Qeveria shqiptare me në krye kryeministrin Edi Rama ka premtuar ndihmë për shtresat në nevojë nëpërmjet një operacioni shpërndarje ndihmash ushqimore të udhëhequr nga ushtria, por në Durrës aktivistët ankohen se komuniteti i margjinalizuar rom është lënë pas dore.
Artor Zeqiraj, i lindur dhe rritur në lagjen Nishtulla në periferi e Durrësit – ku jeton një pjesë e mirë komunitetit rom i vendosur aty që prej vitit 1960, prej 1 muaji e ka lënë karrocën e dorës pa lëvizur. Herë me të, e herë më një thes mbi kurriz, ai mblidh kanaçe dhe bidona në kontejnerët e mbeturinave përreth Durrësit.
“Unë kam pas punuar me kanaçe, hekura, mirëpo tani janë mbyllur të gjitha dhe nuk po na lë njeri”, tregon 47-vjeçari për punën me të cilën siguronte të ardhura. “Nuk kemi ku të hajmë, po na qajnë fëmijët për bukë”, shton ai, duke treguar gjendjen ku ndodhet familja e tij gati një muaj pas ndalimit të qarkullimit dhe masave shtrënguese të vetëzolimit, të cilat synojnë kufizimin e përhapjes së COVID-19.
Me 26 mars, Zeqiraj dhe banorëve e tjerë të lagjes periferike të Durrësit, protestuan kundër masave shtrënguese të vendosura nga autoritetet, duke kërkuar ndihmë për të ushqyer familjet e tyre në kushtet kur karantina i ndalon të punojnë si riciklues mbetjesh.
Protesta u shua pasi një furrë buke u erdhi në ndihmë banorëve, por ajo nuk ka qenë thirrja e vetme për ndihmë e komunitetit rom në Durrës. Më herët edhe banorët e këtij komuniteti në lagjen Nr.8 kanë kërkuar ndihmë duke protestuar me 17 mars kundër masave drastike të marra nga qeveria shqiptare.
Autoritetet vendore i thanë BIRN se e kanë mbështetur komunitetin rom në Nishtulla dhe se në ditët në vijim do të shtohej vëmendja ndaj tyre. Ndërkohë, një nga kërkesat e komunitetit drejtuar bashkisë – dezinfektimi i zonës ku banojnë pasi përpara 1 viti aty u prekën 3 familje nga sëmundja e tuberkulozit, ka përfunduar të shtunën.
“Të shtunën dezinfektuam të gjithë zonën e Nishtullës ku është komuniteti rom,” tha për BIRN Alfred Dhuli, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal Plazh, në varësi të Bashkisë Durrës. “Përveç rrugëve në ditët në vijim nëse banorët do të pranojnë, do t’i ofrojmë që t’i dezinfektojmë me pompë oborret dhe puset e ujit,” shtoi ai.
Izolimi përball familjet rome me skamjen
Sipas një studimi për komunitet rome dhe egjiptiane në disa rajone të Shqipërisë të botuar nga UNDP në vitin 2017, vetëm 18% e tyre janë të punësuar, ndërsa 50% e grave rome dhe 69% e burrave romë janë të angazhuar në punë informale.
Që nga shpërthimi i epidemisë së virusit SARS-CoV-2 në Shqipëri me 8 mars e deri të martën me 5 prill, 383 persona janë infektuar me sëmundjen COVID-19, ndërkohë që 131 pacientë janë shëruar dhe 22 të tjerë kanë humbur jetën.
Epidemia ka pasur një ndikim negativ mbi ekonominë, për shkak të ndalimit qarkullimit dhe masave shtrënguese të marra për parandalimin e përhapjes së virusit.
Shtresat e margjinalizuara të komunitetit rom dhe egjiptian, që sigurojnë të ardhura minimale nëpërmjet riciklimit të mbetjeve, janë nga më të prekurat nga masat e marra nga qeveria.
“Na është thënë se do ndihmohemi, por se kur nuk e dimë. Ne kemi nevojë tani për këto ndihma dhe jo në një moment tjetër, kur të kalojë situata”, shpjegoi Ili Jakupi, drejtues i organizatën për të drejtat e romëve në Durrës, USHTEN.
Komuniteti rom sipas studiuesve jeton mbi parimin “puno sot dhe ushqehu sot”, sepse nuk e ka të mundur të kursejë para mënjanë nga të ardhurat e pakta që nxjerr nga biznesi i riciklimit.
“Një pjesë e madhe e familjeve rome në zonën e Nishtullës merret me mbledhjen e mbeturinave industriale të riciklueshme,” shprehet Klaudio Hyseni, sociolog dhe drejtues i Qendrës Durrësi Aktiv. “Ndalimi i ekonomisë dhe kufizimi i lëvizjes i bllokon atyre burimin ditor të të ardhurave,” shtoi ai.
Liljana Meçani mbulon gojën me një shall, teksa shtrëngon fort me duar pompën që e ndihmon të përballojë astmën kardiake, e cila e vendos atë në kategoritë e personave më të rrezikuar nga koronavirusi.
“I kam valvulat e zemrës të bllokuara,” thotë ajo. “Ndihem shumë e rrezikuar, brenda po rri dhe s’po dal fare, mirëpo problemi është se s’po kemi asnjë lloj të ardhure, asnjë ushqim apo ilaç,” shton 49-vjeçarja.
Emiljano Elmazi, aktivist për të drejtat rome në Durrës shprehet se ky komunitet është shumë i rrezikuar nga epidemia, për shkak se varfëria përkthehet në mungesë higjene dhe kequshqyerje.
“Mungesa e detergjentëve, maskave dhe dorezave është në 90 % të banorëve që nuk i përdorin sepse nuk kanë”, tha ai, duke shtuar se koronavirusi është “më e keqe se tërmeti sepse është sëmundje dhe nuk ke si të ruhesh.”
“Kanë një muaj brenda që nuk punojnë dhe nuk kanë asnjë të ardhur më,” shton 31-vjeçari.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Durrës jetojnë 350 familje që i përkasin komunitetit rom dhe 115 familje atij egjiptian, por sipas aktivistëve shumë pak nga këto familje kanë marrë ndihma nga qeveria pas shpalljes së karantinës.
“Një organizatë jotimprurëse i ka sjellë ndihma rreth 8 familjeve, por jo më shumë,” tregon Emiljano Elmazi për komunitetin rom në Nishtulla. “Institucionet shtetërore nuk janë paraqitur fare,” shtoi ai.
Ili Jakupi, nga organizata USHTEN shprehet se lidhur me shpërndarjen e ndihmave e njëjta situatë është thuajse në të gjitha zonat ku ka komunitet rom dhe egjiptian në Durrës.
E pyetur nga BIRN bashkia Durrës tha përmes një zëdhënësi se përveç ndihmave që shpërndan qeveria qendrore dhe organizatat, ajo ka shpërndarë edhe pako të përgatitura me buxhetin e saj, duke shtuar se edhe komuniteti rom ka përfituar.
Prefekti i Durrësit, Roland Nasto i tha BIRN se shpërndarja e ndihmave po vijon dhe se komuniteti rom është ndihmuar kryesisht përmes ndihmave të shoqatave dhe jo të atyre që po shpërndahen nga Rezervat e Shtetit.
Megjithë deklaratat zyrtare, ankesat nga banorët në Nishtulla nuk mungojnë.
“Unë jam vetë i pestë në familje,” thotë Liljana Meçani. “Llogarite që një pako makarona se kemi që të hajmë, që të mbajmë shpirtin gjallë ose një paracetamol që ta pij të paktën”, rrëfen duke u përlotur ajo, ndërsa shton se si shumë familje nuk merr dot më borxh në ushqimore për shkak të listës që bartet prej vitesh.
Kategorizimi i qeverisë lë pas dore komunitetin rom
Qeveria shqiptare në përgjigje të situatës së krijuar nga koronavirusi i ri mori një vendim më 19 mars për të ndihmuar shtresat në nevojë. Sipas prefektit të Durrësit, Roland Nasto për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, lista e personave që kanë nevojë për ndihmë në Durrës është e gjatë.
“Ne aktualisht kemi shpërndarë 1250 ndihma në total, duke nisur nga dita e krijimit të situatës së koronavirusit. Këto janë shpërndarë kryesisht në zonat rurale”, shpjegoi Nasto, duke nënvizuar se nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë rreth 1000 pako ndihma.
“Ne jemi munduar që në radhë të parë të ndihmojmë njerëzit që janë në çadra, personat me probleme shëndetësore dhe tashmë do të fokusohemi tek njerëzit në nevojë, ku përfshihet dhe kategoria e komunitetit rom,” shtoi ai.
Megjithatë, aktivistët ankohen se kategorizimi i bërë nga qeveria e la komunitetin rom në fund të listës të personave në nevojë për ndihma.
“Lista prioritare nis me familjet me aftësi të kufizuara, familjet e prekua nga tërmeti, me ndihmë ekonomike dhe më pas vjen komuniteti rom dhe egjiptian,” shprehet Ili Jakupi. “Shumë familjeve në Nishtulla nuk e përfitojnë ndihmën ekonomike dhe ky është një problem akoma edhe më i madh,” shtoi ai.
Klaudio Hyseni nga Qendra Durrësi Aktiv analizon se vendimi i qeverisë penalizon e komunitetin rom, të ardhurat e të cilëve bazohen në aktivitetin ditor të riciklimit.
“Këta duhet të jenë të parët nga grupet e interesit sepse pensionistët kanë pensionin, punonjësit që kanë mbetur pa të ardhura e kanë pasur një rrogë,” shpjegoi sociologu Hyseni.
Këshilli Bashkiak Durrës miratoi në një mbledhje të zhvilluar online fondin e emergjencës civile për bashkinë, me vlerë 46 milion lekë për vitin 2020. Ndërkohë, prefekti i Durrësit i tha BIRN se së shpejti ndihmat do të mbërrijnë dhe në lagjen Nishtulla.
“Në zonën e Nishtullës mendohet që këto ditë të nisin ndihmat e planifikuara nga bashkia dhe është menduar që edhe ajo zonë të mbulohet me ndihma,” tha Roland Nasto. “Do të vijojmë t’i mbështesim ashtu siç duhet, por jo që është lënë pas dore,” përfundoi ai.