Gjyqtari i Fierit Roland Hysi dhe psikologia Elona Meçani përfunduan nën pranga të mërkurën pas një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda në lidhje me skandalin e denoncuar në TV Klan ku psikologia kryen rolin e sekseres ndërsa gjyqtari kërkon para dhe favore seksuale nga një grua e divorcuar që kërkonte kujdestarinë e fëmijës.
Policia shqiptare ekzekutoi dy masa arresti me burg duke ndaluar gjyqtarin e Fierit Roland Hysi dhe psikologen e gjykatës Elona Meçani pas publikimit të një videoje përgjimi kompromentues që përfshinte ryshfet në para dhe favore seksuale.
Policia njoftoi se arrestimi i tyre erdhi pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë të mërkurën, më pak se 12 orë nga publikimi i videos në TV Klan të martën në mbrëmje.
“Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike””, thuhet në njoftimin e policisë.
Dy të ndaluarit gjenden aktualisht në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm është një vepër penale që dënohet deri me 2 vjet burg ndërsa korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dënohet deri në katër vjet burg.
Bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, e cila është në rolin e ndërmjetëses. Në pamje shfaqet fakti se zonja i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi gjyqi të përfundojë në favorin e saj. Ndërkohë, në ambientet e një lokali shfaqet gjyqtari Roland Hysi i cili i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar. [Link]
Ky është i disati rast i skandaleve me korrupsion në drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2016, gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u vu nën hetim, u shkarkua dhe më pas u dënua pasi u denoncua nga një shtetase, e cila gjendej në gjyq divorci, por u shantazhua për të ofruar seks në këmbim të vendimit.
Po në vitin 2016, një video tjetër përgjimi tregoi ish-gjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi i cili gjithashtu kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Boçi u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë por hetimi ndaj tij u pushua pa akuzë në vitin 2018.
Në qershor 2017, ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea u shpall fajtore dhe u dënua me 4 vjet burg me kusht për marrjen e një ryshfeti në masën 50 mijë euro për një çështje gjyqësore civile.
Në nëntor 2018, ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë Shkëlqim Miri u dënua me 2.6 vjet burg pasi u kap duke marrë para nga një i dënuar për vrasje.