Komisioni Europian bën thirrje për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar se Tirana dhe Shkupi kanë bërë hapa përpara që nga mbledhja e Këshillit të BE-së në tetor.
Ndërsa opozita pritet të zbresë në rrugë në Tiranë të hënën pasdite për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama – të cilën e akuzon si organizator të një ‘grushti shteti’ dhe shkelje të Kushtetutës, Komisioni Europian ka dalë me raporte pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rekomanduar hapjen negociatave me BE.
“Pas miratimin në shkurt të metodologjisë së rishikuar të procesit të integrimit, ne prezantojmë sot raportet tona të përditësuara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Sipas Varhelyi këto raporte nënvizojnë se Shqipëra dhe Maqedonia e Veriut i rritën përpjekjet dhe sollën rezultate të tjera të prekshme në fushat e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së të qershorit 2018.
“Komisioni i qëndron në mënyrë të vendosur rekomandimit të tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe unë shpresoj që vendet anëtare do të marrin një vendim pozitiv në javët që vijnë,” shtoi ai.
Në tetor 2019, Këshilli i krerëve të vendeve anëtare të BE-së nuk e mori në konsideratë rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, por vendosën ta shtyjnë vendimmarrjen për hapjen negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e Zagrebit, i cili do të mbahet në maj 2020.
Këshilli Çështjeve të Përgjithshme, një konfigurimin i Këshillit të BE-së që mblidhet një herë në muaj dhe sjell bashke ministrat e Jashtëm ose ato përgjegjës për BE-në të vendeve anëtare, pritet të diskutojë në mars hapat përpara për politikën e zgjerimit dhe metodologjinë e re, si dhe përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në pikëpamjen e hapjes së negociatave.
Sipas dokumentit të bërë publik nga Komisioni Europian, Shqipëria ka bërë progres në disa fusha të listuara si prioritare nga Këshilli i Bashkimit Europian në qershor 2018-të për hapjen e negociatave të anëtarësimit, përfshirë vetingun e gjyqtareve dhe prokurorëve, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë kundër krimit dhe korrupsionit – përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Gjithashtu, rekomandimet e Këshillit përfshinin forcimin e hetimeve proaktive kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë raste dënimesh nga gjykatat edhe në nivele të larta. Në konkluzionet e qershorit 2018-të, Këshilli i BE-së gjithashtu nënvizoi nevojën për të adresuar nëpërmjet reformës zgjedhore rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Komisioni vëren se në këtë kontekst partitë politike kanë arritur në janar një marrëveshje ndërpartiake për të punuar me opozitën brenda dhe jashtë parlamentit për reformën zgjedhore, duke hedhur bazat për një marrëveshje që pritet të arrihet përpara 15 marsit.
Gjithashtu Komisioni nënvizon se Shqipëria mbetet e angazhuar në përpjekjet për të kufizuar valën e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e hapësirës Schengen, duke e ulur fluksin e përgjithshëm me 17 % në vitin 2019, krahasuar me vitin 2017.
“Që nga një kulm i konsiderueshëm i fluksit për azil, në vendet anëtare më të prekura të BE-së përpjekjet shqiptare kanë rezultuar në një ulje të kërkesave për azil me 26.6% nga 2017 në 2019,” shprehet KE, duke vlerësuar bashkëpunimin e Tiranës me vendet anëtare për sa i përket riatdhesimeve dhe Agjencinë e BE për Kufirin dhe Rojen Bregdetare.
Shqipëra u bë në vitin 2019 vendi i parë i rajonit që nënshkroi një marrëveshje me Agjencinë e BE për Kufirin dhe Rojen Bregdetare, duke pranuar që skuadra policësh nga kjo agjenci të patrullojnë kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë për emigrantë.
“Në përgjithësi, Shqipëria i ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018,” shprehet KE në dokumentin e saj.
“Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme,” përfundoi Komisioni.