Pas shqetësimit të ngritur nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i kërkoi socialistëve të ndjekin rekomandimet e Venecias në tërësi dhe paralajmëroi se BE po e ndjek nga afër çështjen për t’u siguruar që “ndryshimet do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Europiane”.
Një plan i shumicës parlamentare socialiste për të miratuar paketën anti-shpifje përmes ndryshimeve të cunguara dhe jotransparente duket se po has kundërshti jo vetëm nga organizatat për të drejtat e njeriut, por edhe nga Bashkimi Europian.
Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca paralajmëroi socialistët në një seri me mesazhe në Tëitter të enjten që të ndjekin në tërësi rekomandimet e Opinionit të Komisionit të Venecias nëse duan të bëjnë amendime në ligjin, të cilin socialistët e miratuan dhjetorin e kaluar në kundërshti me këshillat e Bashkimit Europian por që u bllokua më pas nga presidenti Ilir Meta dhe nga Këshilli i Europës.
“Çdo amendim në draftine ligjit antishpifje duhet të jentë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje,” shkroi Soreca.
“Ne nxisim autoritetet e Shqipërisë të ndërmarrin konsultimet e nevojshme me organizatat e medias dhe shoqërinë civile dhe të marrin parasysh opinionet e shprehura nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias,” shtoi më tej Soreca.
Javën e kaluar, pesëmbëdhjetë organizata shqiptare paralajmëruan se shumica parlamentare socialiste ka në plan të bëjë një rishikim të përciptë të ligjit aktualisht të bllokuar sipas kritereve të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit. Përdorimi i këtij neni, i cili përshkruan mënyrën se si parlamenti rishikon ligjet e kthyera për rishqyrtim parlamentar nga presidenti, mund t’i lejojë socialistëve të bëjnë ndryshime të përcipta të këtë ligj dhe ta vënë atë menjëherë në fuqi. Organizatat vendëse dhe ndërkombëtare thonë se edhe nëse parlamenti do të trajtojë të gjitha vërejtjet e presidentit, sërish ai do të dështojë të trajtojë disa vërejtje me rëndësi kritike të bëra nga Opinioni i Komisionit të Venecias, duke sjellë një ligj poshtë standardeve ndërkombëtare. Neni 86 i rregullores së Kuvendit i lejon parlamentit të bëjë ndryshime në një ligj të kthyer nga presidenti, por vetëm për ato çështje për të cilat presidenti ka shprehur vërejtje. Në çdo rast, parlamenti ka të drejtë ta injorojë dekretin e presidentit në tërësi ose në mënyrë të pjesshme. Organizatat kanë shprehur gjithashtu vërejtjen se kjo taktikë legjislative e përdorur nga shumica socialiste mund të prodhojë një ligj të pakonsultuar paraprakisht. Për këtë arsye, organizatat i kërkojnë parlamentit të heqë dorë nga ky ligj dhe të nisë procesin nga e para.
Opinioni i Komisionit të Venecias vërejti se krijimi i një institucioni administrativ për të mbikëqyrur median online, siç dëshiron kryeministri Edi Rama, në kushtet kur vendi nuk ka një traditë institucionesh të pavarura, do të sjellë rrezikun e keqpërdorimit të këtij institucioni si mjet presioni ndaj gazetarëve. Komisioni vërejti gjithashtu që mënyra e formulimit të ligjit nga socialistët, mund t’i hapë rrugën përdorimit të këtij ligji nga oligarkët për t’i mbyllur gojën medias për çështje të interesit publik. Venecia i këshilloi Shqipërisë që fillimisht të trajtojë problemin e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe ndërkohë, të nxisë vetërregullimin e medias si mjet për të luftuar shpifjet apo gjuhën e urrejtjes online.
Bashkimi Europian i ka vendosur kusht qeverisë shqiptare që të respektojë opinionet e Komisionit të Venecias si pjesë e detyrimeve për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në përgjithësi Brukseli ka pëlqyer që të dërgojë mesazhe në takime private te qeveria mbi atë që mundet dhe që nuk mundet të bëhet ndërsa deklaratat publike, si kjo e ambasadorit Soreca, zakonisht vijnë pasi kanalet diplomatike nuk arrijnë rezultat.
“Ne do të vijojmë të ndjekim shumë afër zhvillimet në lidhje me këtë ligj të rëndësishëm, në mënyrë që paketa të sillet në përputhje me të gjitha standardet e rëndësishme ndërkombëtare dhe Europiane,” deklaroi Soreca.