
Komiteti Teknik i Ekspertëve shpalli ndalimin e grumbullimeve në mjedise të mbyllura apo të hapura me më shumë se dhjetë vetë, përfshirë ceremonitë familjare dhe aktivitetet politike, në një lëvizje që e cilësoi si kalim nga masat “me intensitet të moderuar” në masa me “intensitet mesatar”.

Shqipëria kaloi në një fazë të re të përballjes me pandeminë e koronavirusit të ri pasi ekspertët pranë qeverisë këshilluan ndalimin e të gjitha grumbullimeve me mbi 10 vetë, në ambjente të mbyllura apo të hapura, për një afat të pacaktuar, ndërsa numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19 ka njohur një rritje dramatike gjatë javëve të fundit.
Të martën, numri i infektimeve të reja të konfirmuara nga autoriteti shëndetësor shënoi kuotën 694 vetë, duke thyer rekordin e shënuar vetëm një ditë më parë.
Komiteti bëri të ditur se nuk e përjashton mundësinë e masave të mëtejshme ndërsa shkollat dhe jeta ekonomike e sociale do të vijojë si normalisht me përjashtim të kufizimit të qarkullimit gjatë orëve të vona të natës.
Në një konferencë për shtyp, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico i cilësoi vendimet e komitetit si “masa shtesë të një intensiteti mestar” ndërsa iu referua masave aktuale, të cilat dukshëm nuk kanë arritur ta pengojnë përhapjen e virusit si “masa me intensitet të moderuar.”
“Në mbledhjen tonë të fundit Komiteti Teknik i Ekspertëve, pasi ka analizuar situatën dhe rreziqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra kemi vendosur: 2. Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura. 3. Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet,” deklaroi Fico
Qeveria e kryeministrit Edi Rama është vënë nën akuza së fundmi se ka ngurruar të ndërmarrë masat e nevojshme kundër koronavirusit për shkak të afrimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ndërsa ai dhe partia e tij kanë vijuar me takime elektorale e cila, ligjërisht nis vetëm 30 ditë para datës së zgjedhjeve por që dukshëm ka nisur gjashtë muaj para zgjedhjeve të planifikuara për në 25 prill. Qeveria ka kundërshtuar kritikat duke publikuar krahasime që sipas saj, sugjerojnë se pandemia ka shkaktuar më pak të vdekur në Shqipëri se sa në vende të tjera, krahasime që dukshëm nuk ngushëllojnë dot familjarët e atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19.
Pyetur nga gazetarët, Fico deklaroi se indikatorët që masin situatën nuk sugjerojnë nevojën për masa më të ashpra se këto ndërsa argumentoi se shkalla e prekjes së fëmijëve të shkollave nga COVID-19 është aktualisht 2%, gjë që sipas saj, nuk justifikon mbylljen e shkollave, masë e ndërmarrë sakaq nga disa vende Europiane që po vuajnë valën e dytë ose të tretë të pandemisë.
Fico deklaroi gjithashtu në konferencë se 20-25% e kapaciteteve spitalore janë ende të lira pavarësisht se numri i të shtruarve arriti në 412 vetë të martën.
Masat e reja janë pa afat, ato do të vijojnë deri në një urdhër të dytë.