Me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mes kundërshtimeve të fundit të një qiraxhiu të padëshiruar, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit shembi vilën Pustina më 28 shtator – një ndërtesë 2-katëshe në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë në pronësi të familjes me të njëjtin emër.
“Ne e kena marrë në 1996-ën, por të pafuqishëm me nxjerrë qiraxhinjtë. Erdhi ligji në 2012-tën dhe filluam t’i nxjerrim, por shtëpia ishte në gjendja katastrofike. Po të shkosh ta shohësh është skëterrë,” u ankua Bashkim Pustina gjatë një interviste disa muaj përpara se fadroma ta rrafshonte ndërtesën historike për t’i hapur rrugën ndërtimit të një pallati.
“Me një fjalë, shteti e shfrytëzoi, ia voli lekët të gjithë qiraxhinjve aty dhe kur e dorëzoi, e dha të pabanueshme,” shtoi pinjolli i familjes Pustina – një nga bashkëpronarët e vilës.
E ndërtuar në vitin 1927 nga Edip Pustina -intendent dhe financier i pallatit mbretëror gjatë monarkisë së mbretit Zog I, vila dy katëshe kishte një stil arkitektonik të përzierë, midis tipareve vendase dhe elementëve neo-klasikë të banesës ballkanase-europiane të fillimit të shekullit XX.
Megjithë vlerat arkitektonike dhe lidhjes emocionale, Bashkimi tha se përpjekjet e të birit për të investuar dhe për ta rikonstruktuar vilën nuk gjetën mirëkuptimin e bashkëpronarëve të tjerë, duke e detyruar familjen ta jepte truallin për pallat.
Sipas Jora Kasapit – arkitekte 31 vjeçare dhe drejtuese e një projekti që dokumenton nëpërmjet një databaze me kodburim të hapur [open source] vlerat arkitekture të banesave shqiptare, historia e vilës Pustina nuk është e pazakontë.
“Zakonisht këto ndërtesa kanë qenë ndërtuar nga familjet më të pasura të qytetit,” tha Kasapi.
“Trashëgimtarët e tyre, jo detyrimisht kanë të njëjtin status sot dhe në shumicën e rasteve nuk e kanë,” shtoi ajo, duke theksuar se përveçse janë të shumtë në numër, një pjesë e tyre kanë migruar jashtë dhe ndërtesa ka mbetur në një stad tranzitor, e neglizhuar dhe e parestauruar.
Arkitektja theksoi se këto ndërtesa janë dëshmi e ndryshimeve dhe shtresëzimeve që kanë ndodhur në Tiranë dhe nëpërmjet tyre lexohet edhe historia e qytetit.
“Është e rëndësishme që të ruhen, në mënyrë që njerëzit të ndjehen pjesë e një vazhdimësie, një përkatësi me qytetin që nuk mund ta kenë detyrimisht nëpërmjet arkitekturës bashkëkohore, e cila nuk është kontekstuale,” nënvizoi ajo.
Ndërtesat e padëshiruara
Arkitektura është një pjesë e rëndësishme e jetëve tona të përditshme – një materializim në formë fizike i zhvillimit të caktuar social apo ekonomik të çdo qelize – nga familja, qyteti e deri tek shteti.
Sipas arkitektes Jora Kasapi, nëpërmjet arkitekturës dhe ndërtimit, në një qytet mund shohësh nivelin e zhvillimit apo një mënyrë të caktuar jetese – qoftë edhe lëvizjet apo përmbysje sistemesh politike.
“Arkitektura nuk është thjesht ndërtesë, është hapësirë, raporte hapësirash në një shkallë më të madhe, që na ndikojnë dhe na impaktojnë në jetën tonë të përditshme,” thotë Kasapi. “Është pasqyrimi më i mirë, është dëshmitare e gjithë këtyre elementeve dhe ka shumë rëndësi,” shtoi ajo.
Zhvillimi urbanistik i Tiranës, duke filluar me periudhën e pushtimit italian në Luftën e Dytë Botërore, është bazuar në një koncept ‘tabula rasa’; çdo regjim që ka ardhur më pas ka mohuar trashëgiminë arkitektonike të pushtetit paraardhës, duke rrafshuar të vjetrën dhe rindërtuar mbi të.
Në përpjekjen për ta kuptuar këtë proces, se si ndërtesat e një qyteti – pavarësisht mbrojtjes formale si monumente kulture ose mungesës së saj kthehen në ndërtesa të padëshiruara, në vitin 2018 Kasapi filloi të identifikonte dhe t’i nxirrte ato në pah në një projekt kërkimor me Institutin e Antropologjisë.
Beteja për të ruajtur trashëgiminë arkitektonike vernakulare dhe historike të Tiranës është e mbushur me beteja të humbura; por, megjithatë ka edhe disa raste pozitive rijetëzimi të ndërtesave historike. Kasapi liston mes tyre shembullin e Shtëpisë me Gjethe, e cila u kthye në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, apo të shtëpisë muze të Sali Shijakut dhe restaurimin e pjesshëm të vilës Petrela. Ajo thekson gjithashtu edhe rijetëzimin e apartamentit të Ismail Kadaresë si një rast shumë funksional, duke theksuar se pallati ku ndodhet apartamenti është “simbol i modernizmit shqiptar”, që duhet të ruhet. Si pjesë të hipotezës së saj kërkimore, arkitektja bëri një ndarje në dikotominë e konceptit të vlerës së një ndërtese – atë midis vlerës institucionale që i atashohet nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe të vlerës që i jep komuniteti për shkak të memories kolektive.
“Është në njëfarë mënyrë ironike – të padëshiruara sepse janë ndërtesa që janë në një stad pak tranzitor, në limbo, të neglizhuara, të parestauruara, nuk i është kushtuar vëmendje; gjithsesi qëndrojnë në qytet, janë në zona shumë të rëndësishme të qytetit, në qendër, dikush mund t’i shikojë, përjetojë,” tha Kasapi për ndërtesat e padëshiruara.
Kasapi vlerëson se në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri ka një hendek të thellë midis vlerësimit që institucionet i bëjnë trashëgimisë arkitektonike dhe marrëdhënies që komuniteti ka me të. Ky hendek shpesh është transformuar në konflikt të hapur midis aktivistëve, komunitetit të arkitektëve dhe institucioneve.
Ajo liston një listë gjatë përplasjesh me intensitet në rritje gjatë viteve të fundit mes aktivistëve dhe arkitektëve nga njëra anë dhe institucioneve nga ana tjetër; përfshirë debatin për ndërtesën e Muzeut të Shkencave të Natyrës – i cili u shemb dhe sot po bëhet pallat; shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” për ndërtimin e Arenës Kombëtare dhe shembja e Teatrit Kombëtar. Pjesë e këtij debati janë edhe përplasjet përsa i përket tipologjisë së vilave historike dhe banesave në Tiranë.
“Rasti i Teatrit Kombëtar është mbase kulminimi i përballjes,” tha Kasapi. “Reagimi që ka pasur tregon se ka një vlerësim specifik nga ana e komunitetit, që nuk përputhet me vlerësimin institucional, përpos atyre ndërtesave/banesave që janë listuar si monumente kulture dhe janë shembur,” shtoi ajo.
Nga puna në terren për artikullin kërkimor, Kasapit i lindi ideja që të krijonte një datazabë që të hartëzonte vendndodhjet e ndërtesave të padëshiruara në Tiranë, dhe nga kjo lindi projekti ‘Preserving Tirana” [Ruajtja e Tiranës], i cili ka shërbyer si pikënisje edhe për projekte të tjera. Nga ‘Preserving’ Tirana‘ ka ardhur dhe një projekt tjetër i quajtur “the Albanian House” [Shtëpia shqiptare], një databazë map-imi për tipologjinë e banesës në të gjithë Shqipërinë, për shtëpi që janë monument kulture ose kanë vlerë arkitektonike dhe historike.
Duke u bazuar në platformën me kodburim të hapur, Kasapi tani po punon për një projekt që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë i titulluar “Preserving Western Balkans”, i cili lidh dy qytete të rajonit – Tiranën dhe Prishtinën, në një përpjekje kolektive për të dokumentuar ndërtesat e ‘padëshiruara’.
Universe paralele
Bashkim Pustina ishte vetëm 4 vjeç kur familja e tij, e përbërë nga nëna, babai, tre motrat dhe dy vëllezërit u internuan nga Tirana në një fshat të Elbasanit.
“Me 7 shkurt 1948 ne na internuan, mes dimrit erdhën këtu, na hypën në një Zis ushtarak,” kujton Pustina, i cili thekson se e mban mend sikur ka ndodhur sot.
“Ushtarakë ishin, na morën të gjitha rrobat, plaçkat që kishim dhe na çuan në Elbasan,” shtoi ai.
Shtëpia e tyre dy-katëshe në Tiranë, me tavane dekorativë druri, holli dhe dhoma të bollshme të shtruara me pllaka, të lidhura me tualetin, garderobën dhe lavandërinë me shkallë monumentale dhe fasadë të trajtuar me shumë ornamente dekorative dhe motive floreale, u shpronësua nga shteti.
Kur Bashkimi me familjen e tij u kthyen nga internimi në Tiranë në vitin 1953, u detyruan të jetojnë në një barakë lopësh pas kopshtit të shtëpisë.
“Ta them sinqerisht barakë lopësh, sa që vinte era bajga,” kujton 76-vjeçari, mekanik në pension, të cilin shpesh e gjeje duke rregulluar biçikleta në oborrin e shtëpisë, përpara se ajo të shembej. “Në atë barakë ne flinim si kafshët, mbi një dërrasë dhe shtrojë kashte, sepse nuk kishim asnjë gjë,” kujtoi ai.
Ngrehina ku u rrit Bashkimi ishte rreth 70 metra larg shtëpisë së tij të lindjes, por një botë e tërë i ndante të dyja. Banjoja e saj ishte një barakë tjetër dërrase me kallama dhe baltë – ku bënin dush në dimër me ujë me sapun dhe shpëlaheshin me kova. “E kishim në një bahçe ngjitur me kopshtin e shtëpisë së vjetër,” shton ai.
Bashkimi kujton gjithashtu se nga mbrapa, vila kishte dikur plot pemë dhe i ati shpesh dilte ta pinte kafenë në bahçe me pamjen nga kopshti.
“Baba dilte dhe pinte kafe te bahçja dhe unë si fëmijë më i vogël, i shkoja me tabaka, e shihte shtëpinë, por nuk kishte se çfarë të bënte,” kujton ai. “Baba ka vdekë në 74′, me filxhanin e kafes në dorë, mbrapa murit ke ai fiku aty. Duke parë shtëpinë vdiq,” shtoi Bashkimi.
Ngjashëm me babanë e Bashkimit, edhe Dine Hoxha ishte tregtar dhe një nga ushtarakët e oborrit të mbretit Zog me gradën major. Në vitin 1929, me ndihmën e një arkitekti vendas ai ndërtoi një vilë që sot ndodhet në rrugën “Sotir Peçi”, paralel me rrugën e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave në Tiranë.
Vila e familjes Hoxha dhe pronat e saj në Dibër dhe Tiranë u sekuestruan në vitin 1946 dhe familja u zhvendos të jetonte tek të afërmit disa metra larg. Aty lindi në vitin 1950 dhe nipi i tregtarit dhe ushtarakut të pasur, i cili mori të njëjtin emër – Dine Hoxha.
Ndryshe nga gjyshi i pasur, Dinen e ri jeta nuk do ta çonte në asnjë moment afër ndonjë oborri mbretëror.
“Punëtor e mo, me hekura, me saldime ke 21 dhjetori,” e përmbledh ai thatë karrierën e tij profesionale.
Sa për shtëpinë e gjyshit – ku këshilli i lagjes kishte futur familje të tjera, Dinia kujton se nuk guxonin ta diskutonin as brenda familjes.
“Vetëm këto të lagjes na thoshin: O Dine, është shtëpia e gjyshit tat kjo,” kujton ai. “Edhe unë në shtëpi nuk e zesha me gojë, derisa s’thonin gjë,” shtoi ai.
Vila është 3-katëshe, me një kat nëntokë dhe dy mbi tokë. Hyrja kryesore ka drejtim nga verilindja dhe ka shkallë monumentale me dy rampa. Ndërkohë, një pjesën juglindore të saj, volumi i ndërtesës ka një tërheqje, e cila krijon një verandë në katin e parë dhe një lozhë në katin e dytë, të mbështetur mbi kolona. Në pjesën veriperëndimore të vilës ka një prizëm gjashtëkëndor, i cili ngrihet mbi një sistem kolonash që krijon në katin e dytë një tarracë të mbuluar me çati me kulme të harkuara.
Edhe pse e shpallur monument kulture, gjendja e vilës dëshmon për një mungesë të theksuar mirëmbajtjeje të ngjashme me vilën Pustina. Familja Hoxha nuk ka mundësi që ta restaurojë ndërtesën dhe ka kërkuar ta japë gjithashtu për ndërtim
“Ajo do me u riparuar, me e rregulluar, por këto e kanë bërë monument kulture të kategorisë së II – gja do vijnë ta rregullojnë vetë, por as vijnë, asgjë,” tha Dine Hoxha, i cili theksoi se fakti që janë 16-17 trashëgimtarë e bën të vështirë rënien dakord për rindërtimin e vilës.
“Keq na vjen, por do lek të modh ajo,” përfundoi ai.
Nga eksperienca e katalogimit të shumë ndërtesa që janë monument kulture përreth Shqipërisë, si pjesë e projektit “the Albanian House”, Jora Kasapi shprehet se pesimizmi i familjes Hoxha ndjehet gjithkund.
Ajo kujton se gjatë zbatimit të projektit – sidomos jashtë Tiranës, janë ngatërruar shpesh me punonjës të Institutit të Monumenteve dhe përballeshin me pakënaqësitë dhe kërkesat për restaurimin e shtëpive.
“Njerëzit përgjithësisht kanë një ndjesi të përgjithshme frustrimi për këtë pjesë, sepse shumica e njerëzve që jeton në monument të kategorisë së parë apo monumente të kategorisë së dytë, kishin pamundësi ekonomike për t’i restauruar,” tha ajo.
“Ka shume problematika që lidhen me pronësinë, përpos mungesën e një vullneti institucional, apo të një buxheti për t’i restauruar,” përfundoi Kasapi.