Ndërsa vendet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së e kanë mirëpritur gjerësisht strategjinë e re të zgjerimit, ata duhet të pranojnë se problemi thelbësor nuk është metodologjia, por mospërputhja dhe mungesa e parimit të BE-së.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit në shkurt. E përshëndetur me reagime të përziera, ajo merr parasysh disa nga shqetësimet dhe sugjerimet e shteteve anëtare, sidomos ato të Francës, të cilat bllokuan fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tetorin e kaluar.
Ndërsa shumë shtete anëtare dhe zyrtarë nga vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE e kanë mirëpritur qasjen e re, disa i kanë përshkruar ndryshimet si thjesht kozmetike, të dizajnuara kryesisht për të kënaqur presidentin francez Emmanuel Macron dhe për ta bindur atë të japë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet e Ballkanit në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, çfarëdo që mund të mendojë dikush për metodologjinë, problemet kryesore me politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkan kanë të bëjnë shumë pak me metodologjinë.
Problemi më i madh është qasja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare ndaj kësaj çështje kritike.
Çfarë u bë me parimet?
Pamundësia ose mosgatishmëria e BE-së për t’u përballur me liderët lokalë në Ballkan ka çuar disa në situata absurde. Asgjë nuk mund ta tregojë më mirë këtë mungesë konsistence sesa çështja e respektimit të sundimit të ligjit në mesin e vendeve anëtare të BE-së.
Theksuar me kujdes nga Komisioneri Varhelyi në prezantimin e tij të metodologjisë së re, çështja e mungesës së sundimit të ligjit në Ballkan është në mënyrë të merituar një nga çështjet e ngritura më shpesh dhe më me zell në Bruksel.
Por ndërsa zyrtarët e BE-së tregojnë një nevojë për të përmirësuar sundimin e ligjit – dhe mbështeten te kjo për të justifikuar mungesën e progresit në procesin e zgjerimit – ata nuk arrijnë të përballen me ata që janë përgjegjës për të.
Në të njëjtën kohë, BE-ja ka bërë diferencim të qartë midis vendeve të ndryshme të Ballkanit që aspirojnë të hyjnë ne BE. Kompromiset e dhimbshme dhe reformat e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk u shpërblyen me hapjen e bisedimeve të pranimit.
Ndërkohë, Serbia është etiketuar një kandidate për t’u pranuar në BE, pavarësisht se ajo është një forcë destabilizuese në rajon nëpërmjet përpjekjeve të saj për të bllokuar njohjen e Kosovës dhe për të sfiduar sovranitetin e saj.
Ndërsa anëtarët e tjerë që aspirojnë rreshtojnë politikat e tyre të jashtme me BE-në, Serbia mban një marrëdhënie shumë të ngushtë me Moskën dhe i vjen rrotull vazhdimisht investimeve kineze. As statusi i saj në Bruksel nuk është dëmtuar nga akuzat e bazuara për kapjen e shtetit dhe heqjen dorë nga sundimi i ligjit.
Është e vërtetë që në politikë nuk mund të zgjidhni liderët me të cilët bashkëveproni dhe me të cilët duhet të punoni, dhe zakonisht duhet të bëni kompromise.
Por, nga një këndvështrim më i gjerë, një politikë përgjithësimi kritikash, që në mënyrë indirekte mbron frenuesit e progresit dhe i bën qejfin liderëve lokalë që nuk janë plotësisht të përkushtuar ndaj objektivave të BE-së, nuk është as e justifikueshme dhe as efikase.
Pa një ndryshim në këtë qasje, asnjë metodologji zgjerimi nuk do të ndihmojë kurrë në lehtësimin dhe mbështetjen e demokratizimit të rajonit.
Në rajon promovohen modele iliberale
Metodologjia e re e zgjerimit nuk mund të bëjë shumë për ta bërë BE-në një forcë të fortë dhe transformuese në Ballkan, vetëm në rast se të gjitha shtet anëtare angazhohen për këtë qëllim.
Miopia e shfaqur nga shtetet anëtare në rastin e zgjerimit jo vetëm që ka dobësuar dorën e BE-së në një rajon, por ka krijuar gjithashtu një asimetri midis vlerave që promovon BE-ja dhe aktorëve që janë “forca për mirë”.
BE-ja flet për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Por, me një mungesë koherencë dhe mbikëqyrje strategjike, ka krijuar vend që Hungaria dhe Polonia, dy nga vendet anëtare më të kritikuara të BE-së përsa i përket respektimit të sundimit të ligjit, të jenë ndër nxitësit më të fortë të zgjerimit.
Është mungesa e një vizioni parimor nga disa shtete anëtare të BE-së që ka lehtësuar këtë situatë të tmerrshme në të cilën vende si Hungaria dhe Polonia mund të kontrollojnë pozicionet e tyre si “kampionë të zgjerimit” dhe të rrisin kapitalin e tyre diplomatik në rajon.
Ndërsa vendet më demokratike europiane e mbajnë Ballkanin në një distancë, modelet iliberale që nuk janë në përputhje me ato që BE-ja aspiron për rajonin, promovohen më lehtë.
BE-ja duhet të rifitojë fuqinë e saj transformuese
Procesi aktual i zgjerimit të BE-së është kritikuar për humbjen e fuqisë së tij transformuese. Shumë skeptikë për zgjerimin janë shprehur gjithashtu se zgjerimi duhet të mbahet në pritje, pasi shembujt e fundit kanë treguar se hapja e bisedimeve të pranimit ka humbur ndikimin e saj në vendet aspiruese.
Ata e ngrenë gishtin nga Turqia, e cila hapi bisedimet e pranimit me BE-në në vitin 2005, dhe që nga ajo kohë ka bërë pak progres. Shembuj të tjerë janë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat, përkundër hapjes së negociatave, kanë parë pak progres në demokratizim vitet e fundit.
Që procesi i zgjerimit të ketë fuqi transformuese, nevojitet vullnet politik dhe presion i mjaftueshëm ndaj klasës politike nga aktorët e brendshëm dhe partnerët e BE-së.
Ajo që skeptikët nuk arrijnë të nënvizojnë është se kur nuk ka vullnet politik brenda një vendi që të transformojë dhe përparojë në integrimin në BE, siç është rasti me Turqinë, kjo nuk do të thotë dështim nga ana e zgjerimit. Integrimi në BE nuk është i pashmangshëm; është thjesht opsioni më i mirë i mundshëm për vendet europiane.
Sa i përket përbërësit të dytë, institucionet e BE-së duhet të bashkëpunojnë fuqishëm me aktorët apolitikë brenda vendeve që aspirojnë për të lehtësuar transformimin, ndërkohë që ushtrojnë presion të mjaftueshëm ndaj aktorëve politikë.
Ndërsa metodologjia e zgjerimit mund të fajësohet për shumë gjëra, është butësia e BE-së dhe qetësimi i liderëve lokalë që irritojnë më shumë popujt lokalë dhe aktorët lokalë të shoqërisë civile, të cilët punojnë shumë për t’i mbajtur përgjegjës elitat e ingranuara.
Mjaft vutë bast për liderët “e domosdoshëm”
Shpresa tani është që metodologjia e rishikuar e zgjerimit të kënaqë francezët dhe t’i hapë rrugën hapjes së bisedimeve të pranimit në BE Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Por për të pasur një ndikim transformues, BE-ja duhet të përmirësojë qasjen e saj ndaj rajonit dhe vetë zgjerimit.
Vendet anëtare të BE-së, sidomos forcat lëvizëse brenda saj, duhet të lënë mënjanë konsideratat e brendshme dhe pazaret politike dhe t’i japin përparësi objektivave strategjikë afatgjata në çështje të mëdha siç është zgjerimi.
Arsyeja më e rëndësishme pse qytetarët e Ballkanit duan që vendet e tyre të hyjnë në BE është sepse ata e shohin atë si një orientuese të demokracisë.
Mundësia që modelet më iliberale brenda BE-së të portretizohen si nxitësit më të fortë të zgjerimit ka një efekt të dyfishtë negativ: dëmton demokratizimin e Ballkanit dhe dëmton vetë thelbin e zgjerimit.
Dhe e fundit, në vend që të vërë bast për liderit e domosdoshëm të rajonit, BE-ja duhet të investojë në kapitalin njerëzor dhe aspiratat e popujve në Ballkan. Në fund të fundit, ky është elementi më i rëndësishëm dhe transformues atje.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.