Dhjetra studentë të universiteteve varën në shenje proteste maskat në kangjellat e Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar që të rikthehen në auditore, pavarësisht situatës me COVID-19.
Dhjetra studentë varën maskat në kangjellat e Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste të hënën, kundër vendimit për nisjen e vitit të ri akademik përmes platformave online. Studentët u ankuan gjithashtu për njoftimin e vonuar të nisjes së mësimit në distancë –për të cilin thanë se u ka kushtuar tashmë shtrenjtë.
“A do t’i besonit një mjeku, i cili është trajnuar online? Apo një arkitekti?”, iu drejtua BIRN në mënyrë ironike një student i pranishëm në protestë, duke shpjeguar kësisoj se pse ata nuk janë dakord me mësimin nga distanca.
Ministria e Arsimit njoftoi pak ditë më parë se studentët nuk do të kthehen në auditore gjatë muajit nëntor si pasojë e situatës së rënduar me përhapjen e virusit SARS-COV 2, ndërsa mësimi do të zhvillohet përmes platformave online.
Studentët protestues janë kundër këtij vendimi, pasi e konsiderojnë mësimin online joefektiv për përgatitjen e tyre.
“Këtë vit filloj vitin e parë në Financë. Unë s’di asgjë. Edhe një email me udhëzime që na thanë se do nisnin, nuk na e ka sjellë njeri. S’njoh pedagogët e mi. Nuk ia kam idenë fare se çfarë do bëhet, akoma pa filluar,” tha për BIRN një studente e vitit të parë.
Studentët ankohen gjithashtu se njoftimi i vonuar u ka kushtuar ekonomikisht familjeve të tyre.
“Ta dinim, nuk do kishim paguar qiratë në Tiranë, do rrinin në shtëpitë tona. Kush na i kthen ne tani lekët e qirave, janë mbyllur gjithë kontratat dhe kemi bërë parapagesat,” tha Skerdi, student i vitit të tretë për drejtësi.