BIRN zbuloi se Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë paguar rreth 1,8 milionë euro secila në kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve ligjore për të pandehurit që janë liruar nga akuzat për krime lufte.
Gjykata e Lartë e Beogradit ka dhënë gjithsej rreth 1.8 milion euro në kompensim dhe rimbursim të kostove juridike për të pandehurit që u liruan nga akuzat për krime lufte nga gjyqësori serb ose që akuzat ndaj tyre janë rrëzuar, tregojnë dokumentet e siguruara nga BIRN.
Shuma totale e kompensimit e dhënë nga gjykata boshnjake në Sarajevë gjatë tetë viteve të fundit gjithashtu ka tejkaluar 1.8 milion euro, sipas të dhënave zyrtare të mbledhura nga BIRN.
Totali prej 1.8 milion eurosh në Serbi përbëhet nga rreth 878,000 euro që janë paguar si kompensim për ndalim të paligjshëm dhe rreth 941,000 euro që janë dhënë për të mbuluar shpenzimet ligjore të të pandehurve të liruar nga akuzat.
Dokumentet zyrtare serbe të siguruara nga BIRN, të cilat detajojnë pagesat e bëra deri më 10 korrik të vitit të kaluar, tregojnë se shumat më të mëdha shkuan për ata që u liruan nga akuzat për përfshirje në torturimin dhe vrasjen e rreth 200 personave në fermën Ovcara në Kroacinë lindore pas rënies së qytetit të Vukovarit në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë në nëntor 1991.
Të pandehurit që u liruan nga akuzat në çështjen Ovcara morën gjithsej rreth 468,000 euro për shpenzimet juridike dhe rreth 327,000 euro si kompensim.
Në Serbi, nëse personat e paditur lirohen nga akuzat ose nëse gjykata i hedh poshtë akuzat kundër tyre, prokurori rrëzon çështjen ose ajo tejkalon statutin e kufizimeve, ata kanë të drejtë të rimbursohen për shpenzimet që kanë pasur gjatë procesit.
Kostot për avokatët në Serbi përcaktohen nga një listë zyrtare tarifash dhe kostot janë më të larta nëse dënimi i mundshëm është mbi 15 vjet, siç është në çështjet e krimeve të luftës.
Sipas vendimeve për shpenzimet të siguruara nga BIRN, Gjykata e Lartë e Beogradit vendosi që, në përputhje me listën e tarifave, avokatët morën rreth 522 euro për pjesëmarrje në marrjen në pyetje të çdo dëshmitari apo të dyshuari ose për marrjen pjesë në një seancë dëgjimore, plus 12.71 euro për çdo orë pune që ata fillojnë të bëjnë.
Arsyeja pse kostot e rasteve të krimeve të luftës janë të larta është pjesërisht për shkak të kohëzgjatjes së gjatë të gjykimeve në Serbi – rasti Ovcara, për shembull, u zvarrit për 14 vjet, ndërsa çështja e Tuzlës zgjati tetë vjet.
“Një nga çmimet e zvarritjes së procedurave gjyqësore është ajo e kostos materiale. Sigurisht, çmimi i zvarritjes së procedurave është shumë më i lartë në aspektin e drejtësisë, por kostoja monetare është një pjesë e kësaj”, tha për BIRN Ivana Zaniç, drejtoreshë e OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.
Avokatët që kanë mbrojtur njerëzit në raste të tilla thanë BIRN se nuk mund të fajësohen ata për shpenzimet dhe pyetën nëse prokurorët duhet të ishin menduar dy herë para se të ngrinin akuza që si përfundim nuk mund të provoheshin në gjykatë dhe për këtë arsye bënë që shteti të paguante shpenzimet e tyre.
Sistemi gjyqësor i Serbisë ka një problem në përgjithësi me të pandehurit që mbahen gjatë në paraburgim gjatë gjykimeve dhe vendi pagoi më shumë se 1.6 milion euro midis vitit 2014 dhe 2018 për ndalimin ose dënimin e paligjshëm të qytetarëve të vet, tregoi një investigim i BIRN vitin e kaluar.
Një natë vrasje, 14 vite gjyq
Prokuroria serbe e krimeve të luftës në Beograd paditi gjithsej 22 autorë të dyshuar nga viti 2003 deri në vitin 2008 për krime të kryera pas rënies së Vukovarit.
Të pandehurit, anëtarë të forcës së Mbrojtjes Territoriale të Vukovarit ose të njësisë paraushtarake Leva Supoderica, u akuzuan për vrasjet e 200 personave në fermën Ovcara natën e 20 nëntorit 1991.
Procesi gjyqësor vazhdoi për 14 vjet.
Vendimi fillestar i shkallës së parë erdhi në fund të vitit 2005, por u rrëzua dhe gjykimi filloi përsëri nga e para. Vendimi i dytë i shkallës së parë erdhi në vitin 2009 dhe u konfirmua në qershor 2010, me ndryshime të vogla në dënimet për dy prej atyre që u dënuan.
Normalisht, ky do të kishte qenë fundi i historisë, por pati një ndryshim.
Njëri nga personat e dënuar në këtë rast, Sasa Radak, apeloi në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë.
Radak kundërshtoi sepse, ndër të tjera, kur u dha vendimi shkallës së dytë, kryetari i trupit gjykues ishte Sinisa Vaziç, i cili gjithashtu mori disa vendime në procesin e shkallës së parë.
Sipas ligjit që ishte në fuqi atë kohë, një gjyqtar nuk mund të merrte pjesë në një gjykim, nëse ishte i përfshirë në vendimmarrje për të njëjtën çështje në një gjykatë më të ulët, ose nëse ai ishte i përfshirë në marrjen e një vendimi në të njëjtën gjykatë i cili mund të të apelohej.
Gjykata Kushtetuese e Serbisë vendosi se e drejta e Radakut për një gjykim të drejtë ishte shkelur dhe tha se vendimi i saj vlente edhe për personat e tjerë në çështjen e masakrës në Ovcara që ishin “në të njëjtën situatë ligjore” si Radak.
Çështja më pas shkoi në Gjykatën e Lartë të Kasacionit, e cila në qershor 2014 e ktheu atë për rigjykim.
Tre vjet më vonë, në vitin 2017, Gjykata e Apelit në Beograd mori vendimin e saj përfundimtar: Miroljub Vujoviç, Stanko Vujanoviç, Predrag Milojeviç, Goran Mugosa, Miroslav Djankoviç, Sasa Radak, Nada Kalaba dhe Ivan Anasatsijeviç (i cili ndryshoi emrin nga Ivica Husnik) u gjetën fajtorë, ndërsa Jovica Periç, Milan Vojnoviç, Milan Lancuzanin dhe Predrag Dragoviç u liruan nga të gjitha akuzat.
Këto katër lirime nga akuzat, plus pesë të tjerë që u liruan nga akuzat më herët gjatë procesit – Marko Ljuboja, Slobodan Katiç, Predrag Madzaraç, Vujo Zlatar dhe Milorad Pejiç – nënkuptonte se në total për çështjen Ovcara ishin liruar nga akuzat nëntë persona.
Të nëntë u kompensuan për shpenzimet e gjykimit në Beograd – një shumë totale prej 468,000 eurosh. Pesë gjithashtu u kompensuan për kohën e kaluar në paraburgim – rreth 327,000 euro.
Ivana Zaniç, drejtoresha e OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, tha se duke marrë parasysh kohëzgjatjen e procedurës, ishte e arsyeshme që shpenzimet të ishin të larta.
“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të merrte atë vendimin në vitin 2013 në të cilin përcaktoi se ishte shkelur e drejta e të akuzuarit për një proces të rregullt, rigjykimi i apelit të të pandehurve në Gjykatën e Apelit do të ishte shmangur, gjë e cila do të kishte shkurtuar procesin me disa vjet dhe në të njëjtën mënyrë do të kishte ulur kostot”, tha Zanic për BIRN.
Nga paratë që iu dhanë personave të liruar nga akuzat në këtë rast, pjesa më e madhe shkoi për ata që u liruan nga akuzat pasi çështja u kthye për rigjykim në vitin 2014 – Predrag Dragoviç, Milan Lancuzanin dhe Milan Vojnoviç.
Shuma më e madhe e kompensimit për kostot ligjore iu dha Dragoviçit – 124,495 euro. Dragoviç, një luftëtar vullnetar i njohur si Kapetan (Kapiteni) ose Ceca, ishte pjesë e njësisë paraushtarake Leva Supoderica, e cila u luftua përkrah forcës së Mbrojtjes Territoriale të Vukovarit.
Njësia ishte e afërt me Partinë Radikale Nacionaliste Serbe, lideri i së cilës Vojisllav Shesheli u lirua nga akuza për organizimin e paraushtarakëve në Kroaci nga gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë, edhe pse u dënua për një akuzë tjetër për krime lufte.
Avokati i Dragoviçit, Djordje Kalanj kritikoi mënyrën se si u zhvillua çështja.
“Ne e theksuam këtë në apelet tona, që një procedurë e tillë do t’i kushtojë shumë buxhetit të shtetit”, tha Kalanj për BIRN.
Shpenzimet në këtë rast kishin të bënin kryesisht me pagesën e avokatëve për të ardhur në gjykatë ose për të qenë të pranishëm gjatë marrjes në pyetje në fazën e hetimit. Avokatët duhet të paguheshin gjithashtu për të vizituar klientët e tyre dhe për të shkruar apele.
Nëse i akuzuari është në paraburgim në një qytet tjetër nga ai në të cilin punon avokati, si në rastin Ovcara, kjo gjithashtu rrit koston, pasi avokati mund të kërkojë shpenzime të udhëtimit dhe kompensim për mungesë në punë, si dhe pagesën e tij të zakonshme . Avokatët gjithashtu kanë të drejtë për gjysmë pagese nëse seanca gjyqësore shtyhet.
Avokati Bojan Stanojloviç, nga zyra juridike e Djordje Kalanj, argumentoi se prokurorët duhet të marrin përsipër disa përgjegjësi për kostot e shkaktuara nga rastet e dështuara.
“Ekziston një rregull jo ligjor që përcakton përgjegjësinë e organeve të prokurorisë për shpenzimet e procedurës penale, nga të cilat deri tani më të mëdha kostot që gjykata e pranoi se kërkoheshin për këshillim nga avokati mbrojtës, sipas listës zyrtare të tarifave të avokatëve”, tha Stanojloviç për BIRN.
Ai shpjegoi se në rastet e krimeve të luftës ose në ato të krimit të organizuar me shumë të pandehur, prokurorët e dinë që do të ketë “100 ose 200 seanca dëgjimore, ndoshta më shumë, dhe ata e dinë sa do t’i kushtojë kjo në fund taksapaguesve.”
“Por,” theksoi ai, “nuk do t’i kushtojë asgjë prokurorëve”.
Prokurorët boshnjakë fajësohen për përshkallëzimin e pagave
Gjatë tetë viteve të fundit, kompensimi që i është paguar personave të liruar nga akuzat për krime lufte nga gjykata shtetërore e Bosnjës në tetë vitet e fundit është rritur në mbi 3.5 milionë marka boshnjake (1.6 milionë euro), me ekspertë ligjorë që fajësojnë punën e dobët të prokurorisë për rritjen e kostove.
Midis vitit 2011 dhe nëntorit 2019, pati gjithsej 59 kërkesa për kompensim nga individë që ishin liruar nga akuzat. Dyzetë e tetë nga këto raste janë proceduar plotësisht, një kërkesë për kompensim është refuzuar, një është tërhequr dhe është apeluar në dy raste. Në shtatë raste të tjera, procedurat janë ende në vazhdim e sipër.
Avokati Petko Pavloviç, i cili punoi në një nga çështjet e kompensimit, argumentoi se “gjithçka nis me aktakuza të këqija”.
Pavloviç tha se “aktakuzat me cilësi të dobët dhe provat e lëkundshme janë arsyet e kërkesave për kompensim”, si dhe masat e kërkuara nga prokurorët për t’i lënë të dyshuarit në paraburgim, t’i mbajnë ata nën arrest shtëpie ose të vendosin kufizime në lëvizjet e tyre.
Legjislacioni boshnjak thotë se dikush që mbahet në paraburgim ose ndaj tij vendosen masa kufizuese, siç është arresti shtëpiak, gjatë procedurave gjyqësore ka të drejtën e kompensimit, nëse ata lirohen nga akuzat.
Pavloviç përfaqësoi ish-policin serb të Bosnjës, Zoran Tomiç, kur ai paditi shtetin sepse u mbajt në paraburgim për katër vjet gjatë kohës që gjykohej për akuzën e përfshirjes në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.
Tomiç u lirua nga akuzat, fitoi çështjen e kompensimit dhe iu dhanë më shumë se 51,000 euro.
Shkalla e dënimit në gjykatën shtetërore të Bosnjës përjetoi një prirje rënëse midis vitit 2014 dhe 2018, sipas raporteve të publikuara nga Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në vitin 2018, gjashtë nga tetë rastet e përfunduara u mbyllën me lirimin e të pandehurve nga akuzat. Në një raport në qershor të vitit pasues, OSBE tha se “një numër kaq i lartë shfajësimesh në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës shtron pyetje nëse ka mangësi në përpunimin e rasteve të krimeve të luftës në Prokurorinë Boshnjake”.
Nga gjetjet e programit të saj për monitorimin e çështjeve, OSBE-ja pohoi se mangësitë mund t’i atribuohen dështimeve të prokurorëve për të paraqitur prova të mjaftueshme, strategji të dobët gjykimi, menaxhim jo adekuat të çështjeve ose paraqitje joefektive të provave.
“Çdo gjë që kisha tashmë nuk është më”
Në gusht 2017, ish-ushtarit serb të Bosnjës Aleksandar Cvetkoviç, i cili gjithashtu u lirua nga akuzat për përfshirje në gjenocidin e Srebrenicës, iu dhanë 255,000 marka boshnjake (rreth 130,000 euro) në kompensim për kohën që kaloi në paraburgim.
Por Cvetkoviç tha se kompensimi ishte “thjesht një shifër e asgjë më shumë”.
“Kjo gjendje, sido që ta quani, më ka shkatërruar jetën. U ndava nga gruaja, fëmijët e mi ikën, mamaja ime u sëmurë, njësoj si edhe unë”, shpjegoi ai.
“Unë mendoj se është idiotësi, marrëzi, të mendosh se diçka mund të kompensohet me para. Disa ekspertë e peshojnë ankthin ose vuajtjen mendore të dikujt, njësoj si të ishim në ndonjë treg”, tha Cvetkoviç.
Cvetkoviç u arrestua në Izrael në gusht 2010 me kërkesë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Pas një procesi ligjor tre-vjeçar, ai u ekstradua në gusht 2013.
Ai tha se ai kaloi më shumë se 1,600 ditë në paraburgim, përfshirë 34 muaj në paraburgim në Izrael para ekstradimit të tij, dhe ai fajëson prokurorinë për atë që ndodhi.
“Kisha një punë në Izrael. Isha gati të merrja një kredi për të blerë një apartament dhe për të hapur kompaninë time. Nuk më ka ngelur më asgjë. Çdo gjë që kisha në Izrael tani nuk është më”, tha ai.
Milos Stevanoviç, një avokat që përfaqësoi Cvetkoviçin në kërkesën e tij për kompensimin për shkak të vuajtjes mendore që ai pësoi, tha se aktakuzat dështojnë për shkak të mënyrës së përgatitjes së tyre nga prokurorët, mënyrën e trajtimit të provave dhe se sa intensivisht punojnë prokurorët për çështjet e tyre.
“Druhem se më parë ka pasur shumë raste që janë përdorur për t’u treguar partnerëve ndërkombëtarë se ata po bënin diçka dhe po akuzonin njerëz, por ato aktakuza nuk kishin një bazë ligjore të mirë”, tha Stevanoviç.
“Në disa situata, aktakuzat mbështeten mirë nga faktet, por në aspektin juridik ato janë të shkruara dobët dhe gjyqtarët shohin vetëm atë që është në favor të të pandehurve. I tillë është ligji dhe e tillë është kushtetuta”, shtoi ai.
Avokati Dusan Dusko Tomiç pohoi se prokuroria ka vepruar “në mënyrë të papërgjegjshme” kur ngriti disa nga aktakuzat e saj.
Ai përmendi rastin e një burri të quajtur Raca Simiç, për të cilin ai tha se iu paguan 56,000 marka boshnjake (mbi 28,000 euro) kompensim pasi u lirua nga akuza për vrasjen e 11 personave gjatë luftës. Tomiç tha se gjatë këtij procesi, Simiç kaloi katër vjet në paraburgim para lirimit të tij nga akuzat.
“Simiç vdiq para dy vjetësh. Ai vdiq pa e marrë dot veten nga gjyqi”, tha Tomiç. “Nuk kam asnjë dyshim se koha që ai kaloi në paraburgim ishte shkaku i vdekjes së tij të parakohshme.”