Rajoni i Piemontes në Itali varet shumë te punëtoret emigrantë nga Europa Lindore për të vjelë rrushin e tij, aq sa disa druhen se kërkesat për karantinë në këtë zonë janë shpërfillur.
Kur, gjatë verës, Italia vendosi kufizimet në udhëtim për shtetasit nga Europa Lindore, Boban Pesov u telefonoi shpejt punëtorëve të tij që të ktheheshin nga pushimet në vendlindjen e tyre në Maqedoninë e Veriut.
Si menaxher i kooperativës bujqësore që babai i tij themeloi në Piemonte, rajoni i famshëm i verës në perëndim të Italisë, Pesov parashikonte telashe.
“Morëm me qira një ndërtesë ku ata mund të kalonin karantinën, secili me banjën e tij ose të saj dhe i ndihmuam ata të bënin deklaratat në Autoritetin Shëndetësor”, tha Pesov për BIRN. “Gjithashtu u bëmë testet për koronavirusin.”
“Kemi bërë gjithçka në mënyrën më të sigurt”, tha ai, por shtoi: “Kam përshtypjen se ishim një nga të paktët që e bëmë këtë.”
Të dëshpëruar për të shmangur një përsëritje të pranverës, kur COVID-19 u përhap në nivele të larta në Italinë veriore, autoritetet italiane vendosën karantinën e detyrueshme për personat që vinin nga pjesë të Europës Lindore, duke përfshirë dhe Bullgarinë dhe Rumaninë anëtare të Bashkimit Europian, të cilat së bashku me Maqedoninë e Veriut janë burimi i dhjetëra mijëra punëtorëve sezonalë që vijnë në Itali çdo vit për të vjelë rrushin që përdoret për disa nga verërat e gazuara më të vlerësuara në botë.
Që nga fillimi i gushtit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë të ndaluar të kalojnë kufirin nëse nuk kanë pasaporta të BE-së. Bashkë me karantinën 15-ditore të detyruar për bullgarët dhe rumunët, masat kanë dëmtuar ndjeshëm industrinë e verës në Piemonte dhe kanë kërcënuan pagesat për punëtorët e varfër të bujqësisë në Europën Lindore.
Disa duket se i kanë shpërfillur rregullat, siç është e dukshme në hendekun e konsiderueshëm midis numrit të punëtorëve sezonalë të cilët janë regjistruar pas mbërritjes dhe numrit aktual të kërkuar për vjeljen e rrushit dhe që shihen duke punuar në vreshta.
“Këto nuk janë shifra reale”, tha Pesov, një arkitekt dhe karikaturist, por që menaxhon kooperativën 12-vjeçare Arco del Lavoratore në Roddino.
“Nuk e kemi kuptuar rrezikun e një shpërthimi të virusit, tani që turizmi i ushqimit dhe verës po kthehen në jetë.”
Industria fitimprurëse varet nga forca punëtore e jashtme
Industria e verës është shtylla kurrizore e ekonomisë në Piemonte. Sipas Institutit të rajonit për Kërkime Ekonomike dhe Sociale, IRES, procesi i prodhimit vlen më shumë se 920 milionë euro në vit, ndërsa eksportet sjellin edhe 365 milionë euro të tjera.
Pastaj është sektori në lulëzim i agroturizmit dhe turizmit të verës, sidomos rreth territoreve Langhe, Monferrato dhe Roero ku prodhohen marka të famshme vere si Barbera d'Asti, Barolo, Dolcetto d'Alba, Barbaresco, Moscato dhe Alta Langa.
Por për dekada me radhë, industria është mbështetur te punëtorët emigrantë nga Europa Lindore dhe, gjithnjë e më shumë, nga Afrika, shumë prej të cilëve përballen me shfrytëzim.
Fabrizio Garbarino i Via Campesina, një shoqatë rurale që lufton për të drejtat e fermerëve, tha se punëtorët e Europës Lindore në vitet 1990 dhe 2000 ishin “kudo”. “Bullgarët flinin nëpër makina, maqedonasit kishin ngritur çadra pranë lumit”, tha ai.
Në qytetin Canelli, ku italianët prodhuan për herë të parë verë të gazuar në vitin 1865, Garbarino përshkroi se si qindra njerëz mblidheshin në Sheshin Bashkimi Europian në orën 06:00 të mëngjesit dhe prisnin të shkonte t'i mblidhte ndonjë prona, i cili i paguante ata me katër euro ora.
“Sipërmarrësi është i lumtur sepse në fund të punës, kooperativat i lëshojnë një faturë punëtorit dhe, edhe nëse pagat janë shumë të ulëta, ai nuk do të protestojë”, tha Garbarino.
Në vitin 2015, gazetari i La Stampa, Riccardo Coletti e raportoi këtë praktikë, të cilën ai e quajti “Sistemi Canelli”. “Ishte një sistem i njohur që tolerohej”, tha ai, por autoritetet sot “janë shumë më të kujdesshëm”.
Këtë sezon vjeljeje, autoritetet shëndetësore përgjegjëse për qytetet Alba dhe Bra thanë për BIRN në mes të shtatorit se 98 punëtorë ishin regjistruar pranë autoriteteve sipas kufizimeve për koronavirusin.
Megjithatë, në zonën e Barolos, e cila shtrihet midis këtyre qyteteve, kishte të paktën 300-400 vetë në vreshta, sipas kryetarit të bashkisë së Monforte d'Alba, Livio Genesio.
Nga 98 të regjistruar, 68 punonin për Arco del Lavoratore të Pesov-it.
Autoritetet shëndetësore në Asti thanë se 54 persona nga Bullgaria, 261 nga Rumania dhe 61 nga Maqedonia e Veriut ishin regjistruar që nga 1 gushti, shumë më pak se numri i nevojshëm që vjelja të përfundojë në kohën e duhur.
Në Canelli, një maqedonas që punon me një kooperativë dhe ka jetuar në qytet për 20 vjet, tha se disa punëtorë sezonalë maqedonas i kishin thënë atij se askush nuk kishte kontrolluar se që nga kishin udhëtuar ata.
“Shumë nga personat që ndodheshin në autobusët që vijnë këtu na kanë pyetur se përse duhet të qëndrojnë në shtëpi për 15 ditë, ndërsa të tjerë dolën të punonin në vreshta që të nesërmen e ditës që mbërritën këtu”, tha burri, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij.
Në fillim të shtatorit, në qendër të Canelli-t, kishte pesë autobusë të parkuar të shënuar se udhëtonin midis Italisë dhe Europës Lindore, duke përfshirë qytetet Delcevo dhe Kocani në zonën lindore të Maqedonisë së Veriut, si dhe një numër automjetesh me targa bullgare.
Aty pranë, një bullgar trupvogël me flokë të thinjura tha se nuk kishte munguar në asnjë vjelje rrushi në Piemonte gjatë 10 viteve të fundit. I pyetur nëse e kishte bërë karantinën, burri, i cili dukej që kishte fjetur në qiell të hapur, u përgjigj: “Jo, bëra testin para se të nisesha. Jam mirë.”
Pesov, vetë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, tha se e dinte që rregullat do të shkeleshin. “Më 10 gusht, i shkrova një letër Ministrisë së Bujqësisë duke parashikuar saktësisht atë që ka ndodhur dhe që po vazhdon të ndodhë”, tha ai.
Autoritetet lokale veprojnë ngadalë
Në Piemonte jetojnë më shumë se 5,000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut dhe shumica e tyre punojnë në vreshta. Në kohën e vjeljes, miq, të afërm dhe punëtorë të tjerë sezonalë zbresin në zonat e Canelli-t dhe Albense-s, duke ditur se në një muaj mund të fitojnë aq ara sa në shtëpitë e tyre u duhen katër muaj t'i fitojnë.
“Me plakjen e prodhuesve të verës dhe shtimin e investimeve të huaja, kompanitë e vogla me tre ose katër hektarë tokë janë zhdukur”, tha Claudio Solito, pronar i kantinës La Viranda në zemër të Langa Astigiana. “Tani të duhen të paktën 20 hektarë vreshta për të mbijetuar. Dhe nuk mund ta menaxhosh më vjeljen e rrushit duke u mbështetur vetëm te familja dhe miqtë. Nevojiten maqedonasit dhe kooperativat.”
Roberto Caponi, drejtori i punës dhe mirëqenies në federatën bujqësore Confagricoltura, tha se në të gjithë Italinë, në kulmin e të vjelave, në të gjithë Italinë punësohen rreth 180,000 njerëz.
“Dyzet për qind janë të huaj: midis tyre, 80,000 vijnë nga vende të BE-së dhe ato jo anëtare të BE-së. Rumunët, për shembull, përbëjnë 13 për qind të totalit”, tha ai.
Në gusht, Confagricolture dhe Coldiretti CIA, një tjetër federatë bujqësore, dhanë alarmin për rrezikun e të vjelave të këtij viti për shkak të mungesës së punëtorëve sezonalë.
Caponi tha se ai kishte hedhur disa ide për të adresuar problemin, duke përfshirë përdorimin e “karantinës aktive”, sipas të cilës një punëtor do të vazhdonte të vilte rrush ndërsa teknikisht jetonte i izoluar. Provinca autonome veriore e Trentinos është rajoni i vetëm në Itali që ka prezantuar deri më tani një masë të tillë.
Autoritetet lokale duket se kanë qenë të ngadalta në trajtimin e kësaj çështjeje.
Vetëm më 24 gusht, një javë pasi të vjelat kishin filluar, kryetarët e bashkive takuan kooperativat bujqësore dhe prodhuesit e verës.
“Po, ishte pak vonë,” tha kryetari i bashkisë Monforte d'Alba, Livio Genesio, i cili organizoi takimin, “por ne nuk e dinim nëse dekretet do të ndryshonin apo jo.”
Ai tha se numri i punëtorëve që mbërrinin nga pikat e nxehta të COVID-19 ishte “i kufizuar”.
“Shumë nga ata që vinin dikur, tani nuk janë kthyer më.”
Gjërat po ndryshojnë
Në Canelli, një qytet me 10,000 banorë, gati 10 për qind e popullsisë ka origjinë maqedonase.
Piergustavo Barbero, i njohur si Bimbo dhe financues i Pusbein, një nga kooperativat më të vjetra bujqësore në zonën Cannellese, ka punuar me maqedonasit për 30 vjet. Ata fillimisht erdhën aty në mënyrë të paligjshme, por Barbero tha se ai i ndihmoi ata të punësoheshin në mënyrë të ligjshme. Shfrytëzimi nga kooperativat “e ndyra” mbetet diçka e zakonshme, tha ai.
“Nëse i punësojnë, ata i paguajnë për dy ose tre ditë edhe nëse ata punojnë 50 ditë”, tha ai. Ndryshe nga kjo, Pusbein i paguan punëtorët e saj “për të paktën 160 ditë në vit” në mënyrë që ata të mund të mbështeten tek një pension.
Dy kooperativa në rajon, të drejtuara nga shqiptarë, u mbyllën në maj pas një hetimi nga karabinierët italian dhe Guardia di Finanza.
Tani, profili i atyre që gjejnë punë në rajon po ndryshon.
“Maqedonasit po dalin në pension me një ritëm prej rreth personash në vit dhe fëmijët e tyre nuk duan të qëndrojnë më në vresht, por duan të ndërtojnë makineri për vreshtarinë”, tha Barbero. “Të tjerë shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, ku paguhen më mirë dhe ka pagesa asistence për familjet.”
Ata dalëngadalë po zëvendësohen nga emigrantë nga vende të tilla si Senegali, Nigeria dhe Mali, të cilët, njësoj si ata që erdhën para tyre, mbushin Sheshin Bashkimi Europian të Canelli-t.
“Krerët e bandave i vendosin ata të flenë në vende ku nuk ka kushte higjienike, duke i paguar tre euro në orë dhe duke i ofenduar gjatë gjithë kohës”, tha nënkoloneli Piero Breda, komandanti i karabinierëve lokalë. “Kushdo që përpiqet të rebelohet, rrezikon që ta largojnë dhe të mos e paguajnë.”
Afrikanët mund të shihen duke fjetur në një stacion hekurudhor të dalë jashtë funksioni në Canelli, në ndonjë parking ose në brigjet e lumit Belbo, ku disa bullgarë gjithashtu kanë ngritur gjithashtu shtëpinë e tyre të përkohshme.
“Është absurde që nuk mund të gjendet zgjidhja për një strehim për këta njerëz”, tha Claudio Riccabone, kreu i degës lokale të Caritas-it.
Gjatë viteve të fundit, Caritas ka rregulluar fjetjen dhe ushqimin për punëtorët sezonalë që vërshojnë në Canelli. Por kryebashkiaku i qendrës së djathtë Paolo Lanzavecchia, e bllokoi këtë gjë për të vjelat e këtij viti, duke argumentuar se kjo do t'u jepte emigrantëve afrikanë një avantazh “të padrejtë” duke i lejuar ata të kërkojnë pagesa më të ulëta sesa punëtorët e tjerë.
Riccabone tha se kjo lëvizje ishte dritëshkurtër, duke pasur parasysh rrethanat.
“A nuk do të ishte më mirë që t'i mbajmë këta njerëz në një vend ku ka një doktor dhe ku mund t'ia matin çdo ditë temperaturën, duke pasur parasysh emergjencën aktuale shëndetësore?”
Ky artikull u financua nga European Journalism Centre si pjesë e fondit IJ4EU për projekte investigative ndërkufitare.