Një numër personash të paidentifikuar u shfaqën me katër automjete në pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” ku shqyen me dhunë një derë në ndërtesën që qe planifikuar më parë të përdorej si KZAZ. Policia thotë se po heton ngjarjen.
Rreth 15 persona me katër automjete të ndryshme dhe që dukej se ishin parapërgatitur me leva dhe mjete të tjera u përplasën me forcat e policisë së rendit dhe policisë bashkiake në Shkodër pranë mjediseve të pallatit të sportit “Qazim Dervishi” të premten në mesditë dhe u larguan pa u ndaluar nga policia pasi dëmtuan pjesërisht qepenin e një dere.
Sipas dëshmitarëve, automjetet ishin një Mercedez CLS ngjyrë e zezë, një Opel Corsa e bardhë, një Pasat jeshil dhe një automjet tjetër gri dhe nga to zbritën rreth 15 persona. Ata debatuan fillimisht me një oficer të policisë së shtetit dhe dy punonjës të policisë bashkiake Shkodër duke i kërcënuar. Tentativa e njërit prej policëve për t’i filmuar me celular përfundoi me kërcënimin e tij.
Forcat shtesë të policisë duket se mbërritën me vonesë dhe ishin tepër të pakët, vetëm një makinë me disa oficerë, bënë të ditur dëshmitarët. Personat sulmues enigmatikë ndërkohë ishin larguar nga vendngjarja.
Mësohet se agresorët kanë marrë një kompjuter, një tubë me dokumenta dhe vulën e KZAZ 2 e cila s’do jetë më tek pallati i sportit por tek shkolla “Arben Broci”, shkollë kjo në administrim të ministrisë së mirëqënies sociale dhe jo bashkisë Shkodër.
Çelësat e pallati të sportit janë në duart e Bashkisë së Shkodrës, e cila thotë se zgjedhjet janë shtyrë në bazë të dekreteve të presidentit Ilir Meta. Aty ishte planifikuar më herët të vendosej Komizioni Zonal i Administrimit Zgjedhor nr. 2, por ky komision është zhvendosur sakaq për te shkolla “Arben Broci”, një shkollë profesionale që administrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe jo nga bashkia.
I gjithë ky aksion ka zgjatur 12 minuta dhe këta persona kanë thyer derën me daltë e çekiç duke marrë materialet që ndodheshin brenda. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë të pallatit të sportit por edhe subjekteve afër. Policia nuk ishte në gjendje të shpjegonte motivet e sulmit dhe as përkatësinë politike të sulmuesve, por një pjesë e medias mendon se bëhet fjalë për militantë socialistë [Link].