilin.
Ndërkohë që rënia e politikës qendrore dikur dominante në Poloni, Hungari dhe Itali është e habitshme – për të mos përmendur atë që ndodhi më herët me shpresat e demokracisë në Rusi dhe Turqi – fjalët për lindjen e një “aleance iliberale” që sfidon drejtpërdrejt vlerat e pasluftës të Perëndimit janë të ekzagjeruara.
Një problem është se shumica e vendeve në Europë nuk drejtohen as nga parti të djathta ekstreme/radikale, as nuk rrezikojnë të drejtohen nga ato. Nga Portugalia në Atlantik drejt Gjermanisë në Baltik, nuk ekziston asnjë regjim iliberal në horizont.
Një problem tjetër është se jo shumë i bashkon regjimet “iliberale” të Europës Lindore apo partitë e tyre partnere diku tjetër, përtej një antipatie të përbashkët ndaj pakicave, mediave kritike dhe bizneseve të mëdha ndërkombëtare.
Kjo zakonisht shoqërohet me një kult të shurdhër të tokës mëmë/baba, një nderim për një mbret të disa kohëve më parë, i ashtuquajtur “i madh”, një dashuri për fshatin dhe një respekt i ekzagjeruar për fenë, traditën në përgjithësi dhe “familjen”.
Praktikisht, është nacionalizëm i stilit të vjetër. Por nacionalizmi është më shumë për instinktet dhe reflekset. Nuk është një ideologji koherente politike, si në një teori universale të zbatueshme në lidhje me mënyrën e organizimit të shoqërisë.
Siç shkruan bindshëm filozofi britanik Terry Eagleton, nacionalizmi është në të vërtetë një fe surrogate. Ai thotë se hyjnia e përjetshme zëvendësohet me kujdes nga një komb i përjetshëm, i cili, ashtu si figura e Krishtit, tradhtohet, vritet dhe ngrihet sërish – dhe duhet të adhurohet nga besimtarët.
Për më tepër, lëvizjet nacionaliste janë shumë egoiste, secila një fe e pavarur, duke adhuruar në një altar. Për këtë arsye, regjimet ose partitë e tilla rrallë punojnë mirë së bashku, megjithatë, ato ndajnë bashkë shumë karakteristika.
Ballkani ofron shembujt kryesorë të kësaj. Nacionalistët njësoj iliberalë që adhurojnë atdheun/vatanin të Serbisë, Kosovës apo Kroacisë nuk e përshëndesin njëri-tjetrin si shpirtra të afërm, por bëjnë fiks të kundërtën.
Ky rivalitet luhet edhe në vende të tjera. A munden nacionalistët ukrainas dhe rusë ose spanjollë dhe katalanas të bashkojnë forcat kundër armiqve të tyre liberalë? As edhe pak. Secili e shikon nacionalizmin e tjetrit si një konkurrent të rremë – një fyerje për kultin e vet.
Nacionalizmi internacionalist pra mbetet një kontradiktë në terma – ndryshe nga liberalizmi, socializmi ose islamizmi, të cilët të gjithë përpiqen të kapërcejnë kufijtë dhe të pohojnë unitetin thelbësor të popujve të ndryshëm.
Në shumicën e rasteve, nacionalistët mund të admirojnë nacionalistë të tjerë që janë larg – pak si njerëzit që mund të jenë miq me njerëz të tjerë – nëse jetojnë në një rrugë tjetër.
Edhe aty ku regjimet nacionaliste fqinje nuk bien ndesh, si me Poloninë dhe Hungarinë, ato ende nuk kanë objektiva të përbashkëta.
Polonia dhe Hungaria sistemohen në mënyrë rutinë së bashku në të njëjtën lëvizje “iliberale”. Por regjimet e tyre nuk janë njësoj.
Qeveria e Polonisë është konservatore, që shikon interesat e brendshme dhe mbrojtëse. Ajo dëshiron të lihet e qetë, jo të ndryshojë botën. Kjo është arsyeja pse zyrtarët polakë mungojnë aq shumë nëpër forumet e krahut të djathtë ku mendimtarët nacionalistë përpiqen të dalin nga një axhendë e përbashkët.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është një kafshë ndryshe. Shumë më ambicioz dhe më ideologjik, ai është një radikal në një mënyrë që udhëheqësit e Polonisë nuk janë.
Ai dëshiron të ndryshojë Europën, jo vetëm Hungarinë, duke e kthyer Hungarinë në qendrën nacionaliste të Europës. Çuditërisht, ideologu amerikan i ekstremit të djathtë, Steve Bannon, e sheh Hungarinë, jo Poloninë, si një model. Ai së fundmi tha në një stacioni radiofonik francez se do të donte që “lëvizja” e tij ta kishte bazën në Budapest.
Por çfarë mund të arrijë një “lëvizje” e tillë, kudo që ta ketë bazën ajo? Një ideologji e zakonshme do të tregonte logjikisht të gjitha regjimet dhe partitë “iliberale” në drejtim të Moskës.
Por kjo nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë. Polonia nacionaliste kurrë nuk do të heqë dorë nga armiqësia e saj e vjetër ndaj Rusisë nacionaliste në emër të “iliberalizmit” të përbashkët – ndryshe nga Hungaria dhe Turqia, të cilat do të dëshironin.
Ndërkohë, zgjedhjet europiane majin e ardhshëm mund të shohin një lëvizje drejt së djathtës radikale dhe iliberale në një sërë vendesh; pjesëmarrja e ulët në zgjedhje të tilla ndihmon ekstremistët.
Por edhe një lëvizje e madhe drejt të djathtës në Strasburg nuk do të ndryshojë domosdoshmërish në nivel kombëtar. Partia nacionaliste britanike UKIP doli dukshëm mirë në zgjedhjet europiane të vitit 2014, duke fituar 24 nga 73 vende në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo që atëherë është shpërbërë në terrenin e saj.
Ajo që shkatërroi UKIP ishin ndarjet e pafundme, grushtet dhe ndryshimet në lidership – thembra e Akilit e shumë lëvizjeve nacionaliste. Pikërisht për shkak se ato janë kaq të ngjashme me kishat, ata kanë një tendencë të inkorporuar për të ushqyer heretikët që ngrihen dhe denoncojnë Papën aktual.
Në Serbi, Partia Radikale dikur e fuqishme u fundos nga një ndarje midis besimtarëve të vërtetë – që u kapën pas ungjillit të vjetër të Serbisë së Madhe – dhe heretikëve, të cilët këmbëngulën se nacionalizmi serb duhet ta akomodojë veten me BE-në.
Fronti Kombëtar në Francë u nda përgjatë vijave të ngjashme. Rebelët kërkuan një fund të kultit të shtetit kolaboracionist në Luftën e Dytë Botërore.
Në Francë, ky mutacion nuk qe i mjaftueshëm për të vënë Marine Le Pen në presidencë. Në Serbi, ai qe i mjaftueshëm për të ngjitur separatistët e radikalëve në partinë qeverisëse. Megjithatë, Serbia normalisht nuk llogaritet si pjesë e aleancës “iliberale” në Europë, ku Bannon dhe ideologë të tjerë varin shpresat.
Ajo ende endet midis botëve të ndryshme në “formë kameleoni”, duke marrë një qëndrim në Moskë dhe një qëndrim tjetër në Bruksel, duke ndryshuar ngjyrën e saj, në varësi të kontekstit.
Ndoshta ajo është një kujtesë se ndërkohë që “iliberalizmi” ekziston, ai rrallë ekziston në një formë të pastër – dhe nuk është vërtet material i aleancave kuptimplota.
Mendimet e shprehura në rubrikën e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.