Strukturat e Administratës Doganore bllokuan në Hanin e Hotit një trailer me 636 mijë paketa cigare kontrabandë, me vlerë të papaguar detyrimesh prej rreth 100 milion lekësh.
Administrata Doganore njoftoi të enjtes se kishte bllokuar në pikën e Hanit të Hotit një trailer me 636 mijë paketa cigare të markës “President Full Flavour”, të cilat nuk kishin pullë te akcizës. Vlera e detyrimeve doganore të papaguara është sipas njoftimit 99.7 milion lekë.
“Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese me paketa cigare të mbërritura në Degën Doganore të Hanit Hotit, Shkodër, nga Mali i Zi, ushtruan kontroll në mjetin e tipit trajler me targa të Bullgarisë, i cili ka hyrë në territorin doganor Shqiptar nga Mali i Zi”, thuhet në njoftim.
Pas kontrollit fizik nga strukturat doganore, u gjet se ngarkesa nuk ishte e pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
“Trajleri së bashku me sasinë e mallit prej 636 mijë paketa cigaresh u sekuestruan”, thuhet në njoftim, ndërsa rasti iu referua prokurorisë së Shkodrës.