Një tryezë bisedimesh e thirrur nga OSBE të mërkurën për të nisur procesin që mund t’i japë vendit një reformë zgjedhore, u prit me entuziazëm nga ndërkombëtarët por përfundoi me atë që ambasadori i OSBE e quajti “mundësi e humbur”.
Bisedimet për një reformë të mundshme zgjedhore mes palëve politike në Shqipëri nisën të mërkurën me një tryezë të thirrur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, por duket se përfunduan shpejt pa ndonjë rezultat konkret.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mëngjesin e së mërkurës u lavdërua nga ambasada amerikane pikërisht për vendimin për të marrë pjesë në tryezë, akuzoi mesditën e së mërkurës kryeministrin Edi Rama për atë që e quajti “refuzim të ofertës së faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës”.
Tryeza, në të cilën merrnin pjesë deputetë të Partisë Socialiste, deputetë të të ashtuquajturës “opozitë parlamentare” si dhe përfaqësues të partive politike jashtëparlamentare si PD, u interpretua gjerësisht si një sinjal për arritjen e një marrëveshjeje të re politike në Shqipëri mes dy forcave kryesore politike të vendit, PS dhe PD por kjo e fundit duket se vijoi të vendosë parakushte.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët ishin në nivel të ulët, e braktisën sallën shpejt pasi thanë se kusht i tyre ishte hetimi dhe dënimi i dosjeve të njohura të falsifikimit zgjedhor, si rasti i Shijakut dhe i Dibrës. Ndërkohë, Ralf Gjoni, deputet në opozitë, braktisi sallën në protestë duke e quajtur konferencën maskaradë dhe pazar në kurriz të qytetarëve.
Kjo la efektivisht deputetët socialistë të diskutonin me përfaqësues të disa shoqatave.
Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt i tha gazetaëve në përfundim të tryezës se “nuk ishte i lumtur” dhe se “njerëzit po humbasin mundësitë që po u ofrohen”, por pa dhënë shpjegime se për cilët njerëz dhe çfarë mundësish bëhet fjalë.
Mëgjesin e së mërkurës, ambasada e SHBA në Tiranë duket se u përpoq të mbështesve vendimin e kryetarit të PD Lulzim Basha për të marrë pjesë në tryezë duke e përshëndetur atë me një status në Facebook.
“Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë,” shkruhej në deklaratë.
Një marrëveshje e re mes PD-së dhe PS-së për reformë zgjedhore shihet si një mundësi rrugëdaljeje nga një krizë që ka mbërthyer vendin që nga janari i këtij viti, kur PD dhe LSI vendosën të braktisin parlamentin dhe të mos hyjnë në zgjedhje.
Shenjat për afrim të qëndrimeve mes dy palëve janë dhënë sakaq që nga shtatori i këtij viti, kur opozita jashtëparlamentare nuk iu rikthye protestave në rrugë ndërsa kryeministri Edi Rama duket se ka ndërprerë komentet tallëse dhe fyese ndaj krerëve të opozitës.
PD dhe PS kanë arritur marrëveshje të tilla edhe më herët, ku më të mëdhatë ishin në vitin 2003 dhe 2008. Megjithatë, kjo është hera e parë që palët janë ulur në tryezë për marrëveshje në kushtet kur PD është jashtë parlamentit.