
Radhë kilometrike dhe situatë kaotike në doganat e Kakavijës dhe Kapshticës, ku mijëra shqiptarë vërshuan të kthehen në Greqi përpara vendosjes së regjimit të ri të masave kundër pandemisë së COVID-19.

Mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi qëndruan në radhë kilometrike për orë të tëra të premten në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, në pritje për të kaluar kufirin përpara se një regjim i ri masash për parandalimin e COVID-19 të hyjë në fuqi në Greqi.
Sipas një vendimi të qeverisë greke, prej datës 17 gusht kufirin do të lejohen ta kalojnë personat që kanë me vete përgjigjen negative të testit të COVID-19 si dhe do t’i nënshtrohen një karantine 7-ditore.
Me mijëra emigrantë që ishin kthyer në Shqipëri për pushime nxituan drejt pikave kufitare, por mbetën të bllokuar në temperatura të larta dhe radhë shumë të gjata.
“M’u deshën 5 orë pritje në radhë që të arrija të kaloja anën tonë të kufirit. U nisa nga Pogradeci që në mëngjes dhe tani që shkoi ora gati 3 më erdhi radha mua dhe familjes sime,” thotë Jorgo Lame, i kthyer pak ditë më parë për shkak të një problemi familjar. “Besoj edhe në anën greke do të vonohemi përsëri,” shtoi ai.
Në pikën kufitare të Kakavijës, radha e makinave mbërriti në momente të caktuara deri në 20 kilometra gjatësi, duke u shtrirë deri në fshatin Jorgucat. Një video e publikuar nga Top Channel tregonte një situatë kaotike në anën greke të kufirin, ku emigrantët qëndronin të rrituar në grumbuj, në pritje për të bërë testin e COVID-it.
Në doganën e Kapshticës, radha e makinave e kaloi gjatësinë e 3 kilometrave, duke rikthyer në kujtesën e emigrantëve shqiptarë vitet e gjata të radhëve në kufi.
Mihal dhe Eleni Demiri, çift bashkëshortësh nga Korça i thanë BIRN se po kalonin orë të vështira edhe për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa ndodheshin ende larg sporteleve të përpunimit të dokumenteve.
“Në orën 11.00 ishim këtu, por ka shumë ngarkesë. Radha lëviz, por ne na duket sikur mbetemi në një vend aq shumë ka. Unë qëndrova në makinë, ndërsa bashkëshorti im eci gati gjysmë ore që shkoi më bleu një shishe ujë. Kishim disa vite që nuk e jetonim këtë situatë,” thotë Eleni.
Pas presionit mediatik në rritje për situatën e krijuar në dy pikat më të mëdha kufitare me Greqinë, u shtuan edhe reagimet e qeverisë shqiptare. Ministja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mbërriti pasdite në doganën e Kakavijës, ku zhvilloi takime me përfaqësuesit e pushtetit vendor. Ndërsa Ministria e Jashtme deklaroi se kishte negociuar me palën greke për shtimin e numrit të testeve të COVID-it në kufi.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë,” tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u bëri apel qytetarëve që të informohen për gjendjen në kufi, në mënyrë që të shmangin pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta. Policia e Shtetit dhe forcat e Ushtrisë njoftuan se po shpërndanin ujë për dhjetra mijëra njerëzit e bllokuar, në pritje për të kaluar kufirin.

Në pikën kufitare të Kapshticës, një zyrtar i Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit tha se pala greke ka shtuar sportelet dhe po punon me shpejtësi, por fluksi i makinave nuk ka të ndalur.
Kufizimi i orarit të kalimit në fashën 06.00 – 22.00 është një shqetësim shtesë për emigrantët, të cilët rrezikojnë që të flenë aty gjatë natës.
“Kam që në orën 11 këtu dhe ende s’kam kaluar. Kam shumë makina përpara dhe nuk e di nëse deri në mbrëmje do arrij të kaloj. Edhe po kalova këtu në kohë, mund të bllokohem tek greku dhe do të detyrohem të fle në makinë bashkë me djalin tim. Është shumë e vështirë,” tha Refat Mjeshtri nga Durrësi.
Ai shtoi se është i detyruar që të presë radhën, për të shmangur karantinimin e detyrueshëm në Greqi për shkak të punës.