Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
Reporter.al
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Page Positions Artikull kryesor Lajme

Kryegjyqtari i Pukës Izet Kadana në vështirësi për të trija kriteret e vetingut

Gjergj ErebaraNgaGjergj Erebara
19:16 | 18/12/2018
Në Artikull kryesor Lajme, KPK, Lajme, Në Fokus
Kohe leximi: 4 minuta
A A
0
Kryegjyqtari i Pukës Izet Kadana në vështirësi për të trija kriteret e vetingut

Seanca dëgjimore e 18 dhjetorit 2018.

Share on FacebookShare on Twitter

Marrëdhënia me një vëlla dhe disa nipër të dyshuar për krim të organizuar, shpenzime të pambuluara me të ardhura dhe dyshimi për ndërhyrjen për punësimin e bashkëshortes në Prokurorinë e Pukës vunë në vështirësi sot Kryetarin e Gjykatës së Pukës Izet Kadana para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Seanca dëgjimore e 18 dhjetorit 2018.

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Izet Kadana, me karrierë 25 vjeçare në sistemin e drejtësisë, kërkoi rikonfirmim në detyrë gjatë seancës dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke hedhur poshtë pikëpyetjet e ngritura mbi pasuritë, mbi faktin se i vëllai dhe disa nipër dyshohen si eksponentë të krimit të organizuar si dhe për një episod në të cilin dyshohet se gjyqtari ka ndërhyrë për punësimin e bashkëshortes në administratë publike duke dërguar mesazhe telefonike që përmbanin “gjuhë vulgare” dhe fjalë “thuajse kërcënuese” ndaj një kandidateje për të njëjtin vend pune të fituar nga bashkëshortja.

Kadana u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 18 dhjetor 2018. Trupa gjykuese që ka kryer procesin e rivlerësimit për gjyqtarin përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Sa i përket kriterit të pasurisë, hetimi administrativ kishte zbuluar disa probleme, përfshirë një diferencë shpenzimesh të pajustifikuara me të ardhura në masën prej afro 1.2 milionë lekë, një kredi të marrë nga bashkëshortja të masën 700 mijë lekë si dhe dy hua që gjyqtari i ka dhënë personave të tjerë me vlerë totale prej 8.4 milionë lekësh, për të cilat, komisioni i vetingut gjykon se i mungojnë burimet financiare.

Kadana, i cili ishte i pranishëm në seancë bashkë me një avokat, u shpreh përmes përfaqësuesit të tij ligjor se llogaritjet e bëra nga komisioni ishin të gabuara dhe se ai i kishte të ardhurat për të mbuluar shpenzimet. Avokati argumentoi se një kontratë për blerjen e një apartamenti në Pukë në vitin 1995, e cila shënon vlerën 4 milionë lekë, është një gabim i noterit, i cili ka shkruar në kontratë “lekë të vjetra” dhe jo lekët zyrtare. Avokati e mbështeti argumentin e tij me faktin që Puka është një nga qytetet më të varfra të vendit se se në Pukë nuk mund të ketë apartament me vlerë të tillë. Në lidhje me kredinë, argumenti i subjektit ishte se ajo ishte marrë me të vërtetë nga bashkëshortja, por ishte marrë për llogari të biznesit të vjerrit dhe ishte shlyer nga i vjerri.

Problemet më të mëdha të Kadanës gjithsesi lidhen me raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. DSIK kishte raportuar fillimisht përshtatshmërinë e subjektit, ndërsa pas pyetjeve shtesë nga KPK kishte përgatitur një raport të dytë, ku konkluzioni ishte krejt e kundërta. Subjekti u mësua se ka një vëlla dhe shumë nipër të hetuar për krim të organizuar, trafik droge dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Komisioni vuri në dukje marrëdhëniet mes subjektit dhe të vëllait e familjes së të vëllait, si dhe faktit që djali i subjektit kishte jetuar për një periudhë në shtëpinë e të vëllait në Kamëz gjatë kohës që ishte student në Tiranë.

Lidhja kryesore problematike është me të vëllain Ramiz Kadana, dhe djalin e Ramizit, Shpëtim Kadana. Ky i fundit është arrestuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe hetuar në Shqipëri për pastrim të produkteve të veprës penale me vlerë miliona euro. Komisioni dukshëm ngriti çështjen nëse kjo mund të konsiderohej si lidhje me elementë të krimit të organizuar apo ishte thjeshtë marrëdhënie familjare. Në dukje u vu fakti se gjyqtari kishte kaluar dy javë në Itali pasi nipi i tij Shpëtim Kadana u nda nga jeta. Gjyqtari, i cili kishte deklaruar në formularin e pastërtisë së figurës problemet e të vëllait dhe nipit me drejtësinë, deklaroi se marrëdhënia e tij ishte ngushtësisht familjare dhe se qëndrimi në Itali lidhej me fatkeqësinë e ndodhur. Sa i përket nipërve të tjerë të shumtë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, të cilëve komisioni iu referua si I.K. K.K dhe A.K, subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetet e tyre dhe as nuk kishte hyrje-dalje familjare.

Në drejtim të etikës profesionale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vërejti se subjekti kishte pasur një shkëmbim me 19 mesazhe telefonike me një person të quajtur F.L, në të cilat, gjyqtari mësohet se ka përdorur “fjalë të zhargonit të rëndomtë”, teksti i të cilave sugjeronte “kërcënim” dhe “ndikim të paligjshëm”. Siç shpjegoi Kadana, mosmarrëveshja kishte lindur kur në prokurorinë e Pukës ishte liruar një vend pune sekretare/ekonomiste. Kishte pasur tre kandidatë, mes të cilëve, bashkëshortja e gjyqtarit. Në raportin e parë nga Prokuroria e Pukës për Prokurorinë e Përgjithshme, dy kandidatë ishin kualifikuar, mes të cilëve nuk ishte bashkëshortja e gjyqtarit. Pas kësaj, njëra prej kandidateve kishte pasur shkëmbimet e mesazheve me Kadanën, në të cilat, Kadana përshkruhet se i thotë personit F.L do ta shohësh ti se kush jam unë dhe do të ndërhyj në Prokurorinë e Përgjithshme. Në aktin final, drejtuesi i Prokurorisë Pukë i dërgon tre emra Prokurorisë së Përgjithshme por vetën dosjen me dokumente të bashkëshortes së gjyqtarit, e cila fitoi vendin e punës. Kadana pranoi vërtetësinë e mesazheve telefonike por mohoi të ketë ndërhyrë në Prokurorinë e Përgjithshme për punësimin e të shoqes. Ai e përshkroi shkëmbimin e mesazheve si një gjaknxehtësi për të cilën kërkonte ndjesë dhe kishte marrë vërejtje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Një përfaqësues i Misionit Ndërkombëtar i Monitorimit, Theo Jacobs, i pranishëm në seancë, nuk pati të njëjtin mendim. Gjatë pjesës së pyetjeve dhe përgjigjeve, Jacobs ndërhyri duke thënë: “Nuk kam pyetje për këtë çështje, por një koment. Nuk po merrem me detajet e pasurisë, por me rastin e punësimit. Në të gjithë karrierën time nuk kam parë kurrë një rast kaq blatant të abuzimit me pushtetin.”

Qëndrimi përfundimtar i Kadanës ishte kërkesa për rikonfirmim në detyrë.

Vendimi pritet të jepet më 20 dhjetor, ora 10.30.

Lexo më shumë: Skeda e pasurisë së deklaruar-Izet Kadana-kryetar i Gjykatës Pukë

Etiketa: Veting
Tjetri
Bebet vdesin në maternitet për mungesë inkubatorësh

Bebet vdesin në maternitet për mungesë inkubatorësh

Më të lexuarat

Kryegjyqtari i Pukës Izet Kadana në vështirësi për të trija kriteret e vetingut

Kryegjyqtari i Pukës Izet Kadana në vështirësi për të trija kriteret e vetingut

19:16 | 18/12/2018
Përfituesit e mëdhenj të programit të Rindërtimit

Përfituesit e mëdhenj të programit të Rindërtimit

17:16 | 17/05/2022
Paqartësi në kërkimet e Komisionerit, KPA shtyn procesin për Rilinda Selimin

‘Para konfirmimit zgjedh familjen’, gjyqtarja Rilinda Selimi mbrohet në KPA

21:11 | 19/05/2022
Në foto: Jeta mes fushave të naftës në Kuçovë

Në foto: Jeta mes fushave të naftës në Kuçovë

17:34 | 17/05/2022
‘Rigjenerimi urban’ i sheshit të Flamurit dëmtoi trashëgiminë historike të Vlorës

‘Rigjenerimi urban’ i sheshit të Flamurit dëmtoi trashëgiminë historike të Vlorës

09:20 | 16/05/2022
Kapedani përballet me dyshimet e ONM-së për ‘kontakt të papërshtatshëm’

KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Enkeleda Kapedani

12:07 | 18/05/2022
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.