Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
Reporter.al
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Fotogaleri

Viti 2018 në objektivin fotografik të BIRN (Foto)

Ivana DervishiNgaIvana Dervishi
17:58 | 27/12/2018
Në Fotogaleri, Lajme, Në Fokus
Kohe leximi: 7 minuta
A A
0
Viti 2018 në objektivin fotografik të BIRN (Foto)
Share on FacebookShare on Twitter

Nga ndëshkimi i shitësve ambulantë te protestat e shumëta dhe largimi i popullsisë nga vendi, këto ishin ngjarjet kryesore të kapura nga objektivi i BIRN përgjatë 12 muajve të vitit 2018, që po lëmë pas.

Foto: Loreta Cuka

Një shitëse ambulante qëndron përpara dy arkave me luleshtrydhe në hyrje të Tiranës. Gjatë vitit 2018, Bashkia Tiranë intensifikoi masat ndëshkuese ndaj shitësve ambulantë përmes sekuestrimeve të mallit me forcë dhe gjobave. Veprimet e Policisë Bashkiake u shoqëruan përgjatë vitit me kritika të shumëta nga ana e qytetarëve, që i panë ato si barrë e shtuar e varfërisë së tregtarëve të rrugës.

Foto: Loreta Cuka/BIRN
Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Qindra qytetarë protestojnë para parlamentit për të kundërshtuar projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Qeveria Rama lajmëroi planet për dhënien e një sipërfaqe të madhe publike në qendër të Tiranës kompanisë Fusha sh.p.k në këmbim të ndërtimit të një teatri të ri. Artistë dhe aktivistë dolën kundër planeve të qeverisë, duke i quajtur ato haptazi korruptive, ndërsa kërkuan restaurimin e teatrit aktual, që sipas tyre mbart vlera historike. Së fundmi, qeveria u tërhoq nga projektligji i parë që përcaktonte parapraktisht fituesin e garës, pas kritikave të ardhura nga Bashkimi Europian për shkeljen e barazisë së tenderit. Qytetarët dhe aktivistët prej disa muajsh vazhdojnë takimet ditore në mbrojtje të teatrit.

Foto: Loreta Cuka

Një grup kafshëdashësish dhe aktivistësh të të drejtave të kafshëve protestojnë para Bashkisë Tiranë, duke e akuzuar kryebashkiakun Veliaj si vrasës të qenve endacakë, për të cilët bashkia ka hapur një qendër sterilizimi dhe kujdesi. Aktivistët denoncuan zhdukjen e disa qenve të rrugës dhe publikuan video të një depozitimi masiv të qenve në landfillin e Sharrës. Kafshëdashësit në Tiranë e cilësuan praktikën e Bashkisë për kontrollin e kafshëve si çnjerëzore dhe kërkuan shtimin e mbrojtjes së katërputrorshëve në Tiranë.

Foto: Ivana Dervishi

Gazetarë dhe qytetarë protestojnë para Kryeministrisë për të kërkuar ndëshkim të përgjegjësve të një sulmi me armë ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala, më 30 gusht të këtij viti. Lala është gazetare e News 24 dhe mbulon prej më shumë se një dekade raportimin e çështjeve të kriminalitetit dhe sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ajo ka raportuar gjithashtu mbi hetime të kryera ndaj figurave të krimit të organizuar. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi me forcë sulmin e kryer dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të hetojë ngjarjen me urgjencë.

Foto: Ivana Dervishi

Një vajzë tregon për BIRN kushtet e këqija të jetesës në godinat e konvikteve të Rezidencës Studentore Universitare nr. 1 në Tiranë në shkurt 2018. Një sondazh i publikuar  nga qendra Qëndresa Qytetare zbuloi se rreth 65% e studentëve i vlerësojnë kushtet higjienike të tualeteve të konvikteve si të këqija dhe pohojnë se uji i rrjedhshëm në to mungon. Studentët përballen gjithashtu me orare të kufizuara dushesh, pasiguri ushqimore dhe dhoma me lagështi.

Foto: Loreta Cuka

Aktivistë të të drejtave të njeriut protestojnë para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, duke kërkuar shtimin e mbrojtjes për gratë e dhunuara. Dhuna ndaj grave është një problem mjaft i përhapur në Shqipëri, i cili vitet e fundit tërhoqi protesta të shumëta të shoqërisë civile, prej rasteve të përsëritura të dhunimit apo vrasjes së grave, edhe kur ato kishin siguruar urdhër mbrojtjeje nga gjykata. Së fundmi, Shqipëria hartoi një projektligj që shton mbrojtjen e grave të dhunuara dhe jep më shumë mundësi për rehabilitimin e dhunuesve.

Foto: Loreta Cuka/BIRN

Komuniteti LGBTI marshon kundër bullizmit dhe paragjykimeve në Tiranë më 13 maj 2018. Gjatë këtij viti, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit të lesbikeve, gejve, biseksualëve dhe transeksualëve në Shqipëri mori përmasa të gjera për shkak të një debati të ndezur nga media për vizitat e aktivistëve të të drejtave të njeriut në gjimanzet e kryeqytetit për të nënvijëzuar dëmet psikologjike që shkakton bullizmi te diversiteti seksual.

Foto: Ivana Dervishi

Një grua ecën duke tërhequr një valixhe në Tiranë. Largimi masiv i shqiptarëve nga atdheu përmes kontratave të punësimit, kërkimit të azilit dhe aplikimit për Llotarinë Amerike shkaktoi gjatë 2018-ës frikë për zbrazjen e atdheut prej forcës së specializuar punëtore dhe plakjen e popullsisë.

Foto: Ivana Dervishi

Një i mitur nga Shqipëria pozon për një foto në shtëpinë e tij në Shkodër, pasi është kthyer nga autoritetet franceze në atdhe. Djali ishte një nga mijëra të miturit shqiptarë që kërkuan azil në vendet e BE-së, me pretendimin e braktisjes nga prindërit e tyre. Të dhënat e autoriteteve italiane dhe franceze si dhe të Eurostat tregojnë se vetëm në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndodhen rreth 3 mijë fëmijë shqiptarë të moshës 7-17 vjeç, të cilët kanë aplikuar për azil përgjatë 4 viteve të fundit.

Foto: Loreta Cuka

Një fëmijë vrapon në ish-kampin e Tepelenës gjatë një ceremonie përkujtimore të viktimave. Nga viti 1945 deri në 1955, mijëra njerëz, më së shumti gra e fëmijë vuajtën izolimin dhe keqtrajtimin në një kamp të ngritur në Tepelenë, për shkak të lidhjeve të tyre familjare me “armiqtë” e shtetit. Të mbijetuarit kanë dëshmuar gjerësisht mbi kushtet çnjerëzore. Disa nga kujtimet e mbledhura nga studiuesit pas rënies së komunizmit tregojnë se si qindra fëmijë vdiqën si pasojë e mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve. Shqipëria megjithatë ka bërë pak përpjekje për t’i sjellë drejtësi viktimave.

Foto: Loreta Cuka

Një pjesëtare e Albanian Rafting Group gjatë një aventure rafting në Kanionet e Osumit. Në janar të këtij viti publikimi i vendimeve për ndërtimin e HEC-eve në një nga zonat më tërheqëse për turizmin e aventurës në vend, ngjalli reagimin e opinionit publik dhe të organizatave mjedisore, të cilat denoncuan se ka pasur ‘falsifikime’ të dokumenteve shtetërore të projektit koncesionar. Nën presionin e opinionit publik, kryeministri Edi Rama deklaroi  se do të anulojë projektin e HEC-eve dhe la të kuptohej se manipulimi i dokumenteve ishte zbuluar pas miratimit të lejes së tyre, e zbardhur në mbledhjen e 12 dhjetorit 2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit. Kanioni i Osumit është kanioni më i madh lumor në Shqipëri dhe vitet e fundit falë praktikimit të rafting, është kthyer në një nga pikat kryesor të turizmit aventuror duke tërhequr vizitorë vendas, por edhe turistë të huaj.

Foto: Loreta Cuka

Zenel Drangu, një ish i dënuar për 16 vjet në burgun e Spaçit tregon vuajtjet e tij dhe të burgosurve të tjerë për një grup aktivistësh të të drejtave të njeriut. Burgu i ndërtuar në vitin 1968, u përdor në funksion të minierës së Spaçit, të pasur me bakër dhe Pirit. Ai është monument i trashëgimisë kulturore që nga viti 2007, por në tre dekadat e fundit ka shkuar drejt degradimit të shpejtë. Ekspertët po kthejnë sytë nga Spaçi me synimin e ruajtjes së tij si një kujtesë e hidhur e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe diktaturës në Shqipëri.

Foto: Ivana Dervishi

Një aktivist mjedisor proteston krah Kryeministrisë në Tiranë duke kërkuar mbrojtje të lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës, ku qeveria shqiptare ka dhënë disa leje për ndërtimin e hidrocentraleve. Aktivistë mjedisorë dhe banorë të zonës së prekur kanë luftuar prej disa vitesh tashmë kundër HEC-eve dhe kanë nxitur qeverinë ta kthejë Vjosën në Park Kombëtar. Një studim i RiverWatch, një organizatë europiane për mbrojtjen e lumenjve zbuloi se në Ballkan janë planifikuar më shumë se 2800 projekte hidroenergjetike, 187 prej tyre janë në ndërtim dhe mbi 1000 HEC-e pritet të jenë brenda zonave të mbrojtura.

 

Foto: Ivana Dervishi
Foto: Ivana Dervishi

Një vajzë lexon një libër gjatë një proteste para Ministrisë së Arsimit në muajin dhjetor, ku mijëra studentë kërkuan përmirësimin e sistemit arsimor shqiptar, ndërsa e deklaruan si shkatërrimtar për universitetin ligjin për arsimin e lartë të qeverisë Rama. Studentët protestuan për rreth dy javë dhe kërkuan plotësimin e 8 pikave, të cilat ata i shohin si të domosdoshme për një arsim cilësor në vend. Protesta e studentëve ngjallën gjithashtu shpresë dhe entuziazëm te qytetarët e tjerë, të cilët e panë protestën studentore si një revoltë ndaj pakënaqësisë dhe kushteve të këqija ekonomike dhe demokratike në Shqipëri.

Foto: Ivana Dervishi

Qytetarë kalojnë nën një ndërtesë të lartë që po ndërtohet në qendër të Tiranës. Gjatë vitit 2018 kryeqyteti pa një shtim të lejeve të ndërtimit, kryesisht të ndërtesave të larta në qendër të qytetit. Lejet e dhëna u shoqëruan me shqetësime dhe pakënaqësi nga qytetarët, sipas të cilëve zëri i tyre nuk po dëgjohet nga bashkia dhe politikanët. Me një popullsi të regjistruar prej 884 mijë banorësh në janar 2018, Tirana mban vendin e parë për dendurinë e popullsisë në Shqipëri. Të paktën 15 kulla të larta pritet të ngrihen  në vitet e ardhshm rreth qendrës së Tiranës, tashmë të tejmbushur me ndërtime – sipas një analize të revistës Monitor.

Foto: Loreta Cuka

Protestues të Partisë Demokratike në opozitë gjatë një përballje me forcat speciale të policisë në një protestë para Ministrisë së Mbrojtjes, ku u kërkua dorëheqja e ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Pasi publikoi dokumente, të cilat sipas opozitës dëshmonin lidhjet me krimin të vëllait të ministrit socialist Xhafaj dhe e kompromentonin atë në ofrimin e lehtësirave për të, Partia Demokratike ushtroi presion ndaj qeverisë për largimin e Xhafajt. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj vazhdoi të mbante detyrën edhe për disa muaj, derisa dha dorëheqjen papritur më 27 tetor 2018 pa dhënë shpjegime për arsyet.

Foto: Ivana Dervishi

Banorë të zonës së Astirit në unazën e Re protestojnë para Bashkisë duke kërkuar kompensim të drejtë për shtëpitë e tyre, në proces legalizimi. Projekti i unazës së re, i cili shtrihet nga rrethrrotullimi Shqiponja drejt Pallatit me Shigjeta prek mbi 300 objekte të projektuara për shembje. Banorët e ddërtesave pa leje dhe pa status ligjor refuzuan të merrnin bonus qiraje dhe të përfshiheshin në listën e banesave sociale, duke akuzuar qeverinë për cenim të të drejtës së pronës. Projekti i Unazës së Re u përfshi gjithashtu në një skandal së fundmi, me zbulimin e dokumenteve të falsifikuara të një prej kompanive fituese, pas të cilës dyshohet se fshihet firma Gener 2 e biznesmenit Bashkim Ulaj.

Foto: Ivana Dervishi

Forca të shumëta policore kanë rrethuar gjykatën e Tiranës, ku jepej masa e sigurisë për 23 protestues të arrestuar në Kukës. Pas lajmërimit të vendosjes së një takse kalimi prej rreth 5 eurosh në rrugën Durrës-Kukës, më 31 mars mbi dy mijë protestues, kryesisht banorë të Kukësit i  vunë zjarrin vendpagesave të koncesionarit “Albanian Highway Concession”. Policia arrestoi 23 protestues, ku për 11 prej të cilëve prokuroria kërkoi masë arresti me burg. Qytetarët dhe opozita kërkuan lirimin e protestuesve me arsyetimin e lirisë së tubimit.

Tjetri
Shqipëria nuk do të ndërtojë kampe refugjatës, thotë Rama

Shtatë organizata i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga ligjet për mediat

Më të lexuarat

Viti 2018 në objektivin fotografik të BIRN (Foto)

Viti 2018 në objektivin fotografik të BIRN (Foto)

17:24 | 07/01/2022
Gjyqtari Emiljano Ruli përballet me probleme të pasurisë

Gjyqtari Emiljano Ruli përballet me probleme të pasurisë

18:28 | 11/05/2022
Marsida Frashëri dërgohet për trajnim në Magjistraturë

Marsida Frashëri dërgohet për trajnim në Magjistraturë

16:42 | 13/05/2022
Etien Kapo përballet pa telashe me vetingun

Etien Kapo përballet pa telashe me vetingun

17:35 | 12/05/2022
‘Investime strategjike’: Resortet kërcënojnë zonat e mbrojtura në bregdet

‘Investime strategjike’: Resortet kërcënojnë zonat e mbrojtura në bregdet

18:16 | 10/05/2022
‘Rigjenerimi urban’ i sheshit të Flamurit dëmtoi trashëgiminë historike të Vlorës

‘Rigjenerimi urban’ i sheshit të Flamurit dëmtoi trashëgiminë historike të Vlorës

09:20 | 16/05/2022
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.