
Eksportet e mallrave shqiptare pësuan në rënie në masën 4% gjatë vitit të kaluar ndërsa importet u rritën lehtë me 1.2%, një stanjacion që duket se reflekton ngecjen e përgjithshme ekonomike të vendit.

Eksportet e Shqipërisë ishin 299 miliardë lekë me një rënie prej afro 4% ndërsa importet ishin 649 miliardë, me një rritje prej 1.2%.
Zëri më i rëndësishëm i eksporteve, Tekstilet dhe Këpucët, shënuan një rënie me 4.5% në masën 118 miliardë lekë ndërsa zëri Minerale, Karburante dhe Elektricitet, i cili është i dyti më i rëndësishmi në eksporte, shënoi rënie në masën 11%. Tekstilet dhe këpucët zënë 4 në çdo 10 lekë eksporte shqiptare ndërsa zëri tjetër, i cili përbëhet kryesisht na nafta bruto e Patos-Marinzës dhe nga kromi i Bulqizës, përbën 17 në çdo 100 lekë eksporte.
Te importet, zëri Makineri, Pajisje dhe Pjesë Këmbimi, shënoi rënie në masën 2.5% ndërsa Ushqime, Pije dhe Duhan, i cili është i dyti më i rëndësishëm, shënoi një rritje në masën 3.6%.
Krahasimi i volumit të tregtisë së jashtme të vitit 2019 me vitin 2018 nuk është tërësisht i saktë për shkak se shifrat raportohen në lekë dhe reflektojnë efektet e kursit të këmbimit. Leku shqiptar njohu një forcim të shpejtë në periudhën janar-maj të vitit 2018 ndërsa u stabilizua pak a shumë rreth kuotave aktuale pas qershorit të atij viti.
Tregtia e jashtme e Shqipërisë ka njohur rritje të konsiderueshme përgjatë dekadave të fundit, me përjashtime të vogla në vitet 2012 dhe 2015.






