
Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj, i cili renditej i katërti në sistemin gjyqësor për nga niveli i pasurisë në një analizë të deklaratave të pasurisë të kryer nga BIRN në vitin 2015, dorëzoi letrën e dorëheqjes në Këshillin e Lartë Gjyqësor të hënën.

Alaudin Malaj, një gjyqtar karriere me eksperiencë prej gati tre dekadash, dha dorëheqjen të hënën në një letër të dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga titulli i magjistratit dhe nga mundësia për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për së paku 15 vjet, ndërsa i shpëtoi në këtë mënyrë edhe përballjes me procesin e rivlerësimit kalimtar, të njohur si Vetingu i Gjyqësorit.
Malaj, i cili u hetua nga prokuroria dhe doli i pafajshëm për pastrim parash, disponon një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë eurosh.
Një zëdhënës i Këshillit të Lartë Gjyqësor konfirmoi dorëzimin e letrës së dorëheqjes së Malajt, një pjesë e së cilës u publikua më herët gjatë ditës në një pjesë të medias.
Në vitin 2015, kur Shqipëria ishte duke diskutuar nevojën ose jo të një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë, Malaj u bë i njohur në publik kur deklaroi në televizion se është e papranueshme që të quhet makinë luksi një makinë gjashtë vjet e vjetër.
“Makinë gjashtë vjet, ta quash makinë luksi, nuk shkon, aq më tepër në sistemin e sotëm ku makinat tre vjet, katër vjet hidhen poshtë. Të quash makinë luksi një makinë të vitit 2008 është e papranueshme për mua,” deklaroi Malaj në atë kohë, i cili, sipas deklaratave të tij të pasurive dispononte një makinë Benz S350 të blerë në vitin 2011 për 63 mijë euro.
Sipas ILDKPKI, Malaj kishte 60 mijë euro pasuri në vitin 2003, kohë kur zyrtarët publikë u shtrënguan të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre. Gati 11 vjet më vonë, familja e kryetarit të Gjykatës së Apelit llogaritet të ketë 1.7 milionë euro pasuri, e shpërndarë në pasuri të patundshme dhe kompani biznesi.
Ai u kallëzua në prokurori në shtator 2014 nën akuzën se ka krijuar një sistem pastrimi parash përmes familjarëve të tij. Por dy muaj më vonë, prokuroria e Durrësit pushoi çështjen me argumentin se faktet e raportuara nga ILDKPKI nuk parashikoheshin nga ligji si vepër penale.
Të dhënat e grumbulluara nga BIRN tregojnë se së paku 40 gjyqtarë e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen deri më sot para përballjes me procesin e vetingut.
Pak ditë më parë, gjyqtari tjetër i Apelit të Tiranës Gjin Gjoni dha dorëheqjen.
Lexo më shumë:
Kreu i Apelit të Tiranës paditet për “pastrimin” e 1.7 milionë eurove pasuri
Pasuria e një gjyqtari ‘milioner’ në skanerin e drejtësisë
Nga Gjin Gjoni te Sinojmeri; lista e 10 gjyqtarëve më të kamur në Shqipëri