Prokuroria kërkoi dënimin me burg për gjyqtarët e Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, si edhe të biznesmenit Namik Sadiku, për akuzën e korrupsionit. Të tre gjyqtarët janë deklaruar para gjykatës të pafajshëm bashkë me biznesmenin Sadiku.
Tre gjyqtarë të akuzuar se përfituan një udhëtim turistik në Barcelonë nga një biznesmen palë në një çështje gjyqësore të shqyrtuar prej tyre u përballën me akuzën e prokurorisë për korrupsion, ndërsa të akuzuarit e kanë deklaruar veten jofajtorë para gjykatës. Prokuroria dha pretendimet përfundimtare në seancë gjyqësore të mërkurën më 11 shtator, duke kërkuar tre vite e gjysmë burg për gjyqtarët Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, dhe tre vite për gjyqtarin Petrit Çeno.
Prokuroria kërkoi dy vjet burg për biznesmenin Namik Sadiku, i cili akuzohet se korruptoi gjyqtarët. Të katër të pandehurit kanë përfituar gjykim të shkurtuar dhe nëse shpallen fajtorë, do të marrin ulje të një të tretës së dënimit.
Sipas prokurorëve Klodian Braho dhe Arenc Çela, të katërt ndërmorrën një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, udhëtim, që dyshohet se u pagua nga biznesmeni Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik. Gjyqtarët akuzohet se dhanë një vendim të favorshëm për biznesmenin në një proces gjyqësor civil.
Udhëtimi përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Konflikti gjyqësor ku dyshohet se është favorizuar biznesmeni Sadik lidhet me ndërtimin e një hoteli 10 katësh nga ana e tij në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në shkurt të vitit 2012, Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina i cili kishte dalë fitues në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Por, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të martën, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm katër të pandehurit, por mungonin disa prej mbrojtësve ligjorë të zgjedhur prej tyre, të cilët u zëvendësuan nga avokatë kryesisht. Kur prokurori Arenc Çela po paraqiste rrethanat e ngjarjeve për të cilat akuzohen gjyqtarët, një prej avokatëve i kërkoi gjykatës që akuza t’i paraqiste konkluzionet në mënyrë më të përmbledhur. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata dhe prokurori tejkaloi tetë faqe të konkluzioneve përfundimtare duke rinisur nga analiza e provave.
Gjatë leximit të konkluzioneve, prokurori Çela tha se i njëjti person ka kryer rezervimin e dhomave në hotelin në Spanjë dhe se biletat e dhomave janë prenotuar në të njëjtin rezervim. Çela u ndërpre nga i pandehuri Petraq Dhimitri i cili kërkoi që organi i akuzës të përcaktojë emrin e personit që kishte kryer rezervimin e hotelit në Spanjë. “Cili i ka rezervuar, të thotë emrin. Të përcaktojnë se cili ka paguar”, kërkoi Dhimitri të cilit ju tërhoq vëmendja nga kryesuesja e trupës gjykuese, Irena Gjoka.
Prokurori Arenc Çela tha se shpjegimet e të pandehurve dhe pretendimet e tyre janë kontradiktore, vijnë në kundërshtim me provat e tjera të administruara në këtë gjykim dhe se nuk mund të cënojnë vlerën.
Udhëtimi në Itali
Sipas prokurorisë, në udhëtimin e parë drejt Italisë, kanë qenë Spahiu, Dhimitri, Namik Sadiku dhe një shtetas i quajtur Artan Shqypi, i cili kishte prenotuar edhe biletat. Nga hetimet ka rezultuar se më datë 2 tetor 2014 në të njëjtën orë, kanë udhëtuar të gjithë së bashku me destinacionin Tiranë-Romë me linjën ajrore “Alitalia”, me numër fluturimi “AZ 510/507” dhe janë kthyer të gjithë më datë 5 tetor 2014, në të njëjtën orë, me destinacion Bari-Tiranë, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas, me linjën ajrore “Alitalia”, me numër fluturimi “Bari 588-589”.
Si provë prokuroria ka paraqitur deklarimet e pronarit të agjencisë ku ishin prerë biletat, Artan Shqypi dhe të një shtetasi italian nga Napoli, në shtëpinë e të cilit kishin qëndruar të akuzuarit. Sipas prokurorisë, pronari i agjensisë ka pranuar se i kishte shitur Shqypit biletat për atë vetë dhe gjyqtarët Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, por nuk e mbante mend nëse ndër to bënte pjesë edhe bileta për biznesmenin Sadiku. Ndërkohë, Artan Shqypi ka dëshmuar për udhëtimin drejt Italisë në shoqërinë e dy gjyqtarëve, por ka mohuar që me ta të ketë qenë edhe biznesmeni Sadiku. Shqypi ka deklaruar se, ai ka qëndruar së bashku me Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin në Napoli, në provincën “Scafati” dhe se aty janë strehuar në vilën e mikut të tij në Itali me emrin Ferdinando Molo. Ky i fundit ka deklaruar se në shtëpinë e tij kishte qenë Shqypi, gjyqtari Petraq Dhimitri dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njihte, por njëri ishte prezantuar si gjyqtar.
Udhëtimi drejt Madridit
Udhëtimi i dytë drejt Madridit, sipas prokurorisë është paguar nga një funksionar i ambasadës shqiptare në Spanjë, por që nga hetimi ka rezultuar i afërm i biznesmenit Namik Sadiku.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se më datë 24 tetor 2014 të pandehurit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Çeno dhe djali i këtij të fundit, kanë udhëtuar së bashku në të njëjtën orë me linjën ajrore nga Tirana në Romë. Ndërkohë, po të gjithë janë kthyer më datë 26 tetor 2014 nga Roma në Tiranë në linjë ajrore. Nga hetimet ka rezultuar se ky udhëtim është bërë me qëllim për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid, midis skuadrave Real Madrid dhe Barcelona.
Nga këqyrja e dokumenteve në agjencinë e udhëtimit dhe nga shpjegimet e punonjëses, prokurorisë i ka rezultuar se biletat e udhëtimit për tre gjyqtarët dhe biznesmenin Namik Sadiku, kanë pasur fillimisht rezervim më datë 12 tetor 2014, por janë anulluar dhe nisja është realizuar më datë 24 tetor 2014.
Ndërkohë nga aktet e dërguara prej autoriteteve të drejtësisë spanjolle ka rezultuar se rezervimi dhe parapagimi i dhomave në hotelin “Novotel” Hotels&Resorts në Madrid (i quajtur më parë “Hotel Covencion”) në të cilin qëndruan gjyqtarët, është kryer nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, për datat 24 deri në 26 tetor 2014.
Rezervimi, sipas prokurorisë, ka qenë fillimisht për tre dhoma, por një prej tyre, ajo që do të zihej nga Sadiku është ç’regjistruar. Ky i fundit ka qëndruar në hotelin “NH Colletion Abscal” në datat 23-26 tetor 2014. Rezervimi edhe për të është kryer nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë me një vlerë prej 346.50 euro.
Sipas prokurorisë, nga të dhënat e dërguara nga drejtësia spanjolle, rezulton se gjyqtarët nuk kanë paguar për asnjë prej faturave. Nga hetimi ka rezultuar se rezervimi dhe pagesa është bërë me kartë krediti nga Fatjon Pula, i cili ka ushtruar funksionin e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid, Spanjë. Pula ka shpjeguar para prokurorëve se ka njohje me Sadikun dhe se e ka takuar atë në Spanjë në muajin tetor të vitit 2014. Sipas prokurorisë, Namik Sadiku është kushëri i vjehrrës së shtetasit Fatjon Pula. Ndërkohë, Pula ka mohuar të ketë pasur njohje me të pandehurit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, edhe pse rezulton se ka paguar për ta.
Ai ka pranuar para hetuesve se ka bërë rezervimin në hotelet e mësipërme për të pandehurin Namik Sadik. I pyetur në lidhje me rezervimin e dy dhomave të tjera në ‘Hotel Convencion’, ka shpjeguar se personat në fjalë nuk i njeh, mundet që ndonjë i njohuri i tij t’i ketë kërkuar që të kryejë rezervimin, por nuk i kujtohet se cili person konkret i’a ka kërkuar që të kryejë këtë rezervim.
Prokuroria thekson se biznesmeni Namik Sadiku ka kryer disa komunikime telefonike me tre gjyqtarët e pandehur. Sipas prokurorisë, nga hetimet rezulton që për periudhën tetor – dhjetor 2014, Namik Sadiku ka pasur 10 telefonata dalëse dhe 6 hyrëse me gjyqtarin Petrit Çeno. Po ashtu rreth të njëjtës periudhë ai kishte bërë 7 biseda me gjyqtarin Petraq Dhimitri dhe 8 të tilla me Kliton Spahiun.
Gjatë pretencës, prokurori Çela tha se i pandehuri Petraq Dhimitri ka pretenduar se në muajin tetor 2014 nuk ka qenë pjesë e trupës gjyqësore që ka gjykuar çështjen gjyqësore me palë të paditur Namik Sadik, por se ai është bërë pjesë e trupit gjykues në një kohë të mëvonshme.
“Duke ju referuar provave të administruara rezulton se I pandehuri petraq Dhimitri nuk ka qenë pjesë e trupës gjyqësore që në momentin e realizimit të shortit për çështjen gjyqësore civile, por nga ana tjetër, nuk rezulton që ai të jetë zgjedhur me short… .”, pohoi prokurori Çela.
“Duke vlerësuar drejtë vlerën provuese të provave direkte dhe indirekte të mësipërme, duke i vlerësuar ato në unitet me njëra-tjetrën, krijohet bindja dhe provohet tej çdo dyshimi se të pandehurit Kliton spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno kanë përfituar nga i pandehuri Namik Sadiku përfitime të paregullta, me qëllim favorizimin e tij në procesin gjyqësor”, pohoi prokurori Çela.
Mbrojtja e Spahiut
Gjatë seancës së të mërkurës paraqiti konkluzionet përfundimtare i pandehuri Kliton Spahiu. Në fjalën e tij, Spahiu u ndal tek padia e kundërshtarit të të pandehurit Sadik, biznesmenit Oliver Ushina. Ai tha se padia e këtij të fundit ishte pranuar pjesërisht nga Shkalla e Parë dhe se më pas ishte rrëzuar nga Apeli, ndërsa aktualisht gjendej në Gjykatën e Lartë, pasi ishte kryer rekurs. Spahiu pretendoi se gjithçka ishte sajuar kundrejt tyre pasi Ushina ishte baxhanaku i shefit të task-forcës në atë kohë, Dritan Gina. “Dritan Gina është baxhanaku i Ushinës dhe e kaloi kallëzimin e tij tek Krimet e Rënda. Për disa vjet prokurorë të ndryshëm kanë kërkuar ta pushojnë pasi nuk ka prova dhe vetë një nga prokurorët që po e përfaqëson ka dhënë më parë dorëheqjen. Kam kërkuar përjashtimin e prokurorit Klodian Braho për lidhje me Adriatik Llallën… Dhe dihen lidhjet e tij me Rovena Gashin”, tha Spahiu duke aluduar se akuzua e ngritur ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë ishte e sajuar. “Për udhëtimin tim në itali, akuza nuk ka përcaktuar faktin penal dhe nuk tregohet mekanizmi penal se si është kryer”, theksoi gjyqtari Spahiu.
Më pas ai përmendi si argument për mos ekzistencën e provave një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. “Gjykata e Krimeve të Rënda, për masën e sigurimit është shprehur se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për faktin penal”, pohoi ai. Më tej Spahiu tha se nuk kishte komunikime me të pandehurin Namik Sadik dhe se për udhëtimin në Itali, dëshmitari ka pohuar se biznesmeni në fjalë nuk ka udhëtuar me ta dhe se ka shkuar në një destinacion tjetër, rreth 280 kilometra larg Napolit, ku ai kishte shkuar me kolegët.
Lidhur me udhëtimin dhe qëndrimin në Spanjë, Spahiu tha se pagesa e hotelit është kryer nga djali i kolegut Petrit Çeno, E.Çeno. “E. Çeno ka thënë se kur ka mbërritur në hotel i ka marrë paratë dhe pasaportat të atit dhe ne të tjerëve dhe ka shkuar të kryejë pagesën. Ndërkohë, dëshmitari Fatjon Pula ka thënë se Namik Sadiku nuk i ka thënë të prenotojë për ne. Nuk rezulton të ketë pagesa të kryera nga Sadik për këto udhëtime. Provat e prokurorisë zbardhin pafajësinë tonë”, deklaroi Spahiu.
Ai shtoi se komunikimet telefonike me biznesmenit Namik Sadik mund të ishin kryer edhe me persona të tjerë, pasi ai këtë telefon e linte në recepsionin e hotelit të tij dhe përgjigjeshin punonjësit e turnit.
Në fund, i pandehuri Kliton Spahiu tha se kallëzuesi Ushina ka pasur lidhje me drejtues të prokurorisë dhe ka kryer edhe kallëzime të tjera për gjyqtarë të tjerë dhe se këto ishin sajesa të tij.
“Kërkoj deklarimin e pafajshëm”, përfundoi mbrojtjen e tij gjyqtari Kliton Spahiu. Më pas e mori fjalën avokati i caktuar kryesisht i Spahiut, i cili edhe ai kërkoi deklarimin e tij të pafajshëm. Ndërsa të pandehurit dhe avokatët e tjerë kërkuan kohë maksimale për të përgatitur konkluzionet e tyre përfundimtare.
Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 26 shtator, ora 12:00.