Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 11 vota vendimin për emërimin e tetë prokurorëve në SPAK. Prokurorët fillojnë punë pas betimit para Presidentit të Republikës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi të hënën me 11 vota vendimin për emërimin e tetë prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK. Tetë prokurorët që tashmë kanë kaluar procesin e vetingut me formë të prerë si edhe janë renditur në 15-të të parët gjatë përzgjedhjes nga KLP janë: Altin Dumani i cili aktualisht është drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda; Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme; Edvin Kondili, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi në Prokurorinë për Krime të Rënda, Elida Celami(Kaçkini) në Prokurorinë e Tiranës dhe Enkeleda Millonai në atë të Elbasanit.
Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi tha në çelje të mbledhjes plenare se pas miratimit të emërimit të tetë prokurorëve të SPAK, ata do të betohen para Presidentit të Republikës për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi në këtë institucion. Betimi para Presidentit do të kryhet më datë 19 dhjetor dhe vendimi për emërimin e tetë prokurorëve të SPAK hyn në fuqi.
SPAK duhej të ngrihej me 10 prokurorë që kishin kaluar vetingun me vendim të formës së prerë, por burime nga KLP thanë se kjo nuk pengonte nisjen e punës, ndërsa më vonë sipas tyre drejtuesi i SPAK mund të caktonte prokurorët që i mungojnë strukturës apo kryej emërime të përkohshme.
Ndërkohë, prej të hënës më datë 25 nëntor, për një afat kohor prej 15 ditësh është hapur gara për të aplikuar për pozicionin e drejtuesit të SPAK.
Metodologjia për vlerësimin e kandidatëve për këtë pozicion merr në konsideratë disa kritere: eksperiencën në ndjekjen e çështjeve sensitive; aftësinë në organizimin dhe drejtim; ekseriencë në hartimin e rregullave administrativë; eksperiencë në çështje me ndjeshmëri të lartë publike ku është nevojitur edhe bashkëpunimi me median; eksperiencë në menaxhimin e burimeve njerëzore; vizioni dhe plani që do të ndiqen për krijimin e SPAK dhe imazhi publik i kandidatëve.
Anëtarët KLP u ndanë lidhur me mënyrën e procedurës së pikëzimit të kandiatëve për pozicionin e drejtuesit të SPAK. KLP njoftoi se anëtarët e Komisionit të Posaçëm pretenduan se ishin në gjendje të bëjnë pikëzim objektiv mbi gjithë dokumentacionin që kanë marrë në shqyrtim. Por anëtarët e tjerë të KLP miratuan me 6 vota pro dhe 5 kundër metodologjinë për vlerësimin e kandidatëve për drejtues në Prokurorinë e Posaçme. KLP vendosi se vleresimi do të bëhet nga Këshilli me pikëzim për secilin kandidat, pas seancës së intervistave.
Gjithashtu, me 8 vota pro dhe 3 kundër u vendos se intervista me kandidatët do të konsiderohet një mjet vleresimi plotësues, por nuk do të jete pjesë e pikëzimit të kandidatëve për drejtues të SPAK. Drejtuesi do të vleresohet me pikë në 7 kriteret e sipërcituara të paracaktuara në metologjinë e vlerësimit.