Koha dhe intensiteti i përgjigjeve amerikane, braziliane dhe indiane ndaj COVID-19 mund të kenë qenë të ndryshme, por rezultatet kanë qenë të njëjta: numri më i lartë i infektimeve në botë. Personalitetet autoritare dhe politikat përçarëse të liderëve të këtyre vendeve kanë të bëjnë shumë me këtë.
Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India renditen të parat në botë përsa i përket numrit të rasteve të konfirmuara me COVID-19 dhe fundi nuk duket afër. Ata (dhe Rusia e vendit të katërt) kanë një gjë të përbashkët: liderë maço me personalitete autoritare.
Ka dallime të dukshme në mënyrën se si këto vende i janë përgjigjur pandemisë COVID-19. Presidenti brazilian Jair Bolsonaro dhe presidenti amerikan Donald Trump në mënyrë të vazhdueshme kanë minimizuar ashpërsinë e kërcënimit dhe nuk pranuan të ndërmerrnin masa të ashpra.
Kohët e fundit, Trump e ndreqi qëndrimin e tij disi, padyshim i motivuar nga rënia e mbështetjes për të. Për shembull, ai ka filluar të vendosë maskë në publik, pas muajsh që nuk pranoi ta bënte këtë dhe tallej me ata që e vendosnin. Por ai vazhdon t'i prishë punë ekspertëve të shëndetit me pretendime të rreme dhe mashtruese. Bolsonaro, nga ana tjetër, mbetet kavalier, edhe pasi është prekur edhe vetë dhe është shëruar nga COVID-19.
Ndryshe nga kjo, kryeministri Indian Narendra Modi vendosi një nga izolimet më të rrepta – dhe më të papritura në botë – kur në vend ishin raportuar vetëm disa raste. Kjo ndoshta shpjegon pjesërisht pse shkalla e infeksioneve për milion banorë është shumë më e ulët sesa në SHBA ose Brazil, edhe pse hulumtimi i pavarur sugjeron se shifrat zyrtare si në Indi ashtu si edhe në Brazil janë shumë më të ulëta se totali aktual.
Por izolimi i Modit nuk u shoqërua me një mbrojtje të konsiderueshme sociale ose mbështetje për të ardhurat. Si rezultat, kjo u pasua nga një tragjedi humanitare në shkallë të gjerë, me miliona njerëz të zhytur në varfëri dhe uri. Ndërkohë, virusi vazhdoi të përhapej, që do të thotë se, kur u hoq izolimi, punëtorët e varfër u përballën me rreziqe edhe më të mëdha.
Koha dhe intensiteti i përgjigjeve të SHBA-së, Brazilit dhe Indisë mund të kenë qenë të ndryshme, por rezultatet kanë qenë të njëjta: miliona infektime me COVID-19. SHBA-ja renditet e para, me më shumë se pesë milionë të infektuar, Brazili i dyti me pak më shumë se tre milionë dhe India e treta, me më shumë se dy milionë. Personalitetet e liderëve të tyre kanë shumë të bëjnë me këtë.
Trump, Bolsonaro dhe Modi njihen për arrogancën, kapardisjen dhe refuzimin e kritikave. Ata kanë treguar të tre një aftësi demagogjike për të frymëzuar besim te një personalitet që zmbraps disa, por edhe gëzon devotshmërinë e shumë të tjerëve. Ata u kanë shërbyer mbi të gjitha me zell interesave të miqve dhe zgjedhësve të tyre. Dhe kanë shfaqur të gjithë përbuzje të vazhdueshme për të vërtetën, duke përdorur shpërqendrim, devijim dhe gënjeshtra të drejtpërdrejta për të çuar para narrativat e tyre të preferuara dhe për të ruajtur popullaritetin e tyre.
Këto cilësi janë në themel të gabimeve të politikës që kanë rritur numrin e vdekjeve të lidhura me pandeminë në të tre vendet. Si fillim, shpërndarja e përgjegjësisë midis qeverive federale dhe shtetërore ose krahinore ka qenë e balancuar, arbitrare dhe e pakoordinuar, ndërsa qeveritë qendrore – shpesh duke mos respektuar shkencën ose këshillat e ekspertëve – kanë imponuar rregulla dhe politika joracionale që ndryshonin shpesh.
Qeveritë shtetërore dhe krahinore, nga ana e tyre jo vetëm që nuk kanë frenuar përhapjen e virusit, por gjithashtu kanë dështuar edhe në mbështetjen e shëndetit publik më gjerësisht dhe adresimin e pasojave ekonomike të pandemisë. Qeveritë federale nuk kanë bërë asgjë për të siguruar koordinimin midis këtyre subjekteve të nivelit të ulët.
Përtej mungesës së një udhëzimi efektiv nga lart, shtetet dhe provincat janë përballur me burime të pamjaftueshme. Pabarazia fiskale është më e rëndë në Indi, ku qeveria qendrore i ka mohuar qeverive të shtetit edhe fondet që u detyrohet atyre ligjërisht, por kjo është e dukshme edhe në Brazil dhe SHBA.
Më gjerësisht, asnjë nga të tri vendet nuk ka rritur shpenzimet e përgjithshme të shëndetit publik. Dhe ndërkohë që qeveritë u kanë ofruar ndihmë financiare kompanive të prekura, pjesa më e madhe e kësaj ndihme ka shkuar kryesisht për korporata të mëdha dhe bizneset e vogla janë detyruar të kënaqen me çikërrima. Ndërkohë, të varfrit kanë marrë një ndihmë shumë të vogël, sidomos në Indi.
Punëtorët thelbësorë që rrezikojnë jetën e tyre për të mbajtur funksionimin e shoqërive – për shembull, duke ofruar shërbime shëndetësore ose duke garantuar furnizime ushqimore – gjithashtu kanë marrë mbrojtje ose mbështetje të pakët. Shumë prej tyre u mungojnë pagat adekuate ose të marra në kohë, pajisjet mbrojtëse, madje nuk iu paguan edhe sigurimet shëndetësore gjatë pandemisë.
Megjithatë, në vend që të adresojnë këto dështime në lidership, Trump, Bolsonaro dhe Modi po krijojnë devijime. Trump më mirë merret me përballjen e tij me Kinën – madje edhe duke u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e pretenduar të “dezinformatave” kineze – sesa të vërë në zbatim një përgjigje efektive.
Në të tre vendet, përkeqësimi i ndarjeve sociale – dhe nxitja e agresionit nga grupet dominuese – ekzistonte shumë kohë para pandemisë. Bolsonaro ka një histori të stërlashtë retorike raciste, mizogjinie dhe qëndrimi anti-LGBTQ dhe u ka hequr të drejtat grupeve minoritare. Ndërsa qëndrimi i Trump ilustrohet më së miri nga amplifikimi i tij i supremacisë së të bardhëve dhe dënimi i protestave të vazhdueshme kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë.
Kjo na çon në një tjetër të përbashkët: të tre udhëheqësit e kanë përdorur pandeminë si një justifikim për të shtypur mospajtimin. Ka pasur zemërim për përdorimin e forcave federale nga ana e Trump, shpesh të veshur me rroba të zakonshme, për të shtypur protesta kryesisht paqësore. Por në Indi po ndodh shumë më keq. Njerëzit që kanë marrë pjesë në protesta paqësore po arrestohen. Burgjet indiane – ku COVID-19 po përhapet shpejt – tani janë shtëpia e shumë aktivistëve të të drejtave të njeriut, avokatëve, mësuesve dhe studentëve.
Forca brutale nuk mund të ndalojë një virus. As mashtrimi, manipulimi, tallja apo forca nuk mund ta bëjë këtë. Siç kanë treguar vendet e tjera (shumë prej tyre me lidere gra), e vetmja mënyrë për të mposhtur COVID-19 është përfshirja e komunitetit, bashkëpunimi dhe solidariteti shoqëror. Nuk është rastësi që humbësit më të mëdhenj në botë përsa i takon COVID-19 kanë marrë një rrugë ndryshe.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Male Leadership Malpractice