
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në mars të këtij viti, autostrada do të hapet vetëm në njërin krah ndërsa afati i ri për përfundimin e punimeve është maji 2019.

Qeveria shqiptare mori një borxh të tretë për të përfunduar punimet në autostradën Tiranë – Elbasan në shtator 2018 duke premtuar se borxhi i ri prej 16 milionë dollarësh do të siguronte përfundimin e punimeve në këtë objekt “brenda vitit” të kaluar.
Por në 9 janar 2019, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, vizitoi kantierin e punimeve dhe deklaroi se ” brenda pranverës rruga do të jetë e hapur e me të gjitha parametrat e duhura” [Link].
“Pas zgjidhjes së ngërçit dhe sigurimit të financimit, punimet po vazhdojnë në kantierin e rrugës Tiranë-Elbasan. Aktualisht, ka mbetur pa u kryer vetëm 6% e volumit total ndërsa brenda pranverës rruga do të jetë e hapur e me të gjitha parametrat e duhura,” deklaroi Gjiknuri në atë rast.
Vetëm dy javë më vonë, kantierin e vizitoi të martën kryeministri Edi Rama. Në një video të transmetuar në faqen e Facebook të kryeministrit, Rama shfaqet duke dëgjuar shpjegimet e një zyrtari i cili nuk prezantohet me emër. Zyrtari i shpjegon kryeministrit se “më 14 mars do të hapet karrexhata e majtë,” ndërsa grafiku i ri i punimeve parashikon që rruga të përfundojë tërësisht më 17 maj 2019.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cila ka një gjatësi prej 27 kilometrash, filloi të ndërtohet në vitin 2011. Rruga pritej të përfundonte në vitin 2015 ndërsa afati i punimeve u shty për në vitin 2018.
Rruga Tiranë – Elbasan është një nga shumë objektet infrastrukturore që kanë tejkalime në afatet e punimeve.