
Edhe nëse arrijnë të krijohen një ose më shumë vaksina, që premtojnë t'i bëjnë njerëzit më pak të ndjeshëm ndaj COVID-19, problemi i shëndetit publik nuk do të eliminohet. Por politikëbërësit mund të shmangin disa probleme të parashikueshme duke e filluar tani adresimin e problemeve kryesore në lidhje me financimin dhe shpërndarjen e vaksinës.

Shifrat globale të pandemisë COVID-19 janë shumë të mëdha. Më shumë se gjysmë milion jetë të humbura, qindra milionë pa punë dhe triliona dollarë pasuri të shkatërruara. Dhe sëmundja nuk ka kaluar ende. Prej saj mund të vdesin edhe qindra mijëra të tjerë.
Nuk është habi që ka një interes të jashtëzakonshëm në zhvillimin e një vaksine, me më shumë se njëqind përpjekje në zhvillim në të gjithë botën. Disa duken premtuese dhe një ose më shumë mund të japin fryte – ndoshta më shpejt sesa disa vjet ose më shumë kohë sasa duhet normalisht për të krijuar një vaksinë.
Por edhe nëse dalin një ose më shumë vaksina që premtojnë t'i bëjnë njerëzit më pak të ndjeshëm ndaj COVID-19, problemi i shëndetit publik nuk do të eliminohet. Siç do të dëshmojë çdo ekspert mjekësor, vaksinat nuk janë ilaçe. Ato janë thjesht një mjet në arsenalin mjekësor.
Asnjë vaksinë nuk mund të pritet të prodhojë imunitet të plotë ose të qëndrueshëm tek të gjithë ata që e marrin atë. Miliona do të refuzojnë të vaksinohen. Dhe është edhe fakti që në planet ka gati tetë miliardë burra, gra dhe fëmijë. Prodhimi i tetë miliardë dozave (ose më shumë se kaq, nëse nevojitet më shumë se një dozë) e një ose më shumë vaksinave dhe shpërndarja e tyre nëpër botë mund të kërkojë vite, jo muaj.
Këto janë të gjitha çështje shkence, prodhimi dhe logjistike. Këto është e sigurt që janë të vështira, por politika do të jetë të paktën po kaq sfiduese.
Si fillim, kush do të paguajë për ndonjë vaksinë? Kompanitë do të presin që të rikuperojnë investimet e tyre në kërkime dhe zhvillim, së bashku me kostot e prodhimit dhe shpërndarjes. Kjo shumë tashmë është në dhjetëra miliarda dollarë (dhe ndoshta edhe shumë më tepër) – para se të futet në lojë edhe çështja e fitimit. Ekziston edhe pyetja lidhur me faktin se si kompanitë që zhvillojnë një vaksinë do të kompensohen nëse u kërkohet të licencojnë patentat dhe njohuritë e tyre për prodhues të tjerë diku tjetër.
Megjithatë, çështja më e vështirë politike për të gjithë ka të ngjarë të ketë të bëjë me qasjen. Kush duhet të marrë dozat e para të ndonjë vaksine? Kush e përcakton se kush lejohet të hyjë në radhë dhe bazuar në çfarë renditje? Çfarë avantazhesh të veçanta i takojnë vendit ku zhvillohet një vaksinë? Në çfarë mase vendet më të pasura do të renditen në radhë mbi vendet më të varfra? A do të lejojnë vendet që të ndërhyjë edhe gjeopolitika, duke e ndarë vaksinën me miqtë dhe aleatët, duke detyruar ndërkohë vendet me popullsi më të cënueshme të mbeten në fund të radhës?
Në nivel kombëtar, çdo qeveri duhet të fillojë të mendojë se si do t'i shpërndajë ato vaksina që prodhon ose merr. Një ide do të ishte që në fillim të administrohen te punonjësit e kujdesit shëndetësor, pasuar nga policia, zjarrfikësit, ushtria, mësuesit dhe punëtorët e tjerë thelbësorë. Qeveritë gjithashtu duhet të marrin në konsideratë se çfarë përparësie duhet t'u japin atyre që janë në rrezik më të madh të zhvillimit të komplikimeve serioze nga COVID-19, të tillë si të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore ekzistuese. Vaksina duhet të jetë falas për disa apo për të gjithë?
Në nivelin ndërkombëtar, këto pyetje janë edhe më komplekse. Ne duhet të sigurohemi që prodhimi të mund të shtohet shpejt, që të ekzistojnë rregulla për disponueshmërinë dhe të ketë fonde të mjaftueshme në mënyrë që të mbulohen edhe vendet e varfra. Gavi, Aleanca e Vaksinave, Organizata Botërore e Shëndetësisë, disa qeveri, dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates kanë formuar Fondin e Qasjes Globale për Vaksina COVID-19 (COVAX). Krijuesit e tij propozojnë që çdo vaksinë efikase që del të trajtohet si një e mirë publike globale, të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë botën, pavarësisht se ku është shpikur apo pavarësisht nga aftësia e një vendi. OBSH-ja ka paraqitur një kornizë globale alokimi që kërkon të sigurojë përparësi për popullatat më të prekshme dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Por qasje të tilla mund të jenë joreale. Nuk është vetëm se përpjekjes së COVAX i mungojnë fonde të përshtatshme, pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dhe një autoritet të qartë. Çështja është se të gjitha qeveritë janë të sigurta se do të vihen nën një presion të madh për t'u kujdesur fillimisht për qytetarët e tyre. Nacionalizmi i vaksinës është pothuajse i sigurt se do të triumfojë mbi multilateralizmin e vaksinës.
Historia e fundit e forcon këtë skepticizëm. COVID-19 u shfaq në Kinë dhe shumë shpejt u bë një problem mbarëbotëror. Përgjigjet, megjithatë, kanë qenë kryesisht përgjatë vijave kombëtare. Disa vende kanë ecur relativisht mirë, falë sistemeve të tyre ekzistuese të shëndetit publik dhe lidershipit politik, dhe në disa vende të tjera ka qenë krejt e kundërta.
Vazhdimi i kësaj qasjeje në nivel kombëtar për një vaksinë është recetë e sigurt për katastrofë. Vetëm një numër i vogël vendesh do të jenë në gjendje të prodhojnë vaksina të suksesshme. Qasja duhet të jetë globale. Arsyet nuk janë vetëm etike dhe humanitare, por edhe ekonomike dhe strategjike, pasi rimëkëmbja globale kërkon përmirësim kolektiv.
Në Irak, kur progresi ushtarak tejkaloi planifikimin për pasojat e luftës, të udhëhequra nga SHBA-ja, rezultati ishte kaos, ose “sukses katastrofik”. Ne nuk mund të lejojmë edhe këtu një rezultat analog. Qeveritë, kompanitë dhe organizatat joqeveritare duhet të bashkohen shpejt, qoftë nën nismën COVAX, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara ose të G20, apo diku tjetër. Qeverisja globale vjen në të gjitha format dhe madhësitë. E rëndësishme është që ajo të vijë. Jeta e miliona njerëzve, mirëqenia ekonomike e miliardave dhe stabiliteti social kudo varen nga ekuilibri.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Politics of a COVID-19 Vaccine