Një efektiv i forcave Shqiponja plagosi të premten një person i cili refuzoi t’i tregojë lejen e daljes dhe kartën e identitetit dhe më pas kërcënoi ta vrasë oficerin, ndërkohë nga të shtënat u plagos edhe një kalimtare.
Një punonjës policie plagosi të premten dy persona teksa po ndiqte një prej të dëmtuarve, për shkak se nuk i ka treguar lejen e dalies.
Policia e Shtetit njoftoi të premten se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sitki Çiço” në Tiranë, kur një prej efektivëve të forcës së posaçme “Shqiponjat”, teksa po patrullonte, i ka kërkuar një qytetari lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit, në kuadër të masave ndaj COVID-19.
Sipas policisë, 30-vjeçari Orgest Bilbili, nga Lushnja, e ka kundërshtuar policin dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Efektivi e ka ndjekur, por 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën dhe e ka kërcënuar për ta vrarë.
Në njoftim sqarohet se, punonjësi i policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por 30-vjeçari nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë. Në këto kushte, efektivi i “Shqiponjave” ka qëlluar në ajër për paralajmërim, ndërkohë që Bilbili i ka drejtuar armën për ta qëlluar.
“Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë”, sqaron policia. Si pasojë është plagosur edhe një kalimtare e rastit, M.P., 30 vjeçe.
Sipas policisë, të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia shprehet se 30-vjeçari Bilbili ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit të ndodhura në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu ka rezultuar se ai ka qenë i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.