Gjatë seancës paraprake të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, i cilësuari si “Escobari i Ballkanit”, Klement Balili dhe avokati i tij mbrojtës, Theodhori Sollaku kërkuan gjykim të shkurtuar. Gjyqtarja e çështjes, Miliana Muça vendosi të pranojë çeljen shqyrtimit gjyqësor duke pranuar si të plota aktet e dosjes penale të dorëzuar nga prokurori Ened Nakuçi.

Klement Balili dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Theodhori Sollaku kërkuan të premten gjykim të shkurtuar, ndërkohë që Gjykata e Shkalës së Parë për Krime të Rënda vendosi të pranojë për shqyrtim gjyqësor kërkesën e prokurorisë me aktet dhe provat aktuale të dosjes hetimore. Seanca paraprake nisi në orën 12:00 të ditës së sotme dhe përfundoi në orën 14:00. Pas depozitimit të kërkesës së Avokatit Theodhori Sollaku për gjykim të shkurtuar të dosjes penale në ngarkim të klientit të tij, gjyqtarja Miliana Muça vendosi shtyrjen deri në orën 13:30 për të mundësuar praninë e të pandehurit Klement Balili në sallën e gjyqit. Pas transferimit të Balilit në sallën e gjyqit, ai është pyetur nga gjyqtarja lidhur me kërkesën e gjykimit të shkurtuar të kryer nga avokati Sollaku, për të cilën ka konfirmuar dakordësinë e tij.
Gjyqtarja Muça, pasi ka shqyrtuar kërkesën për gjykim të depozituar nga prokurori i çështjes Ened Nakuçi, i ka cilësuar aktet hetimore të plota për nisjen e shqyrtimit gjyqësor. Me pranimin e kërkesës së prokurorisë, pritet që të caktohet edhe treshja gjykuese që do të shqyrtojë çështjen, e cila do të vendosë për pranimin ose jo të kërkesës për gjykim të shkurtuar të kryer nga i pandehuri Klement Balili dhe avokati i tij.
Ndaj Balilit rëndojnë disa akuza në fushën e narkotikëve, organizatës kriminale dhe pastrimit të parave. Konkretisht ai akuzohet për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1 i Kodit Penal; “Forma të veçanta të bashkëpunimit” parashikuar Neni 28/4; “Grupi i strukturuar kriminal” parashikuar Neni 333/a /2; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar Neni 334 /1; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga Neni 257/a/2; dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga Neni 287/1 i Kodit Penal.
Në bazë të veprave penale për të cilat akuzohet, Klement Balili rrezikon dënimin minimal me 7 vite heqje lirie dhe atë maksimal me 15 vite. Nëse gjykata do të pranojë gjykimin e shkurtuar, atëherë ai do të përfitojë edhe uljen e një të tretës së dënimit.
Klemend Balili, 47 vjeç ishte në arrati nga drejtësia greke që nga maji i vitit 2016 si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u vetëdorëzua të martën e javës së kaluar. I etiketuar si “Escobari Ballkanit” dhe si simbol i lidhjes së politikës me krimin, ai arriti t'u shpëtojë një sërë operacionesh policore. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj konfirmoi lajmin e dorëzimit në një konferencë për shtyp të martën e javës së shkuar, ndërsa u përpoq ta paraqesë dorëzimin si rrjedhojë e presionit policor.
Balili u kthye në një telash për politikanët shqiptarë përgjatë dy viteve e gjysmë në arrati, pasi institucionet ndërkombëtare ia rikujtuan shpesh atyre mos arrestimin si një tregues i dështimit të luftës kundër krimit të organizuar.
Veprat penale për të cilat akuzohet Balili
Neni 283/a/1
Trafikimi i narkotikëve
(Shtuar me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998; ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 28/4 Forma të veçanta të bashkëpunimit
- Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.
Neni 333/a /2
Grupi i strukturuar kriminal (Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004)
Krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kyerjen e veprave penale dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 334 /1
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004)
- Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale 218 përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim.
Neni 257/a/2
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim
Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 287/1 Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet: a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; 181 dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; – dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.