Pasi qeveria mungoi në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga presidenti Ilir Meta në mbrojtje të lumit të egër të Vjosës, në mesditën e së premtes ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama në lidhje me çështjen e ngritjes së HEC-ve mbi Vjosë.
Një ditë pas konferencës ndërkombëtare të organizuar prej presidentit Ilir Meta me fokus çështjen e lumit Vjosa, si edhe përurimit të qendrës kërkimore shkencore pranë lumit Vjosa në Tepelenë, ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
“Qeveria jonë e ka shpallur park kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me parkun. Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë”, ka shkruar kryeministri Rama në një postim të tijin në rrjetin social të Twitter.
“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv/shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen”, vijoi postimi i z.Rama.
Një peticion i nënshkruar prej 776 shkencetarëve në vitin 2019 kundër ngritjese së digave në lumin e egër të Vjosës tërhoqi vëmendjen e presidentit Meta i cili u shpreh i gatshëm për të mbështetur akademikët dhe aktivistët Shqiptarë e të huaj në mbrojte të “zemrës blu” të Europës.
Ndërkohë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, pas konferencës të së enjtes, ka inaguruar mëngjesin e së premtes qendrën kërkimore të Vjosës nën drejtimin e prof. Schiemer, ku u ka bërë dhe një herë thirrje të gjithëve për mbrojtjen e një pasurie natyrore si Vjosa.
“E ardhmja e Vjosës nuk mund të jetë kurrësesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentaleve, por shpallja si Park Kombëtar, duke sjellë kështu impakt pozitiv dhe zhvillim të qëndrueshëm për zonën dhe komunitetin për sot dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ai gjatë fjalës së përurimit të qendrës kërkimore të Vjosës në afërsi të Tepelenës.
Nga ana tjetër, aktivistët që tanimë luftojnë prej vitesh në mbrojtje të Vjosës, e kanë mirëpritur këtë deklaratë të Kryeministrit Rama të cilën ato e shohin si “shpëtimi” i Vjosës.
“E mirëpresim deklaratën e sotshme të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, sipas të cilit lumi i Vjosës do të kursehet prej digës së Kalivaçit. Pas këtij mesazhi të Kryeministrit, kjo do të ishte koha e duhur për të nisur një dialog me shkencëtarët, autoritetet publike dhe shoqërinë civile mbi të ardhmen e Vjosës dhe kthimin e Vjosës në një Park Kombëtar. Jam i sigurt se shumë institucione ndërkombëtare do të jenë gati ta mbështesin këtë rrugëtim”, u shpreh CEO i organizatës Riverwatch, zoti Ulrich Eichelmann.
Ngjashëm, drejtori ekzekutiv i Fondacionit EuroNatur, zoti Gabriel Schwaderer mbështeti vendimin për kthimin e Vjosës në një park kombëtar.
“Krijimi i një parku kombëtar përgjatë tërë Vjosës dhe ndalimi i ndërtimit të HEC-eve është hapi i duhur. Por në Shqipëri ekzistojnë projekte të tjera shkatërruese siç është ai mbi parkun kombëtar të Valbonës. Ne bëjmë thirrje që edhe këto të fundit të ndërpriten menjëherë”, tha ai.