Monitori Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut, një organizatë me bazë në Zvicër, i kërkoi qeverisë shqiptare të punojë më shumë për të ndihmuar refugjatët që janë bllokuar në Shqipëri për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i kërkoi qeverisë shqiptare të Hënën të angazhohet në ndihmë të refugjatëve të bllokuar aktualisht në Shqipëri pas publikimit të një investigimi të BIRN mbi kushtet e jetesës së tyre, publikuar javën e kaluar.
Monitori Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut është një organizatë me bazë në Zvicër dhe me zyra në të gjithë vendet e rajonit.
“Qeveria shqiptare duhet të shtojë përpjekjet për të dhënë siguri dhe jetesë normale për migrantët dhe refugjatët nën përgjegjësinë e saj në përputhje me detyrimet që ka ipas Konventës së Refugjatëve, bëri të ditur organizata.
Investigimi i BIRN zbuloi se një numër i lartë refugjatësh janë bllokuar në Shqipëri gjatë udhëtimit të tyre për në Europën Perëndimore për shkak të mbylljes së kufijve të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Por shumë prej tyre janë detyruar të dalin të lypin nëpër rrugë ndërsa streha e shtetit shqiptar për refugjatët duket se është e mbingarkuar përtej kapacitetit dhe e nënfinancuar, ndërsa vaktet ushqimore janë të pamjaftueshme dhe grupet e më të fortëve dhunojnë migrantë të tjerë vazhdimisht.
“Qeveria shqiptare shpenzon për çdo person refugjat dhe azilkërkues rreth 330 lekë në ditë, e cila është në thelb e pamjaftueshme për mbijetesë. Kjo ka shtyrë shumë azilkërkues të dalin të lypin për ushqim në rrugë ndërsa të tjerë kanë rënë pre e dhunës së gangsterëve,” thuhet në deklaratë.
“Euro-Med Monitor thekson se një dështim i tillë alarmant për të plotësuar nevojat minimale për ushqim dhe strehim të azilkërkuesve përbën një dhunim nga Shqipëria të detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Refugjatëve të vitit 1951, të cilën Shqipëria e ka nënshkruar,” vijon deklarata.