Duke hedhur një hap të madh para me planin e tij të rimëkëmbjes nga COID-19, Komisioni Europian ka hapur debate mes vendeve të Visegradit. Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje të mëdha në lidhje me aftësinë e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore për t’i shpenzuar fondet në mënyrë efikase.
Plani rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh i propozuar nga Komisioni Europian është përshëndetur si një hap i madh brenda bllokut përsa i takon parimit të borxhit të përbashkët. Por ky plan ka hapur gjithashtu debate të reja në Europën Qendrore dhe Lindore.
Duke u mbështetur në një propozim nga Gjermania dhe Franca, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen zbuloi në fund të majit një plan për të përdorur para të huazuara – të shlyera bashkërisht gjatë një periudhe 30 vjeçare – për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të bllokut nga pandemia COVID-19, edhe pse ajo po përballet me një rezistencë nga shtetet veriore të cilat e kundërshtuan idenë e ndarjes së borxhit me kolegët e tyre jugorë.
Italia dhe Spanja janë përfitues qartë, por po ashtu është edhe Polonia, duke hapur një krisje në unitetin e katër vendeve të Visegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia.
Katërshja shpesh ka ngritur një front të bashkuar për çështjet e politikave të BE-së, sidomos gjatë krizës së refugjatëve që shpërtheu në vitin 2015 kur ajo refuzoi kuotat e zhvendosjes për të ndarë barrën në bllok.
Por plani i von der Leyen tani ka vendosur Poloninë dhe Sllovakinë në njërën anë dhe Republikën Çeke dhe Hungarinë në anën tjetër.
Liderët e këtyre katër vendeve do ta diskutojnë çështjen në një takim që do të mbahet më 11 qershor. Por ekspertët dhe zyrtarët dyshojnë se ata do t’i lënë pas mosmarrëveshjet e tyre.
“Ne nuk presim të shohim një front të fortë dhe të unifikuar siç kemi parë gjatë krizës së refugjatëve”, tha Vit Havelka, një analist në organizatën Europeum me bazë në Pragë.
Ekziston gjithashtu një shqetësim i përhapur për aftësinë e vendeve në rajon për të përvetësuar fonde të tilla dhe për t’i shpenzuar ato me mençuri.
“Ky është momenti që përcakton gjithçka”
Duke e quajtur planin “Next General EU”, von der Leyen propozoi 500 miliardë euro grante për vendet e prekura më shumë nga koronavirusi dhe 250 miliardë euro të tjera në formë kredie, përveç buxhetit afatgjatë të BE-së për vitet 2021-2027 të cilin Komisioni propozoi ta caktonte në 1.1 trilion euro.
Për herë të parë, Komisioni do të merrte hua para nga tregjet financiare, duke siguruar kosto të ulëta huamarrjeje.
Von der Leyen u tha parlamentarëve europianë se blloku po përballej me një “moment që përcakton gjithçka”.
“Ajo që filloi me një virus aq të vogël saqë nuk mund të shihet as me ty, është shndërruar në një krizë aq të madhe saqë nuk mund ta humbisni”, tha ajo.
Plani ka nevojë për mbështetjen unanime të të 27 vendeve anëtare të bllokut dhe mund të pësojë akoma ndryshime të rëndësishme.
Republika Çeke: “Absolutisht e papranueshme”
Nga Katërshja e Visegradit, Republika Çeke shprehu kundërshtimet më të zëshme.
“Këto kushte janë absolutisht të papranueshme për ne”, deklaroi kryeministri Andrej Babis.
“Ato shpërblejnë anëtarët e BE-së me papunësi të lartë dhe penalizojnë vendet anëtare të BE-së që janë të disiplinuara dhe kanë një shkallë të ulët papunësie”, tha ai. “Kjo do të na vendoste në një disavantazh të madh.”
Sipas vlerësimeve fillestare të Komisionit, Praga do të merrte 8.6 miliardë euro në pagesa direkte me 10.6 miliardë euro në formë kredie.
Mes paralajmërimeve se Republika Çeke rrezikonte të bëhej një kontribuues neto i BE-së, nënkryetarja e Komisionit Europian Vera Jourova – anëtare e partisë Ano të Babisit – tha se kur llogariten fondet strukturore, Republika Çeke do të ishte akoma rreth 7.5 miliardë euro më mirë nga buxheti i vitit 2021-2027.
Por zyrtarët e qeverisë çeke, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se kundërshtimet e Babisit nuk ishin vetëm ekonomike. Kryeministri çek është i shqetësuar, thanë ata, për pushtetin që i është dhënë Brukselit, duke e afruar BE-në më shumë me një buxhet të përbashkët dhe qeverinë qendrore.
Duke kundërshtuar planin, Babis do të marrë në konsideratë mbështetjen e shteteve anëtare konservatore, si Austria, Danimarka, Suedia dhe Holanda, por edhe të partnerit të tij hungarez në Katërshen e Visegradit, Viktor Orban.
Orban e quajti planin “absurd dhe pervers”. Ekspertët thonë se ai ka dyshime për reciprocitetin e borxhit, por edhe për zhvendosjen drejt një integrimi më të madh në BE. Orban ka pasur gjithashtu debate me Poloninë, e cila, si përfituesja e tretë më e madhe e planit, ka qenë e papërmbajtur në lëvdatat e saj.
Polonia një përfituese e madhe nga fondi
Vetëm nga fondi i rimëkëmbjes, Polonia do të marrë më shumë se 37 miliardë euro në formë grantesh dhe 26.8 miliardë euro në formë kredish të tjera.
“Polonia e bindi Europën që të ketë një buxhet ambicioz. Dhe ia dolëm mbanë!’, shkroi presidenti polak Andrzej Duda në Twitter në reagimin e tij të parë për këtë çështje.
Polonia nuk është e lumtur vetëm me shumat që do të marrë, por edhe me ndarjen e shpenzimeve.
Shqetësimet e mëparshme të Varshavës se do të merrte më pak në lidhje me fondet e kohezionit në buxhetin e ardhshëm, u kompensuan nga fondet shtesë të rimëkëmbjes. Fondet për politikën e përbashkët bujqësore, një tjetër përparësi polake, gjithashtu do të rriten.
Polonia ka parë gjithashtu një rritje të madhe parash kushtuar për tranzicionin e rajoneve të qymyrit, nga dy miliardë euro në tetë miliardë euro, sipas propozimit të ri. Varshava kishte qëndruar e vetme në kundërshtimin e e qëllimit të BE-së për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, duke argumentuar se kjo do të ishte shumë e kushtueshme për Poloninë.
Megjithatë, ashtu si edhe vendet e tjera në rajon, Polonia do t’i kushtojë vëmendje të madhe kushtëzimit, duke qëndruar fuqimisht kundër parimit që paratë e BE-së të jepen të kushtëzuara nga respektimi i parimeve themelore të bllokut përsa i takon sundimit të ligjit.
Bullgaria, ndërkohë që mirëpret perspektivën e 12.3 miliardë eurove sipas planit të rimëkëmbjes, është gjithashtu e shqetësuar për kushtet që do të shoqërojnë këto para.
“Kjo nuk është një temë e lehtë për Bullgarinë”, tha Alexandrina Ginkova, një gazetare e Dnevnik.bg.
“Do të jetë interesante të shohim nëse vlerësimet do të ndikojnë përfundimisht në shpërndarjen e fondeve të BE-së.”
A mund t’i shpenzojnë ata këto para?
Edhe Sllovakia, Rumania dhe Kroacia e kanë mirëpritur pjesën e tyre përkatëse të fondit të propozuar të rimëkëmbjes, por ekziston shqetësimi për aftësinë administruese të këtyre vendeve për të siguruar paratë.
E gjendur përballë impaktit katastrofik që mund të ketë pandemia në sektorin e turizmit në Kroaci, kryeministri Andrej Plenkoviç reagoi shpejt duke i mirëpritur “fondet shumë bujare” të Komisionit.
Plenkoviç, Bashkimi Demokratik Kroat në pushtet i të cilit këtë vit përballet me zgjedhje parlamentare, tha se Kroacia ishte gati të marrë pak më shumë se 10 miliardë euro, tre të katërtat e të cilave do të vijnë në formën e granteve dhe pjesa tjetër në formë kredish. Ai tha se priste që Kroacia të merrte të paktën të njëjtën shumë edhe nga buxheti.
Por profesori i shkencave politike Kristijan Kotarski tha se kishte pikëpyetje në lidhje me aftësinë e Kroacisë për t’i përdorur si duhet paratë.
“Kjo është diçka që Kroacia duhet të përdorë mirë, por do të shohim se si do të krijohet administrata kombëtare dhe sa shpejt dok të absorbohen këto fonde”, tha Kotarski për BIRN.
Pas Spanjës, Italisë, Polonisë dhe Greqisë, Rumania është me shumë gjasa do të jetë përfituesja e pestë më e madhe, me rreth 33 miliardë euro.
Pas një debati të gjatë dhe shpesh të hidhur mbi fondet e kohezionit të BE-së, buxheti aktual gjithashtu duket pozitiv për Bukureshtin.
“Nga këndvështrimi rumun, nuk mund të jesh kundër këtij plani rimëkëmbjeje”, tha Siegfried Muresan, një eurodeputet rumun dhe nënkryetar i bllokut të Partisë Popullore Europiane.
“Parimet e këtij plane janë të shëndosha dhe është mirë që Rumania ta mbështesë atë”, tha Muresan për BIRN në një intervistë telefonike, duke thënë se ai ishte i sigurt se plani i rimëkëmbjes do të miratohej në një formë “të ngjashme” me atë të propozuar nga Komisioni.
Nga plani i rimëkëmbjes dhe buxheti, Rumania pritet të marrë rreth 100 miliardë euro, një shumë që ministri i fondeve europiane të vendit, Marcel Bolos, e quajti “mbresëlënëse”. Por përsëri, aftësia është një problem. Me një normë thithjeje prej 36 për qind, Rumania është tre pikë nën mesataren e BE-së.
“Kjo është një shumë tepër bujare për Rumaninë dhe një mundësi e madhe nëse kjo e fundit arrin ta shfrytëzojë atë”, tha për BIRN eksperti i çështjeve të BE-së, Dumitru Opritoiu.
Sllovakia tha se Krishtlindja kishte ardhur para kohe.
“Kjo është një mundësi për t’i çuar ekonomitë tona drejt shekullit XXI”, tha Tomas Valasek, një deputet nga partia Za ludi (Për Popullin) dhe kreu i komitetit të punëve të jashtme në parlamentin sllovak.
Megjithatë, Sllovakia ka të dhëna edhe më të këqija sesa Rumania përsa i takon përdorimit në mënyrë efikase dhe në kohë të fondeve të BE-së. Me 33 për qind, shkalla e absorbimit e Sllovakisë ia kalon vetëm asaj të Kroacisë.
“Është shumë e rëndësishme të jemi gati t’i përdorim këto para dhje t’i përdorim ato për gjëra vërtet domethënëse që do të ndihmojnë ekonominë tonë”, tha Veronika Remisova, zv/kryeministrja e Sllovakisë për investime dhe zyrtarja përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve të BE-së brenda vendit. Remisova ka premtuar të lehtësojë shpërndarjen e fondeve të BE-së dhe të përmirësojë transparencën.
Disa ekspertë dhe media kanë shprehur shpresë se Bratislava do t’i përdorë paratë për të rikrijuar ekonominë sllovake, duke u larguar nga modeli i punës së lirë që e ktheu vendin në një qendër montimi për prodhuesit e huaj të makinave pas rënies së komunizmit.
Greqia gjithashtu e mirëpret planin e von der Leyen, i cili planifikon të japë 22.5 miliardë euro në formë grantesh dhe 9.5 miliardë euro të tjera në formë kredie për Athinën.
Bashkë me buxhetin e rishikuar, vendi do të marrë më shumë se 50 miliardë euro, ose 30 për qind të prodhimit të tij kombëtar ekonomik.
“Kjo do të mundësojë një rimëkëmbje më të shpejtë dhe një ristrukturim të fortë ekonomik”, tha gazetari i ekonomisë Yannis Kimpoyropoulos, “por çështja kryesore është se çfarë do të bëjë vendi me këto para”.