Një studim i realizuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas Shqiptare, AWEN tregon se 1 në 4 vajza në marrëdhënie intime gjatë adoleshencës ka përjetuar dhunë nga partneri. Raporti te djemtë është 1 me 5.
Prania e dhunës në marrëdhëniet intime të adoleshentëve shqiptarë ishte në qendër të një studimi të publikuar të premten në Tiranë nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas Shqiptare, AWEN. Studiuesit anketuan 1036 të rinj e të reja të moshës 16 deri në 19 vjeç, të gjithë nxënës të gjimnazeve në zona urbane dhe rurale të vendit.
Duke e parë nga këndvështrimi gjinor, studimi synoi të hedhë dritë ndaj fenomenit dhe karakteristikave të dhunës në marrëdhëniet intime të moshave 16-19 vjeç në Shqipëri. Shqetësues sipas ekspertëve ishte zbulimi se 20 për qind e të rinjve në marrëdhënie intime raportuan të kenë përjetuar dhunë.
Përkufizimi i dhunës në studimin “Dhuna në Marrëdhëniet Intime në Adoleshencë në Shqipëri” u përkufizua si abuzim fizik, psikologjik, seksual, financiar dhe/ose dixhital me pasoja afatgjata shëndetësore, psikologjike, arsimore dhe ekonomike për viktimat.
“1 në 4 vajza në një marrëdhënie intime në adoleshencë ka përjetuar dhunë nga partneri,” zbuloi studimi. Kjo shifër te djemtë ishte 1 në 5 djem, të përballur me forma të ndryshme të dhunës në marrëdhënie.
Ekspertët vlerësuan se prania e dhunës në familje krijon një zinxhir që lidh në dhunë fëmijët, duke i kthyer ata në dhunues ose të dhunuar, shifër kjo më e lartë sesa te familjet ku dhuna nuk ekziston. Vajzat kanë trefish më shumë gjasa se djemtë të dhunohen fizikisht dhe 2.5 herë më shumë gjasa të kërcënohen apo poshtërohen.
Po ashtu, në rastin kur të rinjtë e shohin dhunën si disi të pranueshme ata kanë më shumë shanse të dhunohen. Ines Leskaj, drejtuese e AWEN bëri thirrje për më shumë reagim ndaj provave të dhunës.
“Për fat të keq jemi një shoqëri e dhunshme dhe kjo po vihet re çdo ditë e më shumë,” u shpreh Leskaj, duke iu referuar një rasti të bërë mediatik gjatë fillimit të shkurtit, i ndodhur në qytetin e Kavajës.
Plot 89 për qind e të rinjve të anketuar janë shprehur se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një problem serioz në komunitetin ku jetojnë. Për shkak të konsiderimit të marrëdhënieve intime në moshë të re si tabu dhe mentalitetit të mbyllur të familjeve shqiptare se seksi duhet të konsumohet vetëm gjatë lidhjeve në fejesë apo martesë, i ka mbyllur gojën të rinjve shqiptarë përballë raportimit të dhunës tek familjarët dhe të afërmit.
“Rreth gjysma raportojnë se ka pak ose aspak mundësi t'i tregojnë dikujt në rast se janë viktimë e një dhunimi psikologjik, fizik apo seksual,” thuhej në studim.
Ndërsa adoleshentët shfaqen më të sensibilizuar kundër dhunës fizike, ata gjithsesi kanë më pak njohuri për format e saj psikologjike. Më shumë se gjysma e tyre e konsiderojnë të pranueshëm kontrollin e rrjeteve sociale të partnerit/es dhe përcaktimin e njerëzve me të cilët ata shoqërohen.
38% dhe 28% e tyre konsiderojnë respektivisht të pranueshëm të bërtiturit dhe injorimin e partnerit/es. Një tjetër gjetje shqetësuese sipas studiueseve ishte edhe fakti se gjysma e vajzave adoleshente në marrëdhënie intime nuk përdornin masa mbrojtëse, praktikë kjo që prekte gjithashtu 1 në 3 djem. Mosha 16 vjeçare ishte mosha mesatare kur të rinjtë në vend nisnin një marrëdhënie intime.
E pranishme në prezantimin e studimit qe edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë Etleva Sheshi, e cila tërhoqi vëmendjen për ekzistencën e disa linjave të shërbimit në mbrojtje të viktimave të dhunës.
Një nga ekspertet e studimit, Mirela Arqimandriti u shpreh se një nga sfidat e studimit ishte hyrja në shkolla për të marrë në analizë fenomenet që prekin të rinjtë shqiptarë dhe i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit që të tregojë më shumë gatishmëri në këtë aspekt.